Prishtinë, 30 gusht – Akademik Kolec Topalli hyn në radhën e albanistëve të shquar ndër shqiptarë e në përgjithësi. Me 16 vepra studimore monografike, Topalli ka dhënë një kontribut të madh në zbardhjen e historisë së gjuhës shqipe. Si një studiues i rrallë e modest, Topalli është kujtuar të mërkurën, në edicionin e 37-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në tryezën për veprën e Topallit, i cili ka vdekur në moshën 80-vjeçare, në prill të këtij viti, akademik Rexhep Ismajli dhe profesoresha e gjuhës shqipe Anila Omari kanë folur për arritjet shkencore të akademikut.
Ismajli ka thënë se Topalli është një personalitet i shquar që ka lënë prapa rezultate shkencore që shtrihen në fusha të ndryshme hulumtimi të historisë së gjuhës shqipe.
Ka thënë se Topalli veprimtarinë e tij e përmbylli me një sintezë të gjerë për historinë fonetike, për historinë gramatikore dhe për historinë e leksikut, që është “Fjalori etimologjik”.
“Janë të paktë ata studiues në këto fusha që në një jetë njeriu t’ia kenë dalë të rrumbullakonin një sintezë të tillë”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, një përvojë kaq e madhe dhe e ngjeshur jetësore hulumtuese do t’i mungojë shkencës. Ka thënë se Kolec Topalli në studimet albanistike u shfaq për herë të parë më 1973 me një vështrim për çështje të ndryshme të gjuhës shqipe. Sipas tij, “Kolec Topalli hyn në mesin e albanistëve të shquar ndër shqiptarë dhe në përgjithësi”.
Akademik Topalli ka botuar 16 vepra studimore-monografike, prej të cilave 10 në fushën e fonetikës historike, një e përkthyer italisht.
Edhe
Gjuhëtari që zgjedhoi historikun e foljes së shqipes
Sa i përket “Fjalorit etimologjik” të albanologut, profesoresha e gjuhës shqipe nga Tirana, Anila Omari, ka thënë se kjo është vepra e tij e fundit madhore e cila kurorëzoi një jetë kushtuar hulumtimit shkencor për gjuhën shqipe dhe historinë e saj.
“Studimet etimologjike të pasqyruara në Fjalor mbështeten në të folmen e shqipes në të gjitha trevat ku flitet ajo. Fjalori ka 42846 njësi leksikore, duke përfshirë edhe derivate dhe 2381 njësi onomastike”, ka thënë Omari (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).