Kulturë

“The Liberation War” paralajmërohet si film Hollywoodi për luftën e Kosovës

Historia nis me fëmijërinë në Kosovën e paraluftës, ku dy subjektet protagoniste të filmit takohen në shkollë. Lufta i ndan për t’u ribashkuar në New York. Me skenar të Fitim Krasniqit, i cili njëherësh është edhe producent ekzekutiv i filmit dhe me regji të regjisorit Louis Mandylor, ky film – që për nëntitull ka “histori e vërtetë e Kosovës, 1997-1998” – synon t’i tregojë botës se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga qëndrueshmëria e popullit e deri te realiteti i ashpër i luftës. Është paralajmëruar si film nga Hollywoodi që bota ta njohë të vërtetën

Prodhimet kinematografike vendore që ndërtohen mbi narrativat e luftës së fundit në Kosovë janë të shumta. Por ato që së paku në paralajmërime e dallojnë filmin “The Liberation War” (Lufta çlirimtare) janë ambicia dhe përfshirja e një ekipi realizues, siç pretendohet, hollywoodian, gjë që e bën atë si film të destinuar për një audiencë globale.

Louis Mandylor, aktor dhe regjisor australian i cili, ndër të tjera, ka luajtur në triptikun “My big fat greek wedding” dhe në një episod të serialit të njohur “Friends”, do të ketë rolin e regjisorit në këtë projekt, i cili është paralajmëruar si film i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Tema e filmit që do të shkrihet në disa zhanre të ndryshme si dramë, aksion e romancë do të fokusohet në disa periudha të luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë. Aty do të trajtohet periudha e paraluftës, largimi i nxënësve shqiptarë nga shkollat, dëbimi nga puna i shqiptarëve, periudha e luftës, si dhe paslufta. “Histori e vërtetë e Kosovës, 1997-1998”, është si nëntitull filmi.

Kjo narrativë do të bazohet në jetët e dy protagonistëve, një çift, të cilin e ndan lufta e ribashkimi ndodh në New York. Pjesë e filmit do të jenë dhe referencat reale nga ngjarjet në luftë, aty do të trajtohet dhe masakra e Reçakut si ngjarje shënjuese e dhunës së ushtruar nga Serbia gjatë luftës, e cila tronditi botën.

Regjisori Louis Mandylor tashmë ka arritur në Kosovë. Ishte e paraparë të jetë prezent edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, si zëri i masakrës së Reçakut, pjesëmarrës në projekt, por në pamundësi ai është paraqitur në një videolidhje në të cilën përshëndeti iniciativën për këtë projekt filmik.

“Ky film tregon një histori shumë interesante dhe të vlefshme, tregon një histori për Kosovën e paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, periudhën e Pavarësisë. Kosova është një shembull i jashtëzakonshëm i suksesit kur flitet për shtetet e reja dhe jo shumë njerëz dinë për të. Pra, ky film na njofton me këtë histori të Kosovës dhe se si keqtrajtoheshin shqiptarët sikur të ishin qytetarë të rangut të dytë. Çfarë ka ndodhur në Kosovë atëherë ka filluar të harrohet nga bota dhe, sipas meje, Kosova tani është vendi më demokratik në Evropë dhe kështu bota mund ta shohë nëpërmjet këtij filmi se çka në të vërtetë është Kosova dhe se si ka ndryshuar tani”, ka thënë Walker, duke shtuar se filmi do të shërbejë dhe si mundësi e mirë për pjesëmarrësit nga Kosova në këtë projekt.

Për regjisorin e filmit kjo histori, e cila do të trajtohet në film, është shumë e fuqishme. Nëpërmjet saj do të shpjegohet qartazi realiteti i luftës. I kënaqur se gjendet në Prishtinë, ai shprehu entuziazmin e tij për këtë projekt duke thënë se veprimtaria e tij artistike momentalisht fokusohet në filmbërje, andaj ky projekt ishte i mirëpritur nga ai dhe e vlerëson si një hap në kohën e duhur.

