Kulturë

Teatri Kombëtar synon organizimin e “Moisiut” pas anulimit vitin e kaluar

Teatri Kombëtar i Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës që ka barrën e mikpritjes në bazë të ciklit lëvizës të festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu”, synimet i ka që të mbahet ky edicion. Me hapësira të improvizuara – siç funksionon vetë TKK-ja prej korrikut të vitit 2022 – institucioni duket se do ta improvizojë edhe me Festivalin

Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i cili vjet ishte goditur nga greva e aktorëve dhe u anulua, tashmë i ka caktuar datat e edicionit të tretë. Prishtinës i takon nikoqirllëku i edicionit të tretë. Teatri Kombëtar i Kosovës po bën përgatitjet që prej 22 deri më 27 nëntor t’u bëjë vend dhjetë shfaqjeve nga dhjetë teatro të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës. Kjo nismë e TKK-së, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Shkup përllogaritet të ketë kosto prej 100 mijë eurosh.

Teatri Kombëtar i Kosovës planifikon që sivjet t’i bëjë nikoqirllëk festivalit të teatrit shqiptar, “Moisiu”. Ngjarja që për emër mban mbiemrin e aktorit shqiptar më të njohur në skenën teatrore evropiane, Aleksandër Moisiu, ishte paraparë që edicionin e tretë ta zhvillojë në Prishtinë qysh vitin e kaluar. Por greva e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës qe bërë arsye që edicioni të anulohet. Sivjet, institucioni më i lartë teatror në vend po bën përgatitjet që prej 22 deri më 27 nëntor të jetë nikoqir i dhjetë shfaqjeve nga dhjetë teatro të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës. 

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe Salla e Kuqe po ashtu në këtë kompleks do të bëhen gati për edicionin e sivjetmë të nismës së tre teatrove kryesore në hapësirat shqiptare, festivalin “Moisiu”. Pa pasur ende program final, Teatri Kombëtar i Kosovës që ka barrën e mikpritjes në bazë të ciklit lëvizës të Festivalit, synimet i ka që të mbahet ky edicion. Me hapësira të improvizuara – siç funksionon vetë TKK-ja prej korrikut të vitit 2022 – institucioni duket se do ta improvizojë edhe me Festivalin. 

“Janë dhjetë shfaqje nga dhjetë teatro. Programi është në përfundim e sipër dhe mund të them se drafti final është konkretizuar. Janë tri shfaqje nga Kosova, tri nga Shqipëria, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kosova Lindore”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti.

Realizmi i këtij festivali – nismë e TKK-së, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Shkup – përllogaritet të ketë kosto prej 100 mijë eurosh. Vjet kur u anulua, këto 100 mijë euro qenë përdorur për të paguar obligime të institucioneve të tjera kulturore nga Ministria e Kulturës. 

“Sivjet bëhet mbyllja e qarkut të parë të rrotacionit”, ka thënë drejtori Sheremeti. Për herë të parë Festivali qe mbajtur në Shkup më 2022, më pas në Tiranë më 2023 dhe tash e dy vjet është radha e Prishtinës. 

Sheremeti ka sqaruar se çdo ditë do të jepen nga dy shfaqje, një në Amfiteatër dhe një tjetër në Sallën e Kuqe. Festivali pritet t’i ketë rreth 500 mysafirë. 

“Të gjitha shfaqjet duhet të jenë të prodhuara nga fundi i edicionit të kaluar e deri më tash”, ka thënë drejtori Sheremeti. Sipas tij,  qëllimi kryesor i Festivalit është që nëpërmjet tij të krijohet një platformë e bashkëpunimit. 

“Nga themelimi më 2022 është bërë një numër i madh i bashkëprodhimeve teatrore pikërisht për shkak se njerëzit janë takuar në këtë platformë. Është njohja e njëri-tjetrit dhe krijimi i një tregu të përbashkët teatror shqiptar”, ka thënë ai. 

