Ylli operistik me famë botërore, Ermonela Jaho, të dielën mbrëma mban koncert në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e shoqëruar nga Orkestra e Operës dhe ajo e Filharmonisë së Kosovës. Në konferencën për media të shtunën, Jaho ka thënë se koncerti synon nxitjen e institucioneve për qasje serioze me projektin e Teatrit të Operës. “Shtëpi e shpirtrave të muzikantëve shqiptarë”, e ka cilësuar ajo. E gala-koncerti konsiderohet moment historik për skenën e muzikës klasike në vend.
Institucioni i Operës dhe ai i Filharmonisë së Kosovës të dielën mbrëma e shënojnë edhe një histori për skenën e muzikës klasike në vend. Ylli botëror operistik, Ermonela Jaho, zhvendoset nga skenat e teatrove prestigjiozë në një të improvizuar, në ambient të hapur.
Pas më shumë se një dekadë prej se ka mbajtur koncert në Prishtinë, tash vendin e ka gjetur me kushtet e njëjta infrastrukturore. Edhe vendi ku është mbajtur konferenca për media – Atelieja e Pallatit të Rinisë – pasqyron infrastrukturën e skenës së muzikës klasike.
E koncerti, siç është shprehur Jaho në konferencën për media të shtunën, synon nxitjen e institucioneve për qasje serioze me projektin e Teatrit të Operës.
“Unë vij si artiste, por edhe me një detyrim shpirtëror, moral dhe me detyrim patriotik për të shtyrë të gjithë së bashku, të ngremë zërin që ta bëjmë të mundur që kjo shtëpi operistike të ndërtohet sepse është e domosdoshme”, është shprehur ajo.
Programi nuk është bërë publik, por në konferencë, Jaho ka thënë se repertori përmban arie nga opera “Adriana Lecouvreur” nga Francesco Cilea.
“Një pjesë shumë e bukur, është jeta e kësaj artiste që jeton për artin dhe për të vdes. Duke kapërcyer rrugëtimin e një dashurie të pamundur, por dashuria e madhe e saj është teatri”, ka thënë Jaho.
Ka thënë se “programi është shumë sfidues, për të sfiduar jo vetëm nivelin, por edhe për ta sfiduar njëri-tjetrin”.
Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë për prova është takuar me udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka thënë se edhe atyre u ka kërkuar që të bëhet sa më shpejt ajo që e ka quajtur “shtëpi e shpirtrave të muzikantëve shqiptarë”.
“Ka kaq shumë dashuri, kaq shumë profesionalitet, energji pozitive, cilësia është rritur dhe ky koncert e ka treguar që meritoni shtëpinë ku të jepni më të mirën. Ajo shtëpia operistike që do na kishte zili e gjithë bota, pse jo. Ajo shtëpi operistike për një nivel publiku ose për të pasurit është për të pasuruar shpirtin e këtij populli”, është shprehur Jaho derisa ka folur për atë se si e ka parë Prishtinën prej vitit 2011 kur qe për herë të fundit në kryeqytet.
Koncert-mjeshtrja e formacionit, Abigeila Voshtina, ka thënë se është e pakuptueshme që në këtë epokë të rinjtë të gjejnë adresa të reja për ta ushtruar profesionin si pasojë e kushteve.
“Kemi yje që shndrisin në çdo fushë të jetës dhe nuk shndrisim në shtëpinë tonë? Kjo nuk mund të jetë më e kuptueshme për mua dhe këtë e them si njeri që ka drejtuar institucionet, që ka luftuar për institucionet, si njeri që do të vazhdojë të luftojë sepse janë disa gjëra që bëjnë pjesë tek idealet, jo te pushteti”, është shprehur ajo.
Në konferencë ka treguar se për herë të parë luan në një koncert me Jahon.
