Kosova njihet si njëri ndër vendet më proamerikane dhe kjo pritet të dokumentohet edhe me filmin dokumentar “The 50th and a 1/2 State”. Në të do të përfshihen ngjarjet e rëndësishme shtetërore. Dokumentari në thelb reflekton në dashurinë dhe mirënjohjen për kontributin e shtetit amerikan për çlirimin nga dhuna serbe.
Sukseset e filmit dokumentar “The 50th and a 1/2 State” kanë filluar që para se të përfundojnë xhirimet e tij. Gjithë materiali pritet të kompletohet për dhjetë ditët e ardhshme. Tematikë e filmit dokumentar të metrazhit të gjatë është Kosova si një ndër shtetet më proamerikane. Çelës kryesor i strukturës janë elementet e dashurisë për Amerikën. Pjesë e saj janë intervistat me të rinjtë që u janë përtërirë emrat e udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara ndër vite e me prindërit e tyre. Ky admirim për tërësinë e shteteve në anën tjetër të botës lidhet më së shumti me intervenimin e Aleancës ushtarake të NATO-s në caqet serbe të vendosura në territorin e Kosovës gjatë viteve 98’ dhe 99’. Sekuencat e dokumentarit pritet të pasqyrojnë në diversitet personazhesh.
“Aty do të jenë njerëz nga shoqata ‘Miqtë e Amerikës’, është një karakter që përmes tij e tregojmë edhe migrimin pasi ai jeton në Austri, por në Kosovë ka ndërtuar një shtëpi ku e ka shkruar emrin e Donald Trumpit. Janë edhe prindërit ata që fëmijët e tyre i kanë emëruar si Clinton, Hillary e Medeline, ai i Kopshtit Zoologjik në Gjakovë që ia ka lënë ujkut emrin ‘Trump’ “, ka thënë bashkëregjisorja dhe producentja e dokumentarit, Valmira Hyseni, në një përgjigje për KOHËN. Ajo bashkë me regjisorin Zgjim Terziqi janë në drejtim të xhirimeve në këtë projekt filmik.
Në përgjithësi në dokumentar do të zënë vend njerëzit që e duan Amerikën dhe që kanë bërë gjëra interesante derisa e kanë shprehur dashurinë për të. Titulli që i është vënë ka të bëjë me 50 shtetet e Amerikës dhe Kosova që portretizohet si një gjysmë e saj.
Fondet e ndara nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë qenë të mjaftueshme, por për finalizim të projektit është mbështetur edhe nga festivali i filmit dokumentar kreativ “Make Dox”. Festivali maqedonas, që është mbajtur nga 18 deri më 25 gusht, në edicionin e 13-të të tij ka vlerësuar dokumentarin “The 50th and a 1/2 State” me çmimet “Doc Around Europe” dhe “Pitch the Doc”, që në praktikë zbatohen me financim, distribuim dhe promovim të tij. “Për ta përfunduar projektin nuk mjafton ndihma e tyre, por është e mirë pasi kur ke mbështetje nga institucionet e vendit mandej e ke më lehtë të aplikosh dhe të kërkosh fonde nga jashtë pasi i bie se të kanë besuar. E ka vlerën më të madhe logo e tyre sesa mjetet financiare në këtë rast”, është shprehur Hyseni.
Derisa ka folur për rrjedhën e xhirimeve, Hyseni ka thënë se “deri më tash është xhiruar vizita për çlirimin kur ka qenë Bill Clinton dhe Madeline Albright. Është xhiruar njëra prej festave të Pavarësisë, ku ka pasur simbole amerikane dhe janë përfunduar xhirimet me një nga karakteret”. Ajo ka treguar se sheshxhirimet janë vendosur edhe në shoqatën “Miqtë e Amerikës” gjatë kohës së zgjedhjeve elektorale në Amerikë. Ka vite që ka filluar të mblidhet materiali për dokumentarin e objekt fokusi kanë qenë ngjarjet e rëndësishme të të dy shteteve.
Dokumentari është në proces realizimi nga shtëpia filmike “Plan Bee Films” dhe pritet të jepet premierë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Pjesëmarrjen në festivalin “Make Doc” Valmira Hyseni e ka vlerësuar si krijim i lidhjeve për të siguruar premierë në një festival me renome.
dokumentar “The 50th and a 1/2 State” pas vlerësimit në “Make Doc” është ende në fazë promovimi për financim të projektit. Në këtë festival po ashtu është përkrahur po ashtu edhe filmi dokumentar “I Have Never Been on an Airplane” i regjisorit kosovar Redon Kikaj. Këto çmime vijnë në kuadër të forumit “Make CoProDox” të festivalit.