Vjet kur në prag të festivalit u shpall greva nga Shoqata Sindikale e Aktorëve të TKK-së u pamundësua edhe premiera e shfaqjes “Emira” nën regji të Kushtrim Bekteshit. Ky produksion i përbashkët i tri teatrove nuk është luajtur kurrë. Por duket se s’do të jetë në skenë as sivjet. Drejtori i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, nuk e ka komentuar këtë pjesë, me arsyetimin se bëhet fjalë për një rrethanë me ekip nga vende të ndryshme dhe me shumë specifika. 

Hyrja në grevë e aktorëve të Teatrit Kombëtar e Kosovës në mesin e nëntorit të vitit të kaluar “penalizoi” së pari Festivalin. Menjëherë më pas organizatorët e Festivalit, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Shqiptar i Maqedonisë bënë të ditur anulimin. 

“Duke pasur parasysh rëndësinë e festivalit të teatrit shqiptar ‘Moisiu’ si një platformë për krijimin e rrethanave për bashkim dhe bashkëpunim të artistëve teatror shqiptar nga të tri shtetet, por njëkohësisht duke parë edhe pamundësinë e organizimit të denjë dhe festiv të edicionit të tretë të këtij festivali në Prishtinë nga 20-27 nëntor 2024, pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së, marrin vendim që: Edicioni i 3-të i Festivalit ‘Moisiu’ në Prishtinë anulohet dhe nuk do të mbahet siç ishte paralajmëruar”, shkruhej në njoftim. 

Azhur këtij njoftimi i kishte qëndruar Ministria e Kulturës. E kishte shpërndarë atë me “dëshpërim të thellë”. 

“Me dëshpërim të thellë ju njoftojmë që festivali i teatrit shqiptar ‘Moisiu’, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 nëntor, do të anulohet për shkak të grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, kishte shkruar stafi i MKRS-së në rrjete sociale. Ky institucion kishte thënë se respekton plotësisht të drejtën e organizimit sindikal. Por fajin ua kishte ngarkuar aktorëve të TKK-së. 

“Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin ‘Moisiu’, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga Sindikata. Andaj, në konsultim me Tiranën e Shkupin, përkundër përfundimit të të gjitha përgatitjeve programore dhe logjistike, jemi të detyruar të anulojmë festivalin për të cilin u bënë shumë sakrifica që të arrinte në edicionin e tretë”, shkruhej në njoftim. 

Menjëherë pas këtyre njoftimeve do të reagonte edhe Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së. Kishte thënë se vendimi i ka “pikëlluar pa masë”. Kishin shkruar se ky vendim i gjen në muajin e dytë të veprimeve sindikale, të nisura nga data 9 shtator dhe të përshkallëzuar në grevë të përgjithshme nga 15 nëntori.  

“Pa vullnetin tonë, por si rezultat i mosveprimit dhe heshtjes karshi kërkesave tona. Konsiderojmë se indiferenca e këtillë është tregues i mungesës së njohjes dhe ndjeshmërisë së përfaqësuesve institucionalë për punën e artistëve e artisteve të teatrit, e cila është reflektuar edhe në mosveprimet e tyre karshi përpjekjeve tona për të gjetur zgjidhje e ofruar ndihmën tonë për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave tash e më shumë se një vit dhe tash e më shumë se dy muaj, pra nga 9 shtatori i këtij viti kur njëlloj si opinionin publik e komunitetin artistik, i kemi njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës për veprimet tona sindikale, kohështrirjen e tyre dhe nivelet e përshkallëzimit të tyre”, shkruhet në reagim. Aty sqarohej se në një takim të SHSATKK-së me përfaqësues të kabinetit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesve të SHSATKK-së tërthorazi “u është drejtuar një kërkesë paradoksale, që festivali të mbahet edhe pa praninë e aktorëve dhe shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës”. 

Greva që zgjati deri në shkurt të këtij viti nuk nxjerri gjë në dritë. Kërkoi trajtim më i mirë i aktorëve të TKK-së sa u përket koeficienteve të pagës. Shoqata do të njoftonte se do ta pezullonte grevën pasi kishin marrë një zotim nga kabineti i ministrit të Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku. Prej atëherë, MKRS-ja s’ka bërë gjë për pagat.