Kulturë

“The house…” për shtëpinë ku morën hov kultura e arti kroat

Ishin hapësira të ndryshme në vend, por njëra prej tyre ka mbetur në mendjen e publikut. Mbi pesë dekada pas, kolosë të fushave kryesore të artit kanë shpalosur rrëfimet e kujtimet e asaj kohe. “The house in Kraljevac” si premierë botërore në edicionin e 22-të të “DokuFestit” ka shpalosur rrëfimet për një ndërtesë të veçantë: aty ku kultura e arti kroat morën hov. Përtej kësaj zbërthen edhe histori interesante të përplasjes së epokave në ish-Jugosllavi

Me filmin e gjatë dokumentar “The house in Kraljevac” është shpalosur periudha e lulëzimit të kulturës kroate. Ishin hapësira të ndryshme në vend, por njëra prej tyre ka mbetur në mendjen e publikut. Mbi pesë dekada pas, kolosë të fushave kryesore të artit kanë shpalosur rrëfimet e kujtimet e asaj kohe. Segment i ndërlidhur me këtë pjesë të historisë është edhe ndërtuesi i asaj hapësire – filozofi e regjisori Slobodan Praljak, ish-komandant ushtarak në radhët e forcave kroate i dënuar për krime lufte. “Stacioni” i fundit i Praljak-ut ishte Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Jugosllavi. Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” qe stacioni i parë. Të dielën u dha premierë botërore.

Në çdo edicion të tij, Festivali zgjedh me delikatesë programin e filmave. Çdoherë sjell edhe filma që janë premiera vendore e ndërkombëtare. Publiku i mbledhur në “DokuKino”, njëra prej kinemave ku “DokuFest” po shpalos programin prej të premtes, ka qenë i pari që ka pasur mundësinë të eksplorojë në historinë e zhvillimit të kulturës kroate nëpërmjet rrëfimeve e arkivave. Një pjesë e saj kishte nisur brenda mureve të shtëpisë në kryeqytetin e Kroacisë.

Filmi dokumentar “The House in Kraljevec“ vendoset nga një pikë më e largët e të shpjeguarit për vendosjen e shtëpisë. Nis prej “Sheshit Britanik” në kryeqytetin kroat dhe publikun e shëtit nëpër parqe, rrugica e rreth 100 shkallë para shtëpisë. Publikun e nxjerr për një shëtitje deri aty e edhe në hapësirën brenda. Tregon se si ka qenë ajo pjesë dhe sa ndryshime ka pësuar ndër vite.

Një grup bolivianësh ishin vendosur aty dhe kishin filluar të bënin muzikë fillimisht për grupe të vogla, por më pas kishin nisur të merrnin pjesë edhe në ngjarje më të mëdha e të zhvillonin koncerte publike. Ishte grupi “Ayllu”. Veçanërisht brenda asaj shtëpie ishin zhvilluar skenarë filmash e asi për shfaqje teatrale. Njëri prej atyre që kishin qëndruar aty kishte qenë edhe Pjer Zhardin, aktor i shquar në Kroaci. Kishte banuar dy herë në shtëpinë që lëshohej me qira nga pronari.

“Ishte një periudhë shumë intensive. Apo dy. Diferenca kohore midis herës së parë dhe asaj të dytës që isha aty ishte vetëm disa vjet. Nuk ishte dallim i madh, por gjithçka ishte krejt ndryshe. Atmosfera ishte e ndryshme dhe ishte një grup krejtësisht i ndryshëm njerëzish”, tregon aktori Zhardin në dokumentar.

Arkivi me fotografi, video dhe raportime prej mediave e pasuron dokumentarin dhe e bën më kuptimplotë. Aktori, regjisori, aktivisti e politikani kroat Vilim Matula e prezanton si “një nga shtëpitë e mëdha në pyll, pa fasadë dhe jo fort e rregulluar brenda”.

