Kulturë

Tina Turner – uragani i rock ‘n’ rollit që shembi dallimet

Është një hit i saji, i cili sikur ia paracakton krejt përshkrimin për të: “The Best”. Tina Turner ishte gruaja që shpërtheu me zërin e saj, uragani që theu kufijtë jo vetëm në muzikë. Unike po se po, inspiruese gjithandej, natyrisht edhe në Kosovë. “Gjigante e skenës, këngëtare shumë e veçantë, e papërsëritshme, me një zë që i kaloi kufijtë e stileve dhe racave”, ka thënë kantautori Genc Salihu

Me fuqinë e saj të pazakontë vokale, talentin prej një valltareje e përkushtimin që kishte, Tina Turner për dekada do të bëhej pushtuese e skenave botërore. Përtej një zëri ikonik, ajo ishte e para për spektakël, për shkrirje zhanresh të muzikës e tronditëse në interpretimet që shiheshin veç tek ajo. E njohur si “mbretëresha e rock ‘n’ rollit”, idhulli i shumë artistëve e këngëtarja që adhurohej nga miliona njerëz gjithandej globit, vdiq të mërkurën. Ajo ishte 83-vjeçe. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i saj Bernard Doherty.

Image
“Bota ka humbur një legjendë të muzikës dhe një idhull”

“Bota ka humbur një legjendë të muzikës dhe një idhull”, ka thënë ai një deklaratë të shkurtër për vdekjen e artistes në shtëpinë e saj në Zvicër. Me 12 çmime “Grammy” përgjatë karrierës së saj, Turner do të bëhej legjendë e skenës gjithandej botës. Nëpërmjet artit ajo do t’ia dilte të bëhej frymëzim e po ashtu edhe do të thyente paragjykime duke bashkuar edhe njerëzit e ngjyrave të ndryshme. Trashëgimia e saj e shumanshme është vlerësuar si diçka që rrallëkush do të mund ta ndërtonte, përderisa popullariteti i saj, zor i kapshëm. E natyrshme, edhe në Kosovë kishte adhuruesit e saj të shumtë.

“Gjigantja e papërsëritshme e skenës”

E lindur me 26 nëntor 1939 në Brownsville, Tennessee, me emrin Anna Mae Bullock, ajo shpejt do të jepte shenja se ishte e lindur për skena muzikore. Siç shkruhet në biografinë e saj, e rritur në një familje fermerësh, ajo si fëmijë do të interpretonte edhe në korin e një kishe lokale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore prindërit e saj do të jepnin kontribut në një kazermë ushtarake duke bërë që familja të ndahej për një kohë. E më vonë pas ribashkimit, vajza e re së bashku me motrën më të madhe Alline kishin nisur të frekuentonin një klub dhe po dëgjonin interpretimin e Ike Turner dhe grupin “Kings of Rhythm”.

Qenë pikërisht vitet ’50 kur ajo nisi të dilte në pah për t’u bërë dominuesja e rock ‘n’ rollit për gjysmë shekulli. Në fund të dekadës së pestë të shekullit të kaluar, derisa ishte në shkollë të mesme, do ta sprovonte veten duke kënduar me Ike Turner dhe grupin e tij “Kings of Rhythm”.

“Mbretërit” asokohe nuk e dinin se tashmë ishin afër një mbretëreshe të ardhshme të artit. Por, nuk ishte dashur shumë kohë që ta merrnin vesh këtë. Turner do të bëhej ylli i grupit e njëkohësisht bashkëshortja e Ike Turner. Sipas kritikës e biografëve të saj, potenciali vokal i Turner kishte nisur të plotësohej edhe me talentin në vallëzim duke e bërë atë pushtuese të skenave. Kur nisi të bëhej figurë që po kalonte përmasat lokale, grupi do të riemërtohej duke u quajtur “Ike and Tina Turner Revue”. Ishte koha kur ende afro-amerikanët nuk shikoheshin me sy të mirë. Grupi performonte në hapësira që dominoheshin prej të parëve. E bashkëpunimi me “Rolling Stones” kishte nisur të sillte një tjetër erë jo veç në muzikë. Pjesa e dytë e viteve ‘60 qe tregues për këtë. Një turne në Britaninë e Madhe më 1966 dhe një tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1969 do të bënin që Turner të merrte jo veç vëmendjen, por edhe zemrat e të bardhëve. Niveli i saj artistik po thyente paragjykimet e qindra vjetëve. Po bashkonte njerëzit.

