Valset i kishte hite nga Rusia deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe adhurueset e tij mahniteshin prej performancave. Sidoqoftë, kishte edhe një anë të errët të Johann Straussit, i cili po manifestohet në një seri performancash në Vjenë. Edhe sot, valset e Straussit vazhdojnë të interpretohen në Koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Filharmonike të Vjenës. Nëntëdhjetë stacione televizive publike transmetojnë koncertet në mbarë botën
Gaby Reucher
Edhe sot e kësaj dite, Johann Strauss II njihet në mbarë botën si “Mbreti i valsit”. Madje edhe në shekullin e 19-të, muzika e vallëzimit që bënte ai në metrikën muzikore treçerek i çmendte turmat dhe i fitonte zemrat e grave në gjithë globin.
Johann Strauss ishte një “pop yll” i kohës së tij, që tërhiqte turma të mëdha të të rinjve dhe mbushte sallat e vallëzimit. Ky violinist dhe kompozitor ka performuar për familjen e Carit në Rusi dhe madje ka realizuar edhe një turne në Shtetet e Bashkuara. Me violinë në dorë, ai elektrizonte publikun dhe kishte madje edhe produkte të tij të veçanta, si aksesorë dhe suvenire.
Ka kompozuar valsin e famshëm “The Blue Danube” për Panairin Botëror të Parisit më 1867. Famën e madhe botërore e kishte fituar më 1872 me anë të performancës së tij në festivalin Jubileu për Paqe Botërore në Boston. Në atë koncert ka dirigjuar një orkestër prej 20 mijë muzikantësh para një audience prej 100 mijë pjesëmarrësish. Për ta arritur këtë, Strauss kishte marrë edhe ndihmën e 20 dirigjentëve të tjerë.
Edhe pas 200 vjetësh të lindjes së tij, kompozitori akoma e magjeps qytetin e Vjenës. Një numër i madh ngjarjesh janë organizuar në nderim të 200-vjetorit të lindjes, përfshirë premierën e një baleti me të njëjtin emër nga regjisori e koreografi Roland Petit të mërkurën e 18 nëntorit në Operën Shtetërore të Vjenës, si dhe disa ekspozita në fund të koncertit sezonal të operetës së tij “Die Fledermaus” në Operën Shtetërore të Vjenës.
Humbja e ndjenjave në skenë dhe izolimi
Me ndihmën e familjes së tij, kompozitori vjenez Johann Strauss ka ndërtuar një perandori të stërmadhe argëtimi.
“Strauss ka ndjekur karrierën dhe veprën e tij jetësore me pasion të jashtëzakonshëm, duke kompozuar edhe vonë gjatë natës”, ka shpjeguar Marko Deisinger, asistent hulumtimi në Departamentin e Muzikës të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë.
Për ta kremtuar ditëlindjen e 200-të të kompozitorit, Deisinger ka dhënë ndihmë për ta organizuar ekspozitën “Vocation: Superstar (Profesioni: Superyll)”, e cila përmban edhe letra dhe fotografi të kompozitorit.

Presioni për të performuar dhe netët e gjata kishin pasur efekt negativ te Straussi. Shpesh i humbte ndjenjat në skenë dhe izolohej për ditë të tëra.
“‘Nervave të tij të tensionuara’ u është referuar edhe një artikull gazete. Vëllai i tij shpesh e zëvendësonte në koncertet që ai duhej t’i drejtonte”, ka thënë Deisinger.
Nën hijen e të atit
Numri i përpjekjeve që Johann Strauss II duhej të bënte për ta fituar vendin e tij në botën e muzikës ishte i jashtëzakonshëm. Ai lindi më 25 tetor 1825 në Vjenë, nga prindër që pak më vonë do t’i divorcoheshin. Babai i tij, Johann Strauss (Senior), ishte dirigjent dhe kompozitor i shquar i muzikës së lehtë vjeneze, duke përfshirë zhanre si vals, polka dhe galop, mes të cilave veçohet vepra e tij e famshme, “Radetzky Marsch”.
Si i ri, Strauss qëndronte në hije të të atit, i cili nuk donte që djali të ndiqte karrierë në muzikë dhe ia ndaloi të performonte. Pas vdekjes së babait më 1845, Johann Strauss II gradualisht arriti të bëjë emër në skenën muzikore të Vjenës. Në këtë rrugë, e ëma merrej me çështjet e biznesit, ndërsa vëllezërit e tij, Josefi dhe Eduardi, ishin gjithashtu të përfshirë në aktivitetet muzikore të familjes.
Mbështetja për revolucion
“Ai kishte një sens të hollë për të kultivuar marrëdhënie profesionale dhe shoqërore, gjë që në fund ia solli suksesin. Shtëpia e tij ishte një vendtakim për figurat e shquara të botës së kulturës”, ka thënë kuratori Marko Deisinger.
Strauss ishte po aq i afërt me Richard Wagnerin sa edhe me kundërshtarin muzikor të Wagnerit, Johannes Brahms, i cili kishte lidhje të mira me botuesit muzikorë.

