Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Trazirat në organizim shtyjnë për vitin tjetër Bienalen e Stambollit

Pas një periudhe polemikash, “Bienalja e Stambollit”, një nga ekspozitat më të njohura, do të riformojë plotësisht edicionin e saj të ardhshëm, duke vonuar datën e hapjes me një vit dhe duke sjell një kurator të ri në krye të ngjarjes.

Iwona Blazwick nuk do të shërbejë më si kuratore e edicionit të ardhshëm. Kjo ekspozitë fillimisht pritej të hapej këtë vit. Tani do të hapet në vitin 2025 - një lëvizje që Bienalja e arsyeton me përgatitjet.

Blazwick, kryetarja e Komisionit Mbretëror për Panelin e Ekspertëve të Artit Publik në Arabinë Saudite ishte gjithashtu më parë anëtare e komitetit këshillues të Bienales së Stambollit.

Pavarësisht se komiteti kishte rekomanduar Defne Ayas për ta kuruar këtë edicion të Bienales, Blazwick u zgjodh në vend të kësaj. Fondacioni që menaxhon bienalen, Fondacioni i Stambollit për Kulturë dhe Arte thuhet se nuk kishte shkuar me Ayas për shkak të Pavijonit të saj turk të vitit 2015 për Bienalen e Venecias, kushtuar artistit Sarkis. Katalogu i saj për shfaqjen fillimisht kishte përmendur gjenocidin armen, të cilin qeveria turke e mohon të ketë ndodhur dhe libri më pas u hoq nga qarkullimi.

Blazwick dhe tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqjen nga komiteti. Më pas, në Bienale pasoi një periudhë trazirash: artistët thanë se nuk do të merrnin më pjesë në shfaqje, IKSV-ja njoftoi se do të rishikonte procesin e përzgjedhjes së kuratorit dhe drejtoresha e fondacionit, Bige Örer, dha dorëheqjen, për t'u zëvendësuar në fillim të këtij viti nga Kevser Güler.

“Vendimi për të mos organizuar Bienalen e 18-të të Stambollit në vitin 2024 është marrë së bashku me Iwona Blazwick”, ka thënë IKSV.

Edhe Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias Kulturë Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

Vendimi për të shtyrë Bienalen deri në vitin 2025 u shpall publikisht. Në atë njoftim, Bienalja pohoi: “Ne kemi qenë dëshmitarë të shfaqjes së ndarjeve të padëshiruara në qarqet e artit që po ndikojnë negativisht tek artistët që kishin rënë dakord ose mund të kishin rënë dakord të merrnin pjesë në Bienale, si dhe bashkëpunime dhe partneritete. Fatkeqësisht, kjo situatë e ka bërë të pamundur mbajtjen e Bienales së Stambollit siç ishte planifikuar”.

“Ashtu siç kemi punuar gjithmonë shumë për të organizuar Bienalen e Stambollit në mënyrën më të mirë të mundshme, ne do të sigurojmë që Bienalja e Stambollit të kthehet tek audienca në vitin 2025, pas një procesi të ri të kryer brenda kornizës së rregulloreve tona të reja”, përfundon deklarata.