“E ka afruar shumë Amerikën ‘e zezë’ dhe ‘të bardhë’ përmes shkrirjes së rock ‘n’ roll-it dhe soul & r’n’b në një. Pas asaj, në vitet ‘80 ishte një nga pop- yjet më cilësore në botë”, ka thënë kantautori Genc Salihu, të mërkurën vonë në një deklaratë për KOHËN.

Tashmë Turner e kishte parë potencialin e saj. Kufijtë e stileve për të ishin diçka që duhej thyer. Repertorit të saj donte t’i shtonte edhe këngë rock. Bashkë me bashkëshortin e saj do të përgatisnin versionin e “Proud Mary” më 1971. Kësisoj kishin adaptuar këngën e “Creedence Clearwater Revival”. Po atë vit edhe morën “Grammyn” e parë për interpretimin më të mirë vokal nga një grup “R&B”.

Kritika tashmë kishte parë se Turner veç po bënte histori. Pak nga vlerësimet e atëhershme i ka cituar “The New York Times”, të mërkurën, në ditën kur në botë është shpërndarë lajmi për vdekjen e Turner.

“Në kontekstin e show-biznesit të sotëm, Tina Turner duhet të jetë profesionistja më e bujshme në skenë”, do të shkruante Ralph J. Gleason në “The San Francisco Chronicle” pasi kishte parë një koncert të “Rolling Stones” në Oakland, në nëntor të vitit 1969. Kritiku me shumë ndikim në atë kohë e vlerësonte Turner si artiste që vinte në skenë bash si një uragan. “Ajo vallëzon, tundet e këndon dhe ndikimi është i menjëhershëm dhe i plotë”, shkruante Gleason. Ky ndikim do të bëhej global e inspirues për shumë artistë.

Genc Salihu ka thënë se Turner është ajo që ka trasuar shtegun për artistët bashkëkohorë si Beyoncé.

“Gjigante e skenës, këngëtare shumë e veçantë, e papërsëritshme me një zë që i kaloi kufijtë e stileve dhe racave”, ka thënë Salihu.

“Simply the Best”

Turner ishte një yll me hov të madh ngritjeje. Por telashet personale e ndarja nga Ike Turner do të bënin që të stagnonte për disa vjet. Në biografitë e shumta për të, shkruhet se qenë vitet kur po përballej me një ndarje nga një martesë abuzive. Ike Turner kishte probleme të mëdha me stabilitetin emocional e psikologjik. Një person i varur nga droga që do të bënte edhe burg sherri i saj dhe jo vetëm. Ai vdiq më 2007 nga mbidoza.

Por ylli pas kalimit të “vranësirave” prapë shkëlqen. Dhe kësaj radhe Tina Turner nuk do të zdriste si përpara. Tash edhe më shumë. Rikthimi bëri që jehona e saj të dëgjohej edhe më. Albumi solo “Private Dancer” kishte bërë që të jetë në qendër të vëmendjes dhe të kapte majat e një këngëtareje të popit.

Tash 80-vjeçare, Arlene Phillips ishte koreografe e Turner te “Private Dancer”. Në një lidhje direkte për “Sky News” të mërkurën, koreografja me nam botëror ka thënë të ketë punuar me shumë këngëtarë e këngëtare. Por me plot zell e ka veçuar Turnerin.

Image
“Kishte një zë të fuqishëm dhe natyral që vinte prej brendisë së saj”

“Kishte një zë të fuqishëm dhe natyral që vinte prej brendisë së saj. Thjesht ishte magnetike”, ka thënë Phillips.

Këngët si “Better be Good to Me” e “What’s Love Got to Do With It” i ishin shtuar repertorit të saj duke nxjerrë ngjyra të tjera të vokalit. Krejt kjo ishte parë si një bashkim i stileve të vjetra e shpirtërore me erën e re të popit. Këtë mund ta bënte veç një vokal e guxim i Tina Turner.

Është një hit i saji, i cili sikur ia paracakton krejt përshkrimin për të: “The Best” i vitit 1988. “Simply the Best”, këndon ajo në refren. E tillë qe ajo.

