Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Turp” si reagim për fatin e gruas shqiptare

(exit.al ) – Artistja shqiptare Aida Llukaj do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të “Paris Fringe Festival”. Por për të parën herë, për shkak të rrethanave me pandeminë e koronavirusit, ky festival do të mbahet krejtësisht në format online.

Kështu, Llukaj do të prezantojë një performancë teatrore me vallëzim të quajtur “Turp”, që bën bashkë një përzierje të vallëzimit, monologut, poezisë dhe muzikës. Vepra e saj është frymëzuar nga ajo që e quan “gjendje sfiduese e gruas në shoqërinë shqiptare”. Kjo vepër ngërthen skena të ndryshme që shëmbëllejnë përditshmërinë e jetës, por Llukaj rebelohet kundër shoqërisë që orvatet të thyejë gruan e t’ia copëtojë shpirtin. Kjo ndodh, thotë ajo, për shkak të një shoqërie të frikësuar nga fuqia dhe lumturia e grave.

Aida Llukaj ka bërë me dije se vepra e saj do të demonstrojë kushtet e jetës së gruas në kulturën shqiptare dhe përpjekjen për të ekzistuar në një shoqëri ku burrat e gratë nuk kanë të drejta të barabarta.

“Skena të ndryshme performohen përmes gjuhës verbale dhe asaj të trupit, dhe këto skena vijnë prej realitetit shqiptar që pasqyron pozitën e përditshme të femrës. Ato heqin dorë nga ëndrrat për karrierë për shkak se duhet të bëhen gati për martesë dhe të jenë të zonja për t’iu shërbyer burrave”, ka thënë ajo.

“Liria për të dashuruar, dhe ndonjëherë për të zgjedhur atë që martohesh nuk është ende e lejuar. Lidhjet e fshehta dashurore ndonjëherë mund të përfundojnë me vrasje ndërmjet familjeve”.

Ajo vë re edhe pritshmërinë e shoqërisë që gruaja të rrezatojë bukuri të jashtme, derisa nuk kihet konsideratë për bukurinë e brendshme dhe atë mendore të saj.