Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Trashëgimia kulturore – ura që lidh shqiptarë e spanjollë

Shqiptarë e spanjollë mund ta fuqizojnë njohjen mes tyre përmes trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe komunikimit të ndërsjellë. Këto kanë qenë disa nga pikat për të cilat kanë rënë në ujdi ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, dhe ambasadori i ri i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, Marcos Alonso Alonso.

Në takimin e zhvilluar të hënën, ministrja Margariti ka vlerësuar se e ardhmja e përbashkët, e cila fillon në BE, duhet të fillojë përmes njohjes së njëri-tjetrit.

“E ardhmja jonë e përbashkët është Bashkimi Europian dhe si do të thoshte edhe ambasadori i ri i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Marcos Alonso Alonso, duhet që të përgatitemi për këtë të ardhme. Dhe kjo duhet të fillojë nga njohja e njëri-tjetrit. Me ambasadorin spanjoll ramë në një mendje se kjo njohje duhet të nisë nga të rinjtë, të cilët sot ndihen europianë që në lindje”, ka shkruar Margariti në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Ajo, po ashtu, ka vënë në dukje se “trashëgimia kulturore, digjitalizimi dhe komunikimi përmes gjuhës teknologjike janë disa nga fushat ku interesat puqen”. “Do të na drejtojnë në projekte të përbashkëta”, ka thënë ajo.

Derisa të dyja vendet gëzojnë marrëdhënie të ndërsjella diplomatike, përkatësisht me anë të Ambasadës shqiptare në Madrid dhe asaj spanjolle në Tiranë, historia shqiptaro-spanjolle shkon prapa në kohë.

Episodi më i njohur i bashkëpunimit shqiptaro-spanjoll fillon prej gjysmës së dytë të shekullit të 15-të, kur Gjergj-Kastrioti-Skënderbeu tek shtëpia mbretërore e Aragonës – që asokohe sundonte Napolin – gjeti aleatë të besueshëm në luftën antiosmane.

Pas ndihmave materiale dhe në njerëz që kishte dhënë Alfonsi V, Skënderbeu do t’ia kthente borxhin të birit të tij, Ferdinandi I, kur froni i tij u rrezikua nga pretendentët francezë për fronin napolitan.

Edhe Kolumne Diplomacia akademike si rrugë drejt integrimit evropian

Në kohët më të reja, Juan Pedro Aladro y Kastriota ishte aristokrati spanjoll që kishte krijuar lidhje me qarqet patriotike shqiptare që luftonin për një Shqipëri të pavarur.

Don Aladro, që pretendonte se lidhej me familjen e Kastriotëve nga gjyshja, kishte kontribuar me broshura që e njoftonin Evropën për çështjen shqiptare.

Edhe gjatë Luftës Qytetare në Spanjë (1936-1939), shumë shqiptarë morën pjesë në brigadat ndërkombëtare, si Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Skënder Luarasi e Petro Marko. Aktualisht Spanja është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.