Kulturë

Kosova atraktive dhe e lirë për kineastë projektesh madhore

Kosova atraktive dhe e lirë për kineastë projektesh madhore

Marc Lorber, Emyr Glyn Rees, Grayson Stubbs, Ryan Hawkins, Julianna Politsky, Erik Pack si producentë dhe Philip Gilpin Jr. si ndërmjetësues së bashku me Kristina Culajn kanë takuar një grup producentësh të Kosovës të mërkurën mbrëma në “Kino Armatë”

Emra kineastësh që kanë punuar edhe për gjigantë si “Netflix”, kanë ardhur në Kosovë për të parë nga afër se çfarë mundësish ofron ky vend për projekte kinematografike. Ai që tërheq më shumë është çmimi i lirë – skema e rabatit është një kapitull më vete – por edhe fakti që Kosova është një lokacion i paharxhuar si shesh xhirimi. Janë kineastë me përvojë edhe në Los Angeles, i cili sipas tyre po bëhet gjithnjë e më shumë i zorshëm për realizim projektesh

Një grup filmbërësish ndërkombëtarë, kryesisht me prejardhje amerikane janë duke soditur këto ditë vendet e Ballkanit, me fokus të veçantë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë. Janë producentë filmash e përmbajtjesh të tjera audiovizuele. Interesi i tyre është që të gjejnë hapësira bashkëpunimi me produksione vendore ku përfshihen bashkëpunime me stafe e hapësira për xhirime. Por edhe ndonjë nismë lokale për realizmin e ndonjë filmi, është e mirëseardhur për ata si bashkëpunëtorë të jashtëm. Marc Lorber, Emyr Glyn Rees, Grayson Stubbs, Ryan Hawkins, Julianna Politsky, Erik Pack si producentë dhe Philip Gilpin Jr. si ndërmjetësues së bashku me Kristina Culajn kanë takuar një grup producentësh të Kosovës të mërkurën mbrëma në “Kino Armatë”. 

Philip Gilpin Jr. tash e dy vjet është vendosur në Tiranë, udhëheq me “Catalyst Story Institute USA” dhe platforma e tij shërben për krijimin e lidhjeve midis kinematografëve. Krejt në fillim të takimit ai ka shpjeguar se grupi i producentëve – ku shumica janë për herë të parë në Kosovë – po shohin mundësitë e bashkëpunimeve për projekte që kanë aktualisht dhe për ndonjë të ri. 

“Qëllimi është që të krijohen lidhje, të shikohen mundësitë e bashkëpunimit dhe t’u shpjegohet se çfarë ofron Kosova në të gjitha aspektet”, ka thënë midis të tjerash ai. Producentët vijnë kryesisht nga Los Angeles por shumica janë të shpërndarë në Britaninë e Madhe edhe në Evropë. Prej tyre kanë projekte në Greqi e Rumani si vendet më të afërta me hapësirën shqipfolëse ku kërkojnë bashkëpunime dhe mundësi të reja. Prej tyre ka aso që kanë prodhuar filma të njohur si Julianna Politsky që njihet për filmat “Dune: Part One”,  “Godzilla” e “Pacific Rim”, apo Emyr Glyn Rees, asistent i parë i regjisë në serialin e njohur të “Netflix”, “Wednesday”. Të tjerët kryesisht merren me seriale televizive dhe reklama. 

Para rreth 40 vetave, kryesisht producentë e kinematografë të tjerë vendorë ata kanë sqaruar se u duhet të dinë për kapacitetet që posedon Kosova dhe kompanitë e producentëve të këtushëm. 
“Në Los Angeles është çdo ditë e më e vështirë të realizohen përmbajtje kinematografike. Pastaj ka shumë vende që janë konsumuar shumë nga xhirimet gjë që në Ballkan dhe në Kosovë mund të jetë e kundërta. Jam vazhdimisht në kërkim të mundësive të reja dhe përse jo ideve të reja”, ka thënë Julianna Politsky. Pak a shumë të njëjtën gjë e kanë thënë edhe kolegët e saj. 

