Copa dërrasash u hynë në punë punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës për të përforcuar karriget e sallës. Problemet ekzistojnë pothuajse në secilën radhë të sallës me 296 ulëse. Nuk bën përjashtim as lozha. Nyjat sanitare janë një problem më vete, përderisa skena e madhe është goxha e amortizuar. Pjesa e tualeteve e rrjeti elektrik nuk janë aspak më mirë.
Probleme me infrastrukturën ka edhe Baleti Kombëtar i Kosovës, institucion që funksionon po ashtu në ndërtesën e TKK-së, e cila mbrohet edhe si monument. Ministria e Kulturës rinovimin e institucionit më të lartë teatror në vend edhe sivjet e ka renditur si investim kapital në kuadër të Ligjit për ndarjet buxhetore. Janë ndarë 100 mijë euro.
Menaxhmenti i TKK-së dhe ai i BKK-së konsiderojnë se kur funksionimi i këtyre institucioneve është i pamundur shkaku i masave për pengimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, rinovimet do të duhej të bëheshin në këtë kohë, raporton KOHA.
Aktori Adrian Morina është ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të TKK-së. Ai ka thënë se në një bisedë që kanë pasur me ministren në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi, i është deklaruar se MKRS-ja do të përpiqet që të nisë procedurat për rinovimin e objektit.
“Me sa di planifikohen ndërhyrje në pjesën e tualeteve dhe gardërobave. Do të ishte mirë që të punohej në këtë kohë, sepse nuk i pengojnë provat dhe aktivitetet tona. Me këto kufizimet e fundit nuk e di nëse do të ishte e mundur të niste puna”, ka thënë ai. Sipas Morinës, në bazë të rrethanave të tanishme TKK-ja pjesën e parë të stinorit artistik pothuajse e ka të humbur. Ky institucion ka dy sezone artistike: pranverorin dhe atë vjeshtor. Kurse gjatë korrikut dhe gushtit qëndron i mbyllur.
Morina ka thënë se në këto kushte do të duhej të nisnin intervenimet dhe të vazhdonin edhe gjatë verës. Ka thënë se ndërhyrjet duhet të përfshijnë edhe pjesë të tjera të ndërtesës.
Edhe
“Oda” në kërkim të hapësirave alternative pas nisjes së rinovimit
“E kam fjalën për intervenime më të mëdha që do të përfshinin edhe skenën e madhe dhe të vogël, ndriçimin dhe pjesët e tjera të Teatrit. Dihet se në Teatër nuk është investuar kurrë”, ka thënë ai. Ujërat e zeza janë një problem më vete për institucionin më të lartë teatror në vend. “Koha Ditore” ka raportuar disa herë për këtë problem. Vitin e kaluar ka ndodhur që të ndalej edhe puna shkaku se ujërat e zeza kishin vërshuar bodrumin e institucionit. Po ashtu, janë rrezikuar sistemi elektrik e rezervuarët e ngrohjes qendrore.
“Gjithashtu edhe çështja e ujërave të zeza duhet të trajtohet dhe lidhja me Ngrohtoren e qytetit, e cila ka qenë në proces. Vullneti nga ana e MKRS-së dhe e ministres Dumoshi është që të intervenohet, ndërsa për procedurat kur dhe si nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë Morina.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.