Kulturë

“Sorrë” me portrete grash, që dalin prej mureve në thirrjen për barazi

Krrokama e sorrës është zanafilla. Nuk vjen si ogurzezë, por personifikon zërin e gruas. Artistja malaziase, Milena Joviqeviq, ka pushtuar muret e “Arkivit” të Pejës, dikur objekt-shkollë, me portrete grash të shquara. Fshihen nëpër fasadat e rrjepura sikur synojnë të dalin prej aty. Portrete ka edhe në dysheme. Kornizat pa portrete kanë një tjetër kuptim dhe e përbashkëta e tyre është thirrja për barazi

Janë përplot figura grash brenda një objekti. Por, jo lehtë eksplorohet nëpër to. Shenjat e tyre janë shpesh një lloj mozaiku që do kohë të zbulohet. Instituti i artit bashkëkohor “Arkiv” në Pejë ka qenë strehë e tyre në kuadër të ekspozitës “Sorrë” të artistes malaziase Milena Joviqeviq, që jo pak rebelohet për dallimet gjinore.

Pak të dukshme janë krejt elementet e ekspozitës, por me mesazh goxha domethënës e të fuqishëm. Shumica gjenden në muret e rrjepura të objektit që deri më tash ka shërbyer si shkollë fillore. Jo rastësisht vjen me simbolikën se kontributi i gruas qëndron nën hijen e burrave dhe duhet gjurmuar goxha për ta zbuluar.

Ekspozita “Sorrë” proteston për gruan që në hyrje të objektit. Në njërin cep në pllakat me ngjyrë hiri fotografia pa ngjyra vështirë dallohet. Ishte vetë autorja e ekspozitës që prin dhe bëhet cicerone në ekspozitë. Por, jo veç aty. Krejt hapësira e asaj që tashmë shërben si institut i artit bashkëkohor “Arkiv” ka qenë jashtëzakonisht e madhe për copëzat e fotografive dhe jo vetëm. Natyrisht se edhe në ekspozitë ka qenë vështirë e dukshme, kështu që autorja e saj, Milena Joviqeviq, bëhet cicerone. Me këtë rrugë ua ka bërë të dukshme figurën historike të gruas së Kosovës.

Image
Milena Joviqeviq: “Hymë në këtë shkollë dhe pamë se ka një rend të figurave të rëndësishme të Kosovës, të historisë së saj, pra figura të shquara. Vetëm dy nga to ishin gra: Nënë Tereza dhe Elena Gjika. Mendova se kjo nuk është e drejtë...”

Joviqeviq, ndër të tjera, i ka bërë një me dyshemenë në katin përdhes e në dy katet e tjera të objektit. Shenjat, sado minimale, janë kudo. Korridoreve, dhomave, madje edhe në njërin prej tualeteve të objektit. Ato paralajmërohen qysh prej jashtë, kur janë vendosur tetë tabela të institucioneve të qytetit të Pejës, ku improvizohet udhëheqja e gruas aty.

Të vendosura në dy anësoret që mbajnë pjesën ku është e vendosur tabela e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, krejt bashkë vijnë si prapaskenë e sforcimit të pozitës së burrit dhe zbehjes së asaj të gruas. Sikurse figurës së shquar i është vendosur titulli “pashë”, autorja e ka praktikuar këtë metodë edhe në improvizimin e saj të “grave udhëheqëse”. Kështu një shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka emërtuar “Këngëtare – Nexhmije Pagarusha”. Edhe të tjerat mbajnë emrin e grave.

Njërës ia ka vënë emrin “Embriologe – Ahsene Luci-Agai”, tjetrën e ka emërtuar “Gjyqtare – Hadije Maloku-Begolli”, ndërsa në pjesën më të ulët të tabelave të renditura vertikalisht qëndron edhe emri “Gjinekologe – Sehadete Doko-Mekuli”.

Në shtyllën tjetër shfaqen emërtimet “Historiane – Vahide Kabashi-Hoxha”, “Piktore – Alije Vokshi”, “Poete – Sevdije Boshnjaku-Zajmi dhe “Kardiopediatre – Muazeze Jusufi”.

Milena Joviqeviq ka thënë se elementet e ekspozitës, veçanërisht fotografitë e vendosura nëpër mure dhe dysheme vijnë si kërkesë e grave për t’u dëgjuar e për t’u njohur kontributi i tyre.

“Hymë në këtë shkollë dhe pamë se ka një rend të figurave të rëndësishme të Kosovës, të historisë së saj, pra figura të shquara. Vetëm dy nga to ishin gra: Nëna Tereza dhe Elena Gjika. Mendova se kjo nuk është e drejtë që nuk ka asnjë grua tjetër këtu, se duhet të vendosen disa gra këtu. Bëra një hulumtim dhe ideja ime ishte të vendosja edhe pak brumë në të”, ka thënë autorja e ekspozitës.

Pjesa e fotografive ekzistuese në shkollë është tjetër rrëfim që bashkohet në këtë vijë. Ajo ka synuar barazinë edhe te figurat historike kur ka shtuar kornizat në nderim të grave. Jo rastësisht mbajnë veç mbishkrime dhe jo fotografi. Korniza që ka veç emrin e biografinë e gruas i kushtohet alpinistes Pakize Mulla-Poqestës, garueses me vetura, Lirije Shala-Salihut, karikaturistes Luljeta Kujtimi-Goranci, arkitektes Suadë Doko-Mekuli, parashutistes Ganimete Vula-Nura e kërcyeses në ujë Gonxhe Xhiha-Basha. Gjithashtu vend u ka bërë arkeologes Edi Shukriu e inxhinieres Myzafere Limani.

