Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Stefan Çapaliku prezantohet në “Historinë e letërsisë evropiane”

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, i autorit Stefan Çapaliku, është përfshirë në librin “Lettres européennes: Histoire de la littérature européenne”, parathënien e të cilit e ka shkruar shkrimtarja nobeliste Olga Tokarczuk.

Romani i Çapalikut, i përkthyer tashmë në disa gjuhë, është vlerësuar si një libër që prezanton në mënyrë të veçantë shoqërinë shqiptare në diktaturë dhe demokraci, dhe si një vepër me model të ri të shkrimit.

“Oraliteti, si dhe hibridizimi i zhanreve letrare e i arteve, që ky kërkon dhe ia paraqet publikut, është gjithkund, absolutisht gjithkund, marka e krijimit të sotëm. ‘Secili çmendet simbas mënyrës së vet’, ky është titulli që më 2016 ia jep triptikut të vet romancieri shqiptar Stefan Çapaliku. Dhe çmenduria sot përhapet te shkrimtarët, të cilët ngjiten në skenë dhe rikthejnë traditën mijëravjeçare të bakanteve, të rapsodit, të bardit, të trubadurit, të DJ-t, nëpërmes slamit, repit apo hip-hopit”, shkruan në “Lettres europennes”, CNRS Editions, faqe 1004, Paris, 2021.

Ndryshe, javën e kaluar Çapaliku në Prishtinë përuroi veprën e re, “Tregimet e tranzicionit”, me të cilën nëpërmjet rrëfimeve të lehta shoshit deri në aspekte filozofike problemet e shoqërisë shqiptare. Ata që duan rrëfim me humor e kanë aty, njëjtë si ata që duan përshkrim historik e deri tek ata që thellohen në trajtim filozofik të fakteve e përjetimeve. “Te vepra e re tregohet se nuk mund të çlirohemi lehtë nga diktatura. Dikush ka thënë se shkëputja nga diktatura do të zgjasë aq sa ka zgjatur diktatura”, kishte shkruar shkrimtari Ag Apolloni për “Tregimet...” e Çapalikut.

Image
Artikuj të ngjashëm