Është një shfaqje dinamike dhe takimi i parë me të ngjan që në hyrje të teatrit, si për ta paralajmëruar se sfidat e problemet me të cilat përballet një grua janë realitet, e jo veç temë skenash teatrore. “Fefu dhe shoqet e saj” me tekst të Julies Aaron dhe María Irene Fornés nën regji të Arlinda Morinës-Likit i flet aktualitetit si një lloj aktivizmi teatror
Teatri “Dodona” ka qenë hapësira e shndërruar në një lloj pasqyre, e cila reflekton nevojën për të trajtuar problemet e grave, dallimet dhe përvojat e tyre unike. Ka qenë shfaqja “Fefu dhe shoqet e saj” e cila e ka mundësuar këtë.
Takimi i Fefusë me shoqet e saj ofron një rrugë e cila shpie në të kuptuarit prej perspektivave të ndryshme rreth problemeve me të cilat ballafaqohet një grua. Dialogët janë të pasur me thellësi emocionale, të trishtë, por dhe frymëzues. Trajtohen pritshmëria shoqërore ndaj grave, pushteti, forca e gruas e lëngimi për të gjetur përmbushje personale. Mbi të gjitha, kjo shfaqje – me tekst të Julies Aaron dhe María Irene Fornés, nën regji të Arlinda Morinës-Likit, produksion i qendrës për art dhe komunitet “Artpolis” – ofron një dritare përmes së cilës shikuesit mund të reflektojnë dhe të sfidojnë normat të cilat vështirësojnë përpjekjet egalitare të shoqërisë. Në “Dodonë” është rikthyer si premierë, ani pse në një version qe dhënë në majin e sivjetmë, kur kishte hapur edicionin e 11-të të festivalit për art feminist “FemArt” në mensën “Ramiz Sadiku”.
Si përvojë teatrale e pazakontë, ajo fillon qysh në hyrje të teatrit ku Fefu (Aurita Agushi) vështron publikun nga kati i dytë bashkë me dy shoqet e saj Sindin (Zaneta Xhemajli) dhe Kristinën (Qendresa Kajtazi), të cilat vallëzojnë krah saj. Vazhdon në hollin e teatrit për disa minuta, ku publiku njihet me frikën që kanë Sindi dhe Kristina ndaj Fefusë. Fefu si karakter dëshiron që shoqet e saj ta pëlqejnë atë, gjë që e dëshmojnë edhe bisedat e saj me Kristinën. Fefu dëshiron që Kristina ta pëlqejë atë, por Kristina e ka të vështirë ta kuptojë Fefun, veçanërisht kur ajo qëllon me armë burrin e saj, Filipin. Fefu shpjegon se kjo është vetëm një shaka, që ajo dhe burri i saj luajnë, duke thënë se arma është e mbushur me plumba qorr. Prania e Fefusë e shqetëson Kristinën dhe bëhet e qartë se Fefu dhe Fillipi kanë një marrëdhënie jashtëzakonisht të tensionuar saqë Fefu pretendon se ai u martua me të vetëm për të pasur një “përkujtim të vazhdueshëm se sa të neveritshme janë gratë”. Ndoshta për shkak të kësaj marrëdhënieje problematike, Fefu duket se po lufton me një botë të brendshme të çuditshme dhe të pashpjegueshme vuajtjesh, e cila në mënyrë misterioze e lidh atë me shoqen e saj Julia (Donikë Ahmeti), e plagosur në një aksident gjuetie dhe si rezultat shpesh ka “halucinacione” të frikshme në të cilat ajo u flet figurave antagoniste mashkullore. Julia shfaqet në një karrocë pasi që Fefu e fton publikun tashmë për t’u ulur në sallën e teatrit. Dhe aty nis shtjellimi.

Fefu dhe gjashtë shoqet e saj mblidhen në shtëpinë e Fefusë për të bërë prova rreth një evenimenti bamirësie për edukimin shkollor. Çdo personazh luan një rol të caktuar në këtë ngjarje. Këto gjashtë gra ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe ndajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth jetës së bashku me betejat e tyre personale dhe shqetësimet shoqërore që kanë. Kështu ato përçojnë mesazhe të forta drejt publikut, shpeshherë edhe duke provokuar.
