Shuarja e akademik Kolec Topallit është një humbje e madhe për të gjithë ne, për kulturën dhe mbi të gjitha për shkencën shqiptare, për albanologjinë. Ndihmesat e tij në studimet albanistike, në mënyrë të veçantë në fushën e historisë së gjuhës shqipe janë të mëdha.
Profilin shkencor të akademik Kolec Topallit e shquan rezultati i punës që na ka lënë prapa. Duke u marrë gjithë jetën me historinë e gjuhës shqipe ai këtë veprimtari e përmbylli me një sintezë të gjerë për historinë fonetike, për historinë gramatikore dhe për historinë e leksikut, që është Fjalori etimologjik i tij, që sapo ka dalë. Janë të paktë ata studiues në këto fusha që në një jetë njeriu t’ia kenë dalë të rrumbullakonin një sintezë të tillë.
Një përvojë kaq e madhe dhe e ngjeshur jetësore hulumtuese do t’i mungojë shkencës sonë. Në studimet historike të gjuhës shqipe në këto dekadat e fundit akademik, profesor dr. Kolec Topalli zë një vend të atillë që e rendit atë ndër të rëndësishmit e shkencës albanologjike në tërësi. Denduria dhe intensiteti, pesha e ndihmesave me të cilat ai erdhi para opinionit shkencor albanistik vendor e ndërkombëtar brenda këtyre tri dekadave e kanë shpërfaqur personalitetin e Kolec Topallit në tërë formatin e tij në gjuhësinë shqiptare...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)