Gjatë 15 vjetëve shtëpia ishte frekuentuar nga një numër i madh të rinjsh, si poeti, skenaristi e akademiku Abdulah Sidran, shkrimtari Goran Babiq, artisti boshnjak Mirko Iliq, karikaturisti Igor Kordey, animatori e regjisori Milan Trenc, këngëtari Goran Pavelid Pipo, shkrimtari e muzikanti Davor Slamnig dhe shumë të tjerë.

Shkrimtari Goran Babiq shprehet në dokumentar se “ka qenë periudhë e veçantë e asaj kohe”. Edhe vajza e tij, Natasha Babiq, kishte qëndruar aty për pak kohë kur ishte fëmijë. Akademiku boshnjak Sidran e ka vlerësuar shtëpinë se “ishte shumë frymëzuese”. Në Sarajevë ka udhëtuar regjisori Pero Kvesiq për të marrë edhe versionin e tij për shtëpinë. Pamjet e shëtisin publikun edhe atje gjersa vetë regjisori Kvesiq e prezanton me pak fjalë eksperiencën e tij pas 25 vjetësh rikthim në Sarajevë.

“Gjithmonë kam kaluar mirë në Sarajevë. Për fat të keq nuk kam qenë këtu për një çerek shekulli. Shumica e njerëzve me të cilët shoqërohesha janë zhdukur. Disa kanë vdekur, disa janë larguar. I vetmi që dua dhe për të cilin u ktheva në Sarajevë është Abdulah Sidran”, rrëfen Kvesiq në dokumentarin e tij, ku kryesisht shfaqet në rolin e intervistuesit. Në narracion ai e cilëson Sidran si një prej shkrimtarëve dhe akademikëve më të respektuar në Bosnje dhe tregon se skenarin e parë e ka shkruar në shtëpinë në lagjen “Kraljevec”.

Kvesiq u lind në Zagreb më 1950 dhe diplomoi në degët Sociologji dhe Filozofi në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale. Ai ka themeluar revistën rinore “Polet” në vitin 1977, për të cilën edhe flet në dokumentar. Aty kishte shërbyer si kryeredaktor i parë i saj. Të njëjtin pozicion mbajti në revistën “Pitanja” dhe në vitin 1984 themeloi revistën “Kuorum”. Ka botuar vepra të shumta në prozë dhe një sërë përmbledhjesh me poezi, si dhe disa libra me figura dhe romane për fëmijë.

Në fillim të viteve ’70, Pero Kvesiq shkroi skenarë për drama televizive, filma dokumentarë dhe seriale, si dhe filma të shkurtër të animuar. “Dum spiro spero” i Pero Kvesiq i vitit 2016 fitoi çmimin kryesor në Ditët e Filmit Kroat, çmimin “Vedran Shamanović” në Festivalin e Filmit në Pula, Çmimin për Dokumentarin më të Mirë të Mesëm në festivalin “Dei Popoli” dhe çmimin “Briri i Artë” në Festivalin e Filmit në Krakov.

Edhe vetë Kvesiq kishte banuar në atë shtëpi. Më pas e kishte blerë krejtësisht. Në dokumentar rrëfehet se kur kishte ndonjë festë aty, mblidhej gjysma e qytetit. Ishin shfaqur filma e ishin zhvilluar mbrëmje muzikore.

Secili prej atyre që kishte jetuar aty kishte bërë një karrierë. Thuhet se aty ishte luajtur muzikë gjithë kohën dhe se njerëzit që banonin ishin si bashkim i një mase kritike që krijonin gjithë kohën. Aty ishin regjistruar këngë e ishte krijuar edhe një prej radiove të asaj kohe, “Radio 101”. Me pamje dokumentohen përgatitjet e koncertet që i mbanin, shoqëruar me muzikën e tyre. Arkivi nga media paraqet edhe pamjet nga ekspozita me karikatura e artistit Igor Kordey.