Regjisorja Arlinda Morina-Liki ka thënë se një shfaqje si kjo tregon për rëndësinë e teatrit në vokalizimin e problematikave në shoqëri.
“Me teatër dhe me art ne ecim përpara, nëse kthehemi edhe ne kundër burrave atëherë bëjmë matriarkat, andaj mendoj që duhet të ekzistojë barazia gjinore si bazë e diskutimeve rreth temave gjinore”, ka thënë ajo.
Aktorja Aurita Agushi mban peshën e rolit kryesor, Fefu e konsideron veten si qytetare aktive, e cila e përdor zërin e saj për kauza dhe probleme të ndryshme në shoqëri.
“Aktrimi, qoftë në teatër apo në film, është mënyra më e mirë për t’i trajtuar temat si kjo sonte, sepse arrin te masa më e gjerë e publikut”, ka thënë Agushi.
Për aktoren Donikë Ahmeti secila problematikë në shoqëri duhet të trajtohet nga arti, andaj përderisa probleme të tilla janë ende prezente në shoqëri, as shfaqjet e tilla nuk do të duhej të mungonin. Ka thënë se edhe shfaqja ka mesash për njerëzit që duhet të jenë të hapur dhe pozitiv për t’i kuptuar dallimet që ekzistojnë midis tyre dhe të “mos tentojnë t’i fusin të gjithë në një thes”.
Ndër pikat më kulmore të kësaj shfaqjeje arrihet pak para aktit final, ku të gjitha aktoret – Aurita Augshi, Zhaneta Xhemajli, Qendresa Kajtazi, Donikë Ahmeti, Vlora Dervishi, Blerta Gubetini dhe Dora Xhemajli – shfaqen në skenë, secila me nga një flamur në dorë. Janë flamuj që paraqesin simbole të komunitetit LGBTI, të anarkisë, flamuj të personave me nevoja të veçanta nga komuniteti LGBT, atë të lëvizjes “Black Lives Matter”, të cilët paraqesin ndërthurjen e kategorizimeve në shoqëri.
“Po na vjen, po na vjen behari, po përmbyset patriarkati, liria po vjen, s’ka pushtet që mbrapa ne na kthen, shtypjes suaj fundi po i vjen!”, është brohoritja me të cilën valëviten.
Gjersa Cecilia (Blerta Gubetini) bën thirrje kundër padrejtësive që u bëhen grave, aktoret e tjera vazhdojnë me thirrjen e parullave “Liri barazi- liri barazi, dhunuesit në burg-dhunuesit në burg, gra armatosuni-gra armatosuni, derisa Cecila vetë i ndalon ato duke u thënë: “Stop! Jo armë”. Ky është mesazhi i qartë i përjashtimit të dhunës si zgjidhje.
Publiku e ka shpërblyer trupën me duartrokitje të gjata. Aty ka qenë edhe aktivistja Igo Rogova, e cila shfaqjen e ka cilësuar si fuqizuese për gratë edhe pse kishte shumë storie të dhimbshme në përmbajtjen e saj.
“Lëvizja feministe është në rrugë, në teatër, në institucione. Gjithandej, mirëpo natyrisht në feminizëm gjithmonë ne aktivistet e shohim edhe pjesëmarrjen e burrave, andaj duhet ta gjejmë mënyrën se si t’i përfshijmë burrat të jenë pjesë e saj”, ka thënë Rugova.
Si një prurje mjaft interesante dhe jashtëzakonisht të bukur e ka komentuar shfaqjen aktorja Agnes Nokshiqi, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. “E sugjeroj për ta parë shfaqjen për shkak të mesazhit, personazheve brenda, temave të trajtuara, besoj janë arsye e mirë për të ardhur për ta shfaqjen”, ka thënë Nokshiqi. E një mundësi e tillë është repriza, të mërkurën që vjen.