Producenti Erik Pack ka thënë se do që të dijë saktësisht për kapacitetet. 

“Ta zëmë dua të di nëse një kompani ka mundësi të angazhojë kast prej 200 vetash për një projekt”, ka thënë ai. 

Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka thënë se shteti më i ri në Evropë ka potencial të madh në kinematografi dhe krejt kjo është arritur falë vullnetit e talentit megjithëse kinematografia në Kosovë nuk është industri. 

“Ne mbështesim filmin, kemi skemën e rabatit dhe e kemi filmin interes nacional”, ka thënë midis të tjerash ajo. 

Aktori e producenti Besnik Krapi ka sqaruar se në Kosovë mundësia për të punuar është shumë e lartë, besimi është shumë i madh. Ka sqaruar se prej filmit “Shok” të nominuar për “Oscar” më 2016 deri më tash është bërë një përparim i madh dhe ka bashkëpunime të shumta. Ka numëruar disa prej tyre e po ashtu ka përmendur skemën e rabatit. 

“Është mundësi shumë e mirë. Ta zëmë nëse me dokumentacion jeni në rregull, atëherë në ditën e 15-të pas dorëzimit të dokumenteve, pjesa e kthimit të investimit ekzekutohet nga shteti. Këtë e kemi provuar vetë”, ka thënë ai. 

Skema e rabatit, ku shteti ia kthen kompanisë kinematografike 30 për qind të investimit në Kosovë, për herë të parë është provuar vitin e kaluar. Sipas Raportit vjetor të Qendrës Kinematografike të Kosovës, gjatë vitit 2025, duke shfrytëzuar rabatin, në vend kanë ardhur 1.6 milionë euro si investime të huaja. Me Rregulloren për të drejtën e rabatit të miratuar në nëntor të vitit 2024, kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre, do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit. Ta zëmë, nëse një kompani e huaj audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Kur u miratua, u reklamua si një ofertë që Kosova të bëhej destinacion produksionesh të huaja. Sipas Raportit, veç vjet, janë gjithsej 10 kontrata të nënshkruara: një serial televiziv, një film i metrazhit të gjatë, një film i metrazhit të shkurtër dhe 7 reklama televizive. Raporti nuk tregon emrat e kompanive të huaja e as për bashkëpunëtorët e tyre vendorë. Midis të pranishmëve në publik ka pasur edhe kinematografë të huaj që veprojnë në Kosovë dhe që kanë sqaruar se bëhet fjalë për një vend me profesionistë shumë miqësorë dhe me institucione miqësore. 

“Bashkëpunimi është fantastik, vihen në dispozicion hapësira. Policia është tejet bashkëpunuese e Komuna u ndihmon që të mbyllen rrugët ku ka xhirime. Këto nuk gjenden lehtë në vendet tjera”, ka thënë njëri prej tyre. Producentët vizitorë kanë sqaruar se është normale që dëshira e tyre është që të paguajnë më pak për produktet që zhvillohen në Kosovë e po ashtu hapësirat e xhirimit të jenë të mira e të papërdorura. Kanë thënë se janë të vetëdijshëm që nuk mund të kërkojnë pagesa minimale, por qëllimi është që të gjendet një mes. Sipas tyre Kosova do të vizitohet edhe nga aso që synimet i kanë të paguajnë sa më lirë. Por Rregullorja e rabatit ka disa specifika që pamundësojnë – të paktën nga ana formale – që të luhet me pagesa. Kanë thënë se Kosova aktualisht ka “Big Brother” dhe ideale do të ishte që platformat e tilla të zëvendësohen me seriale që në përmbajtje janë diçka tjetër. Philip Gilpin Jr. si ndërmjetësues ka shpjeguar se takimet me personat përgjegjës në administratë apo edhe me nivelin e lartë drejtues siç janë ministrat këtu janë pakrahasimisht më të lehta sesa në shumë shtete të tjera. Nga ajo që është parë në takim, Kosova del të jetë hapësirë interesante për producentë me goxha emër.