Kulturë

Turqia ekspozon orën diellore një mijë vjet të vjetër

ora

E zbuluar gjatë gërmimeve në vitin 2021, ora diellore është e qasshme për vizitorët, duke tërhequr interes nga turistë vendas dhe të huaj, si dhe nga qarqet akademike

(The Jerusalem Post) – Një orë e moçme dielli, e vlerësuar të jetë rreth një mijë vjet e vjetër, ishte gjetur në lokalitetin arkeologjik të Anit në Kars të Turqisë. E zbuluar gjatë gërmimeve në vitin 2021, ora diellore është e qasshme për vizitorët, duke tërhequr interes nga turistë vendas dhe të huaj, si dhe nga qarqet akademike. “Në vitin 2021, ora jonë diellore, e cila u gjet në gërmimet e kryera në zonën e banjës së lokalitetit arkeologjik të Anit, është restauruar dhe vendosur në ekspozitën tonë”, ka thënë Hakim Aslan, zëvendësdrejtor i Muzeut të Arkeologjisë dhe Etnografisë në Kars. Ai vuri në pah rëndësinë e zbulimit, duke theksuar se po ekspozohet për herë të parë.

“Ora diellore që gjetëm në gërmimet e banjës është e rëndësishme për ne, veçanërisht sepse është projektuar në formë gjysmë-rrethore dhe ka 12 segmente”, ka shpjeguar Aslan.  “Në mes ndodhet një objekt me një shufër metalike që krijon hije dhe orët tregohen si rezultat i hijes që krijohet nga dielli mbi shufër”, ka shtuar ai.

Sipas tij, gjatë periudhave romake dhe helenistike, orët diellore patën zhvillim të madh dhe u përmirësuan. “Por në Mesjetë, zhvillimet lidhur me orët diellore nuk arritën në një nivel të avancuar dhe madje ngecën edhe krahasuar me periudhën helenistike”, ka sqaruar Aslan. Ai ka nënvizuar  se shembuj të ngjashëm janë të zakonshëm në periudhat helenistike dhe romake, por teknologjia u zbeh në Mesjetë, duke e bërë këtë zbulim në Ani mjaft të vlefshëm.

“Shembuj të orëve diellore mund të shihen që nga periudhat shumë të hershme”, ka sqaruar Aslan. Qyteti antik i Anit shtrihet në një sipërfaqe prej 85 hektarësh, ku civilizime të ndryshme kanë zënë vend në atë zonë.  Rreth 25 struktura ende qëndrojnë në këmbë në Ani, ndër to mure, xhami, katedrale, pallate, kisha, manastire, banja, një urë dhe një kalim i mbuluar që është pjesërisht i shembur. Qyteti hedh dritë në të kaluarën me afro 1 mijë e 500 struktura nëntokësore, që tregojnë se një pjesë e popullsisë jetonte edhe nën sipërfaqen e tokës. Ani ishte porta e parë nga Kaukazi drejt Anadollit.