Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Street Art Peja” synon ta ndryshojë imazhin e qytetit

Pejë, 5 tetor – Muret me fasada të vjetruara në objekte të ndryshme publike janë në fokus të artistëve të rinj të Pejës, të cilët me projektin e artit të rrugës “Street Art Peja” të Qendrës Rinore Inovative në Pejë, kanë për synim të përmirësojnë pamjen e tyre. Muralet janë “arma” e tyre.

Me këtë projekt që po realizohet për herë të dytë, Vullnet Gusia, drejtor ekzekutiv i Qendrës Rinore Inovative, thotë se synojnë t’u japin tjetër pamje hapësirave publike të qytetit dhe njëkohësisht të promovohet arti tek të rinjtë, sikurse dhe të krijojnë hapësirë për talentët. Pjesëmarrësit që punojnë në këtë aktivitet, sipas Gusisë, jenë vullnetarë të kësaj qendre, artistë të ftuar dhe studentë të shkollës së mesme të arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë.

“Kjo qendër rinore që funksionon në kuadër të Sektorit të Rinisë në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, organizon për herë të dytë aktivitetin ‘Street Art Peja’. Sivjet i kemi në fokus muralet. Është projekt i qendrës dhe është edicioni i dytë, dhe në këtë projekt e kemi mbështetjen e Komunës dhe të bankës ‘Raiffeisen’”, ka thënë Gusia.

Për këtë, siç thotë Gusia, fillimisht është bërë një thirrje së cilës i janë përgjigjur kryesisht nxënës të kësaj shkolle të artit dhe vullnetarë të qendrës.

“Duam t’u japim mundësinë të rinjve që ta promovojnë talentin dhe punën e tyre në këtë aktivitet, në të cilin është paraparë punimi i muraleve në tri lokacione”, tregon Gusia. Deri më tash, me “Street Art Peja”, që zyrtarisht ka nisur të premten e kaluar, ka marrë formë vetëm njëri mural.

Dy murale do të punohen nga nxënësit e Shkollës së Arteve dhe nga artistët vullnetarë të kësaj qendre, kurse një mural do të punohet nga artistë të ftuar (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).