Në përgjithësi, filmi dokumentar është përshkrim i personaliteteve dhe i arritjeve të atyre që kanë jetuar aty. Bashkë me peizazhin e shtëpisë dikur dhe tash. Deri në fundin e filmit, kur shpjegohet edhe historia e pronarit të parë të shtëpisë, Slobodan Praljak – filozof, sociolog, regjisor filmi dhe gjenerallejtënant i Ushtrisë Kroate dhe i Këshillit Kroat të Mbrojtjes. Në film jepen pamjet nga gjykimi i tij në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte.

Përfshihet momenti kur Praljak ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 20 vjet burgim. Megjithatë, në dokumentar nuk është përfshirë e gjithë rrjedha e gjykimit të nëntorit të vitit 2017. Menjëherë pas verdiktit ai e kishte kundërshtuar atë dhe kishte thirrur se nuk është “kriminel lufte”, e më pas do të pinte helmin -prej një shisheje. Ai vdiq atë ditë, në moshën 72-vjeçare. Kombet e Bashkuara kishin deklaruar se edhe dhoma e gjykimit ishte kthyer në skenë krimi.

“Ne nuk deshëm të shfaqnim momentin kur ai merr helmin, sepse nëse dini diçka për Praljakun, e dini pse. Do ta shihja përfshirjen e politikës si një lloj pornografie. Mendoj se nuk ke pse të tregosh çfarë ka ndodhur, veç pse janë ata gjyqtarë qesharakë që nuk dinë çfarë të bëjnë. Dihet se ai vdiq pasi e piu helmin. Deshëm ta tregonim këtë histori dhe të shkonim 40 vjet më parë se çfarë ndodhi me njerëzit që e ndërtuan shtëpinë. Kjo ka qenë ajo sesi jemi munduar ta ndërtojmë historinë”, ka thënë producenti i dokumentarit, kroati Nenad Puhovski.

Para të pranishmëve ka falënderuar “DokuFestin” që ka zgjedhur “The House in Kraljevec” për premierë botërore. Ka thënë se u ka marrë kohë realizimi i filmit për shkak të gjendjes shëndetësore të regjisorit Pero Kvesiq. Për shkak të gjendjes më të rënduar, ai edhe nuk ka mundur të marrë pjesë në premierën e filmit.

“Kjo është shfaqja e parë e filmit për audiencën. Kemi punuar në këtë film për shtatë apo tetë vjet pasi Pero është i sëmurë dhe na mori shumë kohë. Çfarëdo që është e mirë në film, meritat shkojnë për Peron. Është një rrëfim që në disa elemente mund të jetë më i madh, por varet sesi e shihni. Mendoj se është shumë e rëndësishme të na tregoni çfarë mendoni apo besoni, sepse kjo është përgjigje që vërtet na duhet”, ka thënë Puhovski, i cili edhe drejton një festival dokumentari në Kroaci – “Zagreb Dox Festival”.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, e ka vlerësuar filmin si rrëfim të veçantë, për shkak se përfshihet një periudhë e rëndësishme për kulturën e Kroacisë. “Ky është një rrëfim interesant jo vetëm për shtëpinë në përgjithësi, por më shumë. Do të thosha edhe për një pjesë të historisë së Kroacisë, për progresin e filmit, për atë çfarë ndodhi. Ne shpresuam që regjisori të jetë këtu me ne, por fatkeqësisht nuk është mirë me shëndet. Urojmë shërim të shpejtë për Pero Kvesiq, autorin, shkrimtarin, filmbërësin e dramaturgun”, ka thënë Nurkollari.

Filmi dokumentar “The house in Kaljevec” është në garë zyrtare në kategorinë kryesore të festivalit – “Balkan Dox”.

Image
Segment i ndërlidhur me këtë pjesë të historisë është edhe ndërtuesi i asaj hapësire – filozofi e regjisori Slobodan Praljak, ish-komandant ushtarak në radhët e forcave kroate, i dënuar për krime lufte. “Stacioni” i fundit i Praljak-ut ishte Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Jugosllavi