Image
Portretet e grave të shquara janë kudo. Korridoreve, dhomave e në dysheme

Sipas saj, ekspozita është punë specifike dhe nënkupton se duhet të jetë korrekte edhe në kontekstin e shkollës.

Në njërën prej dhomave qëndron në mur fotografia e nënës së saj.

“Kur erdha në këtë shkollë, gjëja e parë që pashë ishte një ‘bilbord’ në të cilin shkruhej Vaso Pashë Shkodrani. Thashë: ‘në rregull, natyrisht se është një burrë, nuk do të mund të ishte një grua, është një pasha. Nëna ime është lindur në të njëjtin vit si shkolla. Ajo u lind në vitin 1946, shkolla është ndërtuar atë vit. Gjyshi im e kishte emrin Vaso. Mendova se edhe nëna ime është disi pjesë e këtij rrëfimi”, ka thënë Joviqeviq derisa ka arsyetuar përfshirjen e fotografisë së nënës së saj në ekspozitë.

Tjetër medium që e kompleton ekspozitën është audioinstalacioni me krrokamat e sorrës. Kontakti i parë i artistes Joviqeviq kishin qenë krrokamat e sorrës. I ishte dukur zë shumë i fuqishëm që do të mund të simbolizonte zërin e gruas.

“Sorra është çdoherë një shenjë e keqe, është njëfarë paragjykimi se diçka e keqe do të ndodhë. Por, unë nuk e mora në atë kuptim. Ajo është shpendi më inteligjent, jo veç në grupin tyre, por nga të gjitha kafshët. Kur ajo e bën atë zë, ajo të paralajmëron se diçka do të të ndodhë”, ka treguar Milena Joviqeviq, e cila ka ndjekur arsimimin artistik në Fakultetin e Arteve të Bukura në Mal të Zi në Universitetin e Arteve në Beograd, në Shkollën Kombëtare Superiore të Arteve të Bukura në Paris dhe atë në Le Mans të Francës. Ka ekspozuar në galeri prestigjioze të artit bashkëkohor, muze dhe festivale arti në gjithë botën. Vepra e saj është shfaqur në qytete si New York, Londër, Bazel, Romë, Antwerp, Berlin e Lisbonë e të tjerë. Aktualisht punon në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Malit të Zi.

Image
Barazia synohet edhe te figurat historike. Artistja ndërhyn me korniza në nderim të grave. Jo rastësisht mbajnë veç mbishkrime dhe jo fotografi

Drejtori i institutit të artit bashkëkohor “Arkiv”, Sislej Xhafa, ka thënë se projekti konsiston në hulumtimin e problemit global të barazisë. Artin e ka vlerësuar formë të demokracisë së mendimit.

“Është krijimi i njëfarë hibridi mes veprës së artit, sepse vetë shkolla është një histori më vete, si studio e artit bashkëkohor. Për ne është edhe një formë e filozofisë së re se si të krijohet një institucion si muze i artit bashkëkohor dinamik. Ne kemi aplikuar njëfarë filozofie lineare të mendimit, dalëngadalë kemi filluar të angazhohemi dhe të mendojmë për pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtarë”, ka thënë Xhafa.

Mediumi që Joviqeviq ka përdorur ka qenë eksperiencë e re për publikun, sikurse edhe për stafin e Institutit.

“Si artiste e re kam mësuar shumë prej krejt këtij procesi se si është të kurohet një ekspozitë. Në të njëjtën kohë dua të shpreh kënaqësinë që po u shoh këtu. Kjo do të thotë se jeni duke e përkrahur ‘Arkivin’ si një institucion të artit bashkëkohor që ka një rëndësi të veçantë për qytetin e Pejës e më tutje”, ka thënë artistja Vita Kasapolli.

E lumtur për ekspozitën është shprehur edhe artistja Andrra Anadolli.

“Jemi shumë të lumtur që sot po e hapim ekspozitën e artistes Milena Joviqeviq, e cila ka një koncept shumë interesant i cili besoj se do t’u pëlqejë”, ka thënë ajo në hapje të ekspozitës.

Ligjëruesja e artit e artistja e përqendruar në artin bashkëkohor ka ekspozuar krijimtarinë e saj për të parën herë në Kosovë. Me të instituti “Arkiv”, veç pak javë para se të mbushë një vit prej hapjes ka dëshmuar seriozitetin e misionin e tij.

Shndërrimi i objektit shkollor në institut të artit bashkëkohor, si iniciativë e artistit me famë botërore Sislej Xhafa, u inaugurua në korrikun e vitit të kaluar me ekspozitën e Artan Hajrullahut. Kori “Siparantum” në fund të marsit të sivjetmë interpretoi veprën e Memli Kelmendit “Arkiv i arkivuar”. Pritet që prej muajit shtator objekti i shkollës t’i takojë vetëm institutit “Arkiv”, pasi që ndërtimet në objektin e ri në shkollën fillore dhe të mesme të ulët në atë pjesë kanë përfunduar.

Ekspozita “Sorrë” do të qëndrojë e hapur deri më 30 dhjetor.