Për më shumë se gjysmë ore, skena e teatrit “Oda” në kryeqytet ka qenë dedikim për gruan, emancipimin dhe lirinë e saj. Performanca “Jepi ngjyra jetës” me mesazhe e rrëfime ka shpalosur kahet që ndryshojnë rrjedhë nga vendimet e të tjerëve. Ka ardhur si zë i shumë grave që patën ëndrra të pafundme, të prera nga mendësia e shoqërisë.
Performanca e përgatitur dhe luajtur nga aktoret Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi dhe përkrahur nga organizata “Artpolis” alarmon kur dëshmon se historia e tillë vazhdon edhe sot.
Fillimisht në skenë vihen dy rrëfime fiktive, jehona e të cilave e përcjell kaherë shoqërinë. Më pas, një bisedë që vjen shumë natyrshëm mes dy protagonisteve zbulon prapaskena nga jeta e tyre. Sipas aktores Broqi, kjo tregon se, gratë, pa dallim janë ndikuar nga kjo dukuri.
“Pjesa e tretë ka qenë komplet me momente të jetës time dhe të Anisës, kemi vendosur me qëllim t’i ndajmë me njerëzit, sepse shpesh artistët i shohin si të paprekshëm, se nuk u ndodh gjë. Jo, edhe atyre u ndodh gjithçka. Ne jemi njerëz dhe të gjithë kemi momente në jetë që thjesht na mbështetin për muri. Kemi dashur të ndajmë ato momente me publikun se si kemi arritur t’i tejkalojmë ato”.
Pas 11 vjetësh kur kishin bashkëpunimin e fundit, dyshja u kthye me këtë projekt, skenarin e të cilit e shkruan së bashku. Aktorja Anisa Ismaili ka treguar se krejt ideja kishte nisur prej një bisede telefonike mes tyre.
“Ideja e parë ka lindur ndoshta para shtatë apo tetë muajve kur unë dhe Fitorja e bëmë një bisedë gati një orë e gjysmë përmes telefonit dhe thamë se po bëjmë diçka. 11 vjet më parë e kemi dhënë një shfaqje këtu në teatrin ‘Oda’ dhe më nuk kemi punuar, ia kemi përcjellë punët njëra-tjetrës, dhe veç kemi filluar, unë kam shkruar diçka, Fitorja diçka, e kemi rregulluar më pas skenarin dhe ja ku jemi”.
Triumfi i ëndrrës dhe dëshirës me anë të kurajës dhe guximit të gruas është akti solidar që synon të fuqizojë gruan. Për këtë arsye synohet që performanca ta përcjellë sa më shumë mesazhin në shoqëri.
“Ne mendojmë të vazhdojmë ta shfaqim këtë projekt dhe me siguri se shfaqja ka me qenë arsyeja që dikush nuk do të ndalojë me shkollimin sepse vërtetë shkolla është çelësi i lirisë dhe secilës derë për të vazhduar tutje”, tha Broqi.
Rrëfimi për traumën përkufizohet si plagë e përditshmërisë në filmimet e përgatitura nga Mersime Ademi. Tema që trajtohet vjen si akt zinxhiror që përcillet ndër breza. Momentet qesharake vijnë si komedi e zezë, të përcjella me emocionet e vuajtjes së fatit që ishte përcaktuar kaherë nga dikush tjetër.
Aktorja Ismaili ka thënë se nuk do duhej as të diskutohej apo të vihej në dyshim shkollimi i grave.
“Peripecitë e grave pothuajse asnjëherë nuk kanë fund, do të donim që të mos ketë më dilema se a duhet gratë të shkollohet, kjo nuk do të duhej as të diskutohej, ose t’u imponohet profesioni. Ndoshta shumë nëna i ndalojnë, e di vetë sepse shumë vajza më kanë thënë ‘kam dëshirë të merrem me aktrim, por nëna më thotë se është profesion i vështirë’. Secili profesion është i vështirë, natyrisht edhe profesioni i aktrimit nuk është aspak i lehtë. Nuk ke orar, punon paradite, jep shfaqje në mbrëmje. Por është e arritshme. Prandaj duam që zëri ynë nëpërmjet kësaj performance të fuqizojmë vajzat e tjera”.
Performanca “Jepi ngjyra jetës” ka qenë pasqyrë e jetës së grave me ëndrra të shkatërruara si alarm për prerjen e të njëjtin fat në gjeneratat e reja. Se gruaja duhet të marrë përsipër përzgjedhjen e paletës së ngjyrave të jetës.