Skena është gati, përgatitjet po ashtu, e sonte pritet hapja e portave dhe ndezja e spektaklit. Dua Lipa është ylli i natës së parë të “Sunny Hill Festival”, për t’ua lënë vendin yjeve të tjerë në tri netët e radhës. “Fryma” e krijuar bashkë me shpjegimet e organizatorëve, japin gjasa reale për një përjetim unik në “Gërmi” të Prishtinës. Njëzet mijë veta për çdo natë, janë përllogaritjet paraprake
Qyteti tashmë është “veshur” me festivalin më të madh jo vetëm në Kosovë, “Sunny Hill”. Nëpërmjet një ecjeje të shpejtë në zonën e parë të kryeqytetit, vërehet fryma e një alamet ngjarjeje. E me pak koncentrim shihet interesimi masiv për të qenë pjesë e maratonës katërditore.
Përtej posterëve, në bulevardin qendror, sa vjen e rritet radha e njerëzve, që presin për t’i shndërruar biletat në shirit dore në mënyrë që të kalojnë portat e festivalit.
Hyrja është krejt afër pishinës së “Gërmisë”. Prej aty e deri te skena kryesore, hapësira është shndërruar në një ambient të hapur koncertesh. Maratona fillon prej orës 12:00, kur edhe është koha e hapjes së portave. Përtej mungesës dyvjeçare të “Sunny Hill Festival” shkaku i pandemisë, “fryma” e krijuar bashkë me shpjegimet e organizatorëve, japin gjasa reale për një përjetim unik në Prishtinë. Hapësira që të mërkurën pasdite ka qenë duke u rregulluar në detaje, nuk lë gjë mangët prej festivaleve botërore, përfshirë ato, që janë ikonë. Edhe performancat pritet të jenë të tilla.
Kjo, pasi qysh në natën e parë të festivalit, sonte (e enjte) të pranishmit do të ndjekin një prej këngëtarëve, që sot hyn në listën e artistëve, që nuk mund t’u përgjigjet krejt ftesave, që merr nga të katër anët e botës.
Dua Lipa veç në harkun kohor prej dhjetë ditësh bashkë me Prishtinën do të numërojë pesë koncerte me mijëra njerëz përballë. Në ditën e 25-të të korrikut ka qenë në Montreal, dy ditë më pas në Toronto, ka vazhduar me 28 korrik në Chicago për t’u kthyer në ditën e fundit të muajit në Montreal. Pamjet prej atje janë të një ylli të popit, që është në kulmin e karrierës.
E prej kontinentit, që me Evropën e ndan Atlantiku ka udhëtuar drejt vendit të origjinës, në Prishtinë. Më pas do të jetë në Budapest e Sao Paolo, për të vazhduar në Argjentinë e në Kili.
Në Prishtinë festa e “Sunny Hill” nis fill pas hyrjes në atë që është “Chill zone”. Ata, që duan ta kapin krejt magjinë e festivalit mund të stacionohen aty, menjëherë pas mesditës. Muzika nuk do të mungojë. Për meraklinj të tillë skena e vogël do të jetë intro. Ajo hapësirë është adaptuar njëkohësisht me pjesën e skenës së madhe.
“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Jemi shumë afër. Këto janë përgatitjet e fundit. Skena është kryer e skena e vogël është duke u montuar. Pjesët tjera janë pothuajse gati”, ka thënë pasditen e së mërkurës Fat Gjakova, i cili është pjesë e stafit organizativ të “Sunny Hill Festival”.
Sivjet kapaciteti, që lejon hapësira është dashur të përshtatet edhe me numrin e biletave në dispozicion. Bazuar në biletat e shitura bashkë me të ftuarit, pritet që rreth 20 mijë të jenë të pranishëm çdo mbrëmje. Për katër ditë Festivali do të frekuentohet nga rreth 80 mijë veta.
“Prej mesditës hapen dyert dhe bëhet ‘check in’ në fillim afër pishinës. Pastaj është pjesa e ‘Chill zone’ ku ka ushqim, pije e përformanca të ndryshme në skenën e asaj pjese”, ka treguar Gjakova derisa e ka lënë pak punën për të folur për KOHËN. Pjesa e njohur si “Chill zone” është rregulluar duke u bërë shumëngjyrëshe. Këndet e punuara enkas për çlodhje janë pjesë e mozaikut të hapësirës. Në mbrëmje do të hapen portat e pjesës së skenës së madhe kur edhe do të përformojnë artistët lokalë e rajonalë. Midis të tjerëve në natën e parë do të interpretojë edhe Elvana Gjata.