“Mua me pëlqen të rrëfej histori të parrëfyera, të reflektojmë dhe të rikrijojmë jetë të cilat dikur janë jetuar, të tilla që kanë vlera për njerëzimin. Storia e këtij filmi është e bazuar në historinë e këtij vendi nga krenaria e deri te tmerret e luftës. Kjo histori më ka prekur dhe më është dukur shumë më ndryshe dhe është shumë afër zemrave të kosovareve, andaj besoj se kemi një mundësi të mirë të shfaqim diçka të bukur: trimërinë dhe tmerret e dhunës. Normalisht do të ketë dhe aksion pasi që është film, pavarësisht se tema është e ndjeshme dhe serioze”, është shprehur Mandylor i cili ka qenë pjesë edhe e serisë televizive “CSI: Miami”.

Qëllimi kryesor i këtij filmi del të jetë fakti se Serbia në vitet e fundit ka realizuar 13 filma propagandistikë për luftën në Kosovë bashkë me dy sish nga Rusia, andaj këtë film ekipi i kryesuar prej Fitim Krasniqit, si producent ekzekutiv dhe skenarist i filmit, e sheh si mundësi të mirë për të treguar realitetin nga këndvështrimi i popullit të Kosovës.

“Kemi filluar ta bëjmë këtë film që me i tregu botës se çka ka ndodhur në Kosovë vërtet. Kaluan 25 vjet, por ende nuk u pa në bote një prodhim i tillë, i cili tregon realitetin e luftës në Kosovë me vrasjet, dhunimet dhe gjithçka tjetër. Unë vendosa të bëj një skenar i cili i përfshin tri periudhat para, gjatë dhe pas luftës, qëllimi im është që ky film të jetë shkak që Kosova të promovohet dhe që aktorët kosovarë që do të jenë pjesë e këtij filmi t’u jepet mundësia që të luajnë në Hollywood”, ka thënë Krasniqi.

Filmi i cili pritet të jetë dyorësh, sheshxhirimet do t’i ketë në disa lokacione në Kosovë, Shqipëri dhe në New York. Siç ka paralajmëruar Krasniqi, ndërmarrës shqiptaro-amerikan, projekti filmik do të ketë buxhet milionësh dhe një kastë prej 37 aktorësh, 15 nga Hollywoodi, ndërkaq pjesa tjetër do të përzgjidhen në Kosovë pas audicioneve përzgjedhëse.

Ekipit tashmë i është bashkuar producentja amerikane Kelly Lynn Reiter, e cila ka thënë se e ka pranuar ftesën duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë historike dhe ndjeshmërinë që ka filmi.

“Kur kam folur me Fitimin për herë të parë kam kuptuar se leximi i një skenari që përmban një histori të vërtetë është e ndryshme nga të dëgjuarit e asaj rrëfenje direkt nga goja e skenaristit. Pasioni i Fitimit është ngjitës. Pasioni me të cilin flet ai për këtë histori na bën të gjithëve ta mbështesim këtë ide dhe duke e vendosur veten në atë pozicion sikur ata që e kanë përjetuar luftën në Kosovë. Më bën dhe mua të kem dëshirën e madhe që të gjithë ta dëgjojnë këtë histori”, ka thënë aktorja duke u shprehur se është falënderuese që është pjesë e këtij projekti dhe që mund të ndihmojë në arritjen e synimit të filmit.

Xhirimet për filmin “The Liberation War” pritet të nisin në mes të vitit, ndërkaq ende nuk është zbuluar lista e aktorëve pjesëmarrës e cila, sipas regjisorit, do të përfshijë emra të njohur të kinematografisë amerikane. Ky film karakterizohet nga synimet ambicioze e ndër to dhe shfaqja e filmit në mbi 65 vende të botës dhe 2000 kinema botërore.

Iniciativa të tilla shërbejnë si rikujtim i rëndësisë që duhet kushtuar një tematike të tillë, e cila synohet të kthehet në film. Lufta si ngjarje i përket narrativës kolektive të një populli, në këtë rast kosovarëve, andaj mbështetja në referenca të vërteta bëhet dhe më evidente aq më tepër kur filmi mëton të përfshijë dhe ngjarje reale e historike. Ndjeshmëria e një teme të tillë duhet të kursehet nga çdo ngjyrim tjetër, i cili vendoset t’i jepet me apo pa qëllim.