E vetmja gjë që ia ngadalësoi pak karrierën Straussit ishin dy valset e tij, “Freiheitslieder” (Këngët e Lirisë) dhe “Revolutionsmarsch”, homazhi i tij për Revolucionin e Marsit të 1848-s.
“Atëherë i ra pak reputacioni në oborret ku performonte”, ka thënë Deisinger. Mendohet se për këtë arsye u refuzuan dy aplikimet e tij të para për postin e rëndësishëm të drejtorit të Sallave Mbretërore të Vjenës. Ai u pranua vetëm në vitin 1863.
Turbullime të brendshme dhe luhatjet në humor
Derisa Johann Strauss gëzonte sukses të madh në Evropë, Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai vuante gjithashtu nga dyshimet në vetvete dhe komplekset e inferioritetit. Kjo duket qartë në letrat drejtuar grave të tij. Kompozitori qe martuar gjithsej tri herë. Disa nga këto letra ruhen në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare të Austrisë.
Një nga momentet më interesante është një letër nga viti 1882, drejtuar gruas së tij të dytë, Angelika, e njohur si Lili.
“Letra është e paplotë, por brenda saj zbuluam një karikaturë ku e kishte vizatuar veten, letër e cila më parë ishte e panjohur”, ka shpjeguar Deisinger. Strauss e kishte vizatuar veten duke qarë; gruaja e tij donte ta linte dhe më në fund e kishte lënë.

“Vizatimi tregon gjendjen e tij shpirtërore, ai duket i trishtuar, nuk ka veshur pantallona dhe shihen këmbët e tij të holla dhe kockore”, ka përshkruar kuratori. Ai shpjegon se ky vetëpërshkrim i prekshëm lidhet me humbjen e kontrollit, plagosjen e mashkullores dhe dëshirën e kompozitorit për të qenë i dashur.
Strauss kishte shkruar letra të ngjashme edhe për të dashurën e tij të mëparshme, Olga Smirnitskaya. Nga viti 1856 e tutje, ai udhëtonte për shumë vjet në Pavlovsk, pranë Shën Petersburgut, për të luajtur për Carin dhe aristokracinë ruse. Atje e kishte takuar Olgën.
“Në letra mund të vërehet një ndryshim i shpejtë i humorit, se si kalon nga një emocion në tjetrin”, ka shpjeguar Deisinger. Strauss kishte treguar histori tragjike dashurie përmes valsit të tij emocionues “Reiseabenteuer” (Aventura e udhëtimit).
Valset e përdorura nga nazistët
Deri në vitin 1870, Johann Strauss kishte shkruar muzikë popullore vallëzimi si vals dhe polka, më pas ishte përqendruar më shumë në skenë dhe kishte kompozuar opereta të njohura si “Die Fledermaus” (Lakuriqi), “Der Zigeunerbaron” (Baroni Cigan) dhe “Eine Nacht in Venedig” (Një natë në Venedik). Megjithatë, opera e tij e vetme, “Ritter Pasman” (Kalorësi Pasman), nuk kishte pasur sukses.
Nazistët përdornin valset e tij për propagandë politike si valle tradicionale gjermane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, valset e gëzueshme të Johann Straussit kanë shërbyer si shpërqendrim nga tmerret e luftës. Për këtë arsye, ministri nazist i propagandës, Joseph Goebbels, ka falsifikuar dokumente që përmendnin origjinën hebraike të Straussit dhe ka fshirë hyrjet përkatëse.
Edhe sot, valset e Straussit vazhdojnë të interpretohen në Koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Filharmonike të Vjenës. Nëntëdhjetë stacione televizive publike transmetojnë koncertet në mbarë botën. Mund të dëgjohen në Evropë, Japoni, Kinë dhe SHBA, si dhe në Brazil, ishujt Karaibe dhe Kenia.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Sinan Berisha