Kulturë

“Tregimet e tranzicionit” me shqiptarët e paçliruar nga diktatura

Nëpërmjet rrëfimeve të lehta, Stefan Çapaliku shoshit deri në aspekte filozofike problemet e shoqërisë shqiptare. Ata që duan rrëfim me humor e kanë aty, njëjtë si ata që duan përshkrim historik e deri te ata që thellohen në trajtim filozofik të fakteve e përjetimeve. “Te vepra e re tregohet se nuk mund të çlirohemi lehtë nga diktatura. Dikush ka thënë se shkëputja nga diktatura do të zgjasë aq sa ka zgjatur diktatura”, ka thënë për shkrimtarin Ag Apolloni për “Tregimet e tranzicionit” të Çapalikut

Stefan Çapaliku nuk mund të jetë indiferent ndaj kohës në të cilën jeton. Kjo tashmë është e ditur. Dramaturgu shkodran ka kohë që ka nisur t’i bëjë bashkë realen dhe imagjinaren për t’i sjellë letërsisë vepra që kanë edhe dozë dokumentare për realitetin e Shqipërisë në periudha të ndryshme.

“Tregimet e tranzicionit” është vepra të cilën të mërkurën e ka promovuar në Prishtinë. Në 180 faqe janë përmbledhur tregime të cilat e shëtisin lexuesin nëpër tranzicionin postkomunist shqiptar. Por në librin që autori e ka ndarë në tri pjesë, postkomunizmi del të jetë nocion që shpesh nuk mund të përdoret, pasi ndikimi komunist vazhdon të jetë i pranishëm. Për ata që kanë lexuar vëllimet e “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” që përthekojnë kohën prej vitit 1967 deri më 1997, vepra e re është e njëjta linjë rrëfimi: përshkrime, vaki, ironi, periodizim e çka jo tjetër. Nëpërmjet rrëfimeve të lehta, Çapaliku, që njihet edhe si dramaturg e ligjërues universitar, shoshit deri në aspekte filozofike problemet e shoqërisë shqiptare. Ata që duan rrëfim me humor e kanë aty, njëjtë si ata që duan përshkrim historik e deri te ata që thellohen në trajtim filozofik të fakteve e përjetimeve.

Për librin, redaktimi i të cilit është bërë nga Olimpia Kakarriqi, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka folur shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni.

Ai ka thënë se Çapaliku është bashkëkohor, duke u mbështetur në atë që shkrimtari në këtë rast ka guximin që ta shohë me sy terrin e epokës së tij. Apolloni ka thënë se te “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, Çapaliku e trajton pikërisht këtë terr nga një perspektivë e çmendurisë dhe e humorit si një mburojë dhe një temë që nuk është e lehtë të trajtohet.

“Te vepra e re tregohet se nuk mund të çlirohemi lehtë nga diktatura. Dikush ka thënë se shkëputja nga diktatura do të zgjasë aq sa ka zgjatur diktatura”, ka thënë Apolloni. Derisa ka folur për tri pjesët e veprës, ai ka thënë se te “Libri i ëndërrimeve” tregimet variojnë nëpër tema që e trajtojnë komunizmin si pasojë e herë-herë si reminishencë pa e lidhur domosdoshmërisht me pasoja.

“Ajo çka i bën të veçanta këto tregime është një stil eliptik dhe ironik, sarkastik e parodik. Luan me sistemin komunist, por nga epoka e tranzicionit”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, duke i shkruar këto tregime me një bosht tematik, shkrimtari mund të na ofronte një roman me tregime.

“Qëllimshëm këtë e ka specifikuar si zhanër me tregime. Disa prej tyre janë mjaft reflektuese, mjaft filozofike për problemet që trajtohen edhe kur diskursi është ironizues e parodizues. Përtej humorit kanë një seriozitet në trajtim”, ka thënë Apolloni.

Vetë shkrimtari ka thënë se ideja e promovimeve ka ardhur nga nevoja për të parë sy me sy me lexuesin.

Ka treguar se nuk bën letërsi elitare dhe nuk dëshiron të krijojë në atë stil. “Dua të bëj letërsi për të gjithë”, ka thënë ai. Është i bindur se letërsia është politike. Për ta shpjeguar këtë, ka thënë se letërsinë e sheh duke lundruar në dy skaje.

“Njëra është e frymëzuar nga Schopenhaueri, i cili thotë se të gjitha artet do të shkojnë nga muzika. Kështu thotë pasi do ta shkarkojë artin nga përmbajtja”, ka thënë ai, duke iu referuar filozofit gjerman, Arthur Schopenhauer. Më pas ka sqaruar se Arthur Schopenhauer e ka shikuar përmbajtjen si një barrë që nuk ka përse ta bartë artisti në shpinë. Ka thënë se në një koncert simfonik askush nuk pyet se çfarë ka dashur të thotë kompozitori.

“Ai nuk ka dashur të thotë asgjë. Ai thjesht ka shkruar muzikën dhe ka përcjellë te ne disa emocione të cilat ne mund t’i kthejmë në përmbajtje. Poezia është duke shkuar kah muzika”, ka thënë Çapaliku.

Kur ka folur për skajin tjetër, ka thënë se bëhet fjalë për letërsinë politike apo letërsinë me përmbajtje.

“Letërsia me prapavije politike është një letërsi që mund të jetë shumë revolucionare në përmbajtje estetike, nëse respektojmë parimin se përmbajtjet e reja na çojnë te format e reja e jo anasjelltas”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se përmbajtja e re të informon me problematika formale të reja, të cilat i kapërcen ose jo. Nëse nuk i kapërcen, nuk je shkrimtar. Ose je shkrimtar, por nuk je për këtë sezon”, ka thënë ai.

Për veprën e tij të re, ka thënë se tregimet janë shkruar në një kohë gati 25-vjeçare, duke e përshkruar veten si person të tranzicionit.

“Po flasim për një tranzicion politik që ka nisur në momentin që ka nisur kur ka ra komunizmi më 1991 dhe është thënë se do të përfundojë kur të hyjmë në Evropë. Mirëpo finaliteti nuk po vjen. Fakti që nuk po vjen të futë në një letërsi absurde ku pritet për Godonë”, ka thënë ai. Sipas tij, në këtë proces krejt ngjarja është pritja ose asgjëja. E pas kësaj ka thënë se në këtë kuptim njerëzit kanë dëshpërim historik.

“Një shkrimtar nuk mund të rrijë indiferent e të thotë ‘nuk isha këtu kur ndodhi kjo’. Duhet dëshmuar kohën tonë. Dhe unë këtë po e bëj. Jam i kënaqur me veten që e kam dëshmuar kohën time”, ka thënë Çapaliku.