Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sopranoja Ermonela Jaho i rikthehet Shqipërisë për zërat e rinj

Teatri i Operës dhe Baletit i Shqipërisë ka hapur thirrjen e tretë për masterclass- bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike. Është sopranoja ikonike Ermonela Jaho që do t’i mbajë ato. Rikthehet pas pesë muajsh, kur pikërisht me një program si ky përjetoi zhgënjim. Ka qenë vetë zëri botëror që hodhi themelet e këtij programi i cili tash do të mbahet prej 2 deri më 6 tetor. Ftesa për artistët e rinj të moshës 18 deri në 30 vjet tashmë është lansuar. Sipas njoftimit, pjesëmarrësit “do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjike të repertorit dhe ndërtimit të një roli”. Sipas njoftimit, aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndien veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë nëpërmjet metodave të reja.

“E veçanta e këtij masterclasi është se do të mundësohet për gjithë të interesuarit të bëhen dëgjues, pa dallim moshe a profesioni. Gjithashtu TKOB fton edhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, të cilët janë më se të mirëpritur”, shkruhet në njoftim.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka qenë ajo që e ka shpërndarë njoftimin teksa ka bërë thirrje për aplikim.

Sopranoja shqiptare e skenave të mëdha botërore qe zhgënjyer keqas në prillin e sivjetmë, pikërisht me masterklase kur erdhi në Tiranë me dëshirën e madhe që t’ua përcjellë të rinjve eksperiencën e saj. Siç kishin raportuar mediat asokohe, në Teatrin e Operës, ku ishte ofruar të bënte mësimin e hapur, pak veta gjeti në sallë.

“Asnjë pedagog i pranishëm e vetëm studentë të ardhur nga jashtë: një situatë e tillë e detyroi sopranon tejet të talentuar të pohojë se ky masterclass nuk ka asnjë qëllim tjetër veç mësimit e se nuk është këtu për të luftuar askënd”, kishin raportuar mediat në Shqipëri.

“Po e mbaj e po e mbaj, por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100 për qind. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, kishte thënë ajo.