“Nuk kam luajtur asnjëherë me të dhe është një gjë unike: hajdeni në këtë udhëtim që do të ngelet brenda shpirtit tuaj. Do të jetë një udhëtim që do të mendoni: pse nuk e kemi bërë më përpara këtë gjë? Duhet, si qytetarë, që Kosova të ketë shtëpinë e operës ku të gjithë artistët kanë të ardhmen e tyre. Mendoni fëmijët tuaj, njerëzit e kanë zgjedhur, nuk është në rregull që në 2025-tën fëmijët tanë të marrin valixhen dhe të bëjnë atë që kemi bërë unë dhe Ermonela në 1993-tën”, është shprehur Voshtina.
Edhe ajo e edhe sopranoja, në vitin 1993 ishin zhvendosur në Itali për përgatitje profesionale si muzikante.
Mjeshtri italian Jacopo Sipari Di Pescasseroli e drejton gala-koncertin të cilin e konsideron si përshkrim i karaktereve madhështore që Jaho u ka dhënë shpirt përgjatë karrierës së saj.

“Ky nuk është veç një koncert, është përvojë kulturore, sociale dhe emocionale për të gjithë. Është dhuratë. Është privilegj të bësh muzikë me Ermonela Jahon. Është sikur të punosh në re, të kesh idenë se mund të flasësh me Zotin. Mendoj se ajo është numër një në botë që mund t’u japë të gjithëve sensacionin se njerëzimi është hyjnor. Ajo është poeteshë e muzikës”, ka thënë ai derisa ka shprehur mirënjohje për punën e Orkestrës.
“Duam të prekim të gjitha emocionet të cilat falë muzikës mund t’i jetojmë. E falënderoj Orkestrën me përplot instrumentistë të rinj. Kjo është e ardhmja. Kur shihni shumë të rinj të cilët në vitin 2025 vendosën të dedikojnë jetën e tyre për muzikë kur muzika nuk është mbase i pari hap, kjo është e mrekullueshme”, ka thënë më tej dirigjenti italian.
Në janar të këtij viti ai drejtoi koncertin ku violinistja Voshtina interpretoi si soliste “Koncertin për violinë nr.1” të Max Bruchit.
Kryetarja e bordit të Operës së Kosovës, Rreze Kryeziu-Breznica e ka vlerësuar moment historik koncertin me sopranon Jaho në Prishtinë.
“Ermonela Jaho nuk prezanton vetëm një emër të madh botëror, ajo ka dëshmuar që përmes fuqisë apo mishërimit të fuqisë së artit të saj ka tejkaluar kufijtë, ka bashkuar njerëzit. Këtë po e bën edhe te ne”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Jaho e ka futur Kosovën, jo veç Operën, në hartën operistike botërore.
“Është mekanizëm për të dëshmuar potencialin që Kosova ka, për të dëshmuar dy institucione që po dëshmojnë duke sjellë artistë të kalibrit botëror që do të kenë qëndrueshmëri të plotë në të ardhmen”, ka konsideruar muzikologia Kryeziu-Breznica.
Përkundër bashkimit të forcave të Filharmonisë dhe të Operës, një numër i instrumentistëve janë të ftuar.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka theksuar mungesën e kushteve për të zhvilluar koncerte si për nga infrastruktura njashtu edhe mungesën e muzikantëve për instrumente specifike.
“Akademia e Prishtinës akoma nuk ka një departament të harpës, perkusioneve, ka shumë pak studentë të kontrabasit, dhe cili është problemi tjetër, pse një orkestër si ajo e Operës së Kosovës ballafaqohet me sfida? Sepse akoma nuk është një orkestër me instrumentistë permanentë, është një orkestër që nuk e ka instrumentin e tij”, ka thënë ai.
Sipas tij, koncerti i së dielës mbrëma do të jetë “një model të cilin kushdo që do të vijë pas strukturave që udhëheqin sot Filharmoninë ose Operën, nuk mund të shkojnë prapa”.
Sheshi “Skënderbeu” është gati për koncertin me sopranon shqiptare me famë botërore. Dhe për thirrjen për ngritjen e “shtëpisë së shpirtrave të muzikantëve shqiptarë”.