“The New York Times”, pas lajmit të vdekjes së yllit ka sjellë disa vlerësime që i ishin bërë për këtë periudhë. Shkrimtari e kritiku amerikan Stephen Holden do të vlerësonte se albumi i saj i ri nuk ishte thjesht një pikë referimi për kohën kur u publikua.

“Por në evolucionin e vetë muzikës pop-soul”, do të vlerësonte ai shumë vjet më vonë në një përmbledhje për veprimtarinë e këngëtares. Më 1985 do të merrte katër “Grammy”. Tri prej tyre, atë për incizimin më të mirë, këngën e vitit e interpretimin më të mirë me “What's Love Got to Do With It”. E me “Better Be Good To Me” do të fitonte për rock-vokalisten më të mirë. Shitja e miliona kopjeve të albumit e turneu i saj botëror do ta bënin këngëtaren një fenomen global.

Mediat amerikane të mërkurën e kanë përshkruar se si pritej në turne. Më 1988, 180 mijë veta do të brohorisnin në kor në stadiumin “Maracanã” në Rio de Janeiro të Brazilit kur Turner ishte ngjitur në skenë. Ishte një rekord i paparë deri atëherë për një artiste solo. E rekordet për Turner ishin diçka që në biografinë e saj janë të shpeshta. Mban edhe atë të librit të rekordeve botërore “Guinness” kur me turneun “Twenty Four Seven”, në vitin 2000, shiti më shumë se 100 milionë dollarë bileta. Historia e njeh si artisten solo që ka shitur më së shumti bileta koncertesh.

Një jetë në dritëhije

Ashtu sikurse vokali i saj me ngjyrime të shumta, edhe jeta personale e Turner kishte shumë dritëhije. Më 1985, kur kishte rimarrë veten do të takonte producentin gjerman Erwin Bach. Do të martohej me të pas 38 vjetësh, më 2013. Turner me 60 vjet do të paralajmëronte largimin nga skena. Këtë e bëri pikërisht më 1999 kur u publikua albumi “Twenty Four Seven”. Por ndërroi mendjen pas një kohe. Mori një tjetër “Grammy” për arritje jetësore dhe pasi performoi me Beyoncén po në ceremoninë e “Grammyt” më 2008m sikur u mbush energji. Nisi edhe një turne ndërkombëtar duke bërë që të lërë shenjë edhe në dekadën e pestë të saj në muzikë. Ishte viti kur u paralajmërua edhe koncerti i saj në Budvë të Malit të Zi, që dështoi.

Mbeti prapë tek arti, por tash në forma të tjera. U ishte kthyer librave. Më 1986 do të nxirrte autobiografinë e parë “I Tina (My Life Story)”. Më pas, më 2018 do të vazhdonte me librin “My Love Story” e dy vjet më pas me “That’s My Life”. Në këto vepra shtrihet rrëfimi i saj prej artisteje e po ashtu jeta private.

Mediat botërore në ditëvdekjen e saj kanë kthyer në pah pak prej rrëfimeve të saj nëpër intervista.

“The Guardian” ka shkruar se më 2020 ajo për këtë medium britanik kishte thënë se pavarësisht se kishte disa probleme serioze shëndetësore, 10 vjetët e fundit të jetës së saj kishin mishëruar vizionin e saj ideal të lumturisë.

“Lumturia e vërtetë dhe e qëndrueshme vjen nga të pasurit e një shpirti të palëkundur, shpresëdhënës, që mund të shkëlqejë, pavarësisht se çfarë ndodh”, do të thoshte ajo. “Kjo është ajo që kam arritur dhe është dëshira ime më e madhe të ndihmoj të tjerët që më bën po ashtu vërtet të lumtur”. Turner gjatë jetës së vet ka bërë të lumtur shumë njerëz. Ka frymëzuar masa të tëra. E sidomos artistët.

“Shpesh i këndoj këngët e saj për vete. Ajo mund të mos ketë shkruar këngë, por ka pasur kritere sublime për to, ka kënduar vetëm këngë 24-karatëshe”, ka thënë Genc Salihu. E trashëgimia e Tina Turner është e tillë. E arrtë në të gjitha dimensionet e saj.