“Sugjeroj që krejt të vijnë sa më herët, në mënyrë që të mund ta përjetojnë krejt atmosferën e festivalit”, ka thënë Gjakova. Dalja e Dua Lipës në skenë do të jetë edhe pjesa më magjike e mbrëmjes, por edhe e krejt festivalit. Ende nuk dihet saktë se kur ylli i popit do ta dridhë skenën.
“Mendoj që atmosfera do të jetë shumë e mirë. Çdo vit po mundohemi të jemi më kualitativ dhe mendoj që atmosfera do të jetë fenomenale”, ka treguar Gjakova.
Skena e madhe është prej atyre gjiganteve të lejuara brenda hapësirës. Dimensionet shkojnë në 30 me 20 metra, kurse lartësia prek pesëmetërshin.
“Është skenë, që akomodon artistë të njohur botërorë. Kualiteti është sikurse në koncerte të mëdha në botë”, ka thënë ai.
Por, krejt kjo ngjarje për pak sa nuk i ka dalë Prishtinës nga “dora”. Në qershorin e sivjetëm, kur interesimi i publikut kishte arritur kulmin duke u shitur biletat në numra rekord, institucionet shtetërore nuk ishin marrë vesh me organizatorët dhe Festivali paralajmëroi zhvendosjen në Tiranë.
Pas presionit të madh publik gjashtë ditë më pas u bë e ditur se është gjetur gjuhë e përbashkët me Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës.
Të tria palët për gati një javë kanë pasur akuza për njëra-tjetrën. E më pas u lajmërua se Tirana do të jetë nikoqire, por nëpërmjet një edicioni të veçantë me një “line-up” tjetër dhe do të mbahet më 26, 27 dhe 28 gusht. Historia paraprake e zhvendosjes sipas Komunës së Prishtinës ishte rezultat i zvarritjeve të Qeverisë. Organizatorët kishin folur për politizim të procesit. Me 10 maj në Kuvendin Komunal ishte votuar pro ndarjes së parcelës prej 17 hektarëve për Festivalin në fshatin Bërrnicë e Poshtme. Por, Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal kishte kërkuar dokumente shtesë. Po ashtu ishte kërkuar që të rinegociohet periudha e shfrytëzimit prej 99 vjetësh. Qeveria e kishte pranuar publikisht se periudha e shfrytëzimit duhej të negociohej më shumë.
Më të zëshmit kundër marrëveshjes së Komunës me “Sunny Hill Festival” kanë qenë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëheq me Qeverinë. Por më në fund u bë zgjidhja, që edhe sivjet festivali të mbahej aty ku edhe nisi në “Gërmi” me gjithë reagimet e shoqatave, që merren me ambientin.
Në dy edicionet e para, më 2018 dhe 2019 “Sunny Hill Festival” kishte sjellë emra të mëdhenj të botës në muzikë, me në krye Dua Lipën. Numri i atyre që merrnin pjesë në koncerte shkonte mbi 15 mijë çdo natë dhe “Gërmia” qe bërë vend, që nuk akomodonte publikun e interesuar për Festival. Qysh në edicionin e parë festivali ia ka dalë që të jetë në fokus të mediave ndërkombëtare. Edhe sivjet do të jetë ashtu. Tashmë veç gjenden në Prishtinë, gazetarë të huaj enkas për këtë Festival.
J Balvin, Skepto e Diplo janë prej yjeve ndërkombëtare, që do të jenë në Festival krahas emrave të tjetër ndërkombëtarë e atyre vendorë dhe rajonalë.
Organizatorët janë në punë e sipër që gjithçka të jetë sa më në vijë.
“Sivjet blerjet do të mund të bëhen nëpërmjet kuletës digjitale. Skanohet kodi, që bartet në dorë dhe bëhen pagesat për ushqim e pije. Për këtë duhet shkarkuar një aplikacion dhe kuleta digjitale mbushet nëpërmjet transferit apo pikave tona”, ka shpjeguar Fat Gjakova, i cili është tejet entuziast për edicionin e sivjetëm.
Qyteti është mobilizuar duke e ndaluar qarkullimin e veturave civile afër parkut të “Gërmisë” e nëpër park. Transporti publik do të jetë në dispozicion të atyre, që ia mësyjnë Festivalit. Ambienti unik bashkë me emrat, që koncertojnë anë e mbanë botës, për katër ditë do ta bëjnë Prishtinën të frymojë si qendër e ngjarjeve të mëdha. E trashëgimia e krejt kësaj nuk do të mund të numërohet me ditë.