“Java e Albanologjisë” ka mbledhur në ditën e fundit të saj studiues në fushën e etnologjisë në temën “Format dhe praktikat e solidaritetit tradicional e bashkëkohor ndër shqiptarë”. Punime shkencore me tematika të veçanta për ekstremet e solidaritetit u prezantuan të premten në hapësirat e Institutit Albanologjik në Prishtinë. Edicioni i trembëdhjetë mbylli punimet me dy seancat e sesionit të Etnologjisë
Kryefjalë e sesionit të Etnologjisë në dy seancat e “Javës së Albanologjisë” ka qenë solidariteti në shoqëri i shprehur nëpërmjet dhuratës, faljes së individëve, kryesisht fëmijë, parave, ndihmesës në punëtorë, vakëfeve e forma të tjera popullore nga më të ndryshmet. Në thelb, solidariteti nuk është falas, sikurse nuk janë as dhuratat e as ndihma në forma të ndryshme. Religjiozët do të thoshin se një mundësi e tillë ekziston, por edhe vetë besimi i tyre ndërtohet mbi shkëmbimin e përuljes dhe bindjes ndaj Zotit. Falja e gjakut është falas, por prapë ka diçka në thellësi të saj, ndërsa falja e fëmijës shfaqet si solidaritet nëpërmjet empatisë me fatin e të tjerëve.
Përfundime si këto kanë nxjerrë studiuesit të premten, në ditën e fundit të “Javës së Albanologjisë” në sesionin e pestë në temën “Format dhe praktikat e solidaritetit tradicional e bashkëkohor ndër shqiptarë”. Me “Javën…” për pesë ditë në Prishtinë janë bërë bashkë studiues fushash të ndryshme albanologjike nga Kosova, Shqipëria. Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDisa dekada më parë solidariteti farefisnor shfaqej nëpërmjet faljes së fëmijës me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së familjes tek anëtarët dhe të afërmit që nuk kanë pasur fëmijë apo kanë pasur vetëm vajza.
Këtë e ka trajtuar etnologia Zanita Halimi në kumtesën e saj “Praktika e faljes së fëmijës si solidarizim brenda familjes”.
“Është marrë vendim për të falur fëmijën, si dhe premtim nga pranuesit e fëmijës për t’u kujdesur si për fëmijën e tyre tërë jetën. Në këto raste solidariteti shfaqet përmes empatisë me fatin e të tjerëve. Mirëpo, formimi dhe veçanërisht ruajtja e marrëdhënie të solidaritetit kërkon jo vetën lidhshmëri, por, më e rëndësishmja, edhe përkushtim ndaj njerëzve të tjerë”, ka thënë Halimi duke theksuar se këtë fenomen nuk e ka hasur në shoqëritë e tjera, teksa ka vlerësuar se është një krijim i lidhjes së gjakut midis personave që në esencë nuk kanë një lidhje të tillë. Termat “e falun” dhe “i falun”, i ka përmendur si epitet që ka mbizotëruar në narracionet për të tjerët më shumë se emri dhe mbiemri i personit “të falur” tek dikush tjetër.
“Ky term asocion me birësimin e fëmijëve, tradita e të rriturit të fëmijëve nga prind të tjerë që nuk janë biologjikë është gjetur në disa nga shumë shoqëri të ndryshme dhe praktikohet në një formë ose tjetër në të gjitha shoqëritë”, ka thënë Halimi. Në hulumtimin e saj, ende të papërfunduar, ka përmendur tetë mostra si raste të ndryshme nga qytete të Kosovës, si në Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Lipjan e Prishtinë. Këto raste janë me histori nga më të veçantat dhe ekstremet e solidaritetit shkojnë deri në pikën sa fëmija i vetëm në familje “i fal” fëmijë prindërve për të mbushur mungesën e të pasurit një fëmijë tjetër. “Nga tetë këto, ka tri raste kur vëllai ia jep vëllait djalin, raste ka po ashtu që nuk kanë qenë të një familjeje, pastaj kur vëllai ia jep vëllait vajzën, rasti tjetër interesant është kur vajza ua jep prindërve djalin e saj. Duke marrë parasysh se ajo ka qenë fëmija i vetëm në familje dhe është një lloj solidariteti me prindërit e saj, djali deri në shkollë të mesme ka menduar se nënën e tij e ka motër, për këtë gjë i është treguar në shkollë të mesme. Më pas ka pasur edhe rast kur djali i axhës ia ka dhënë djalit të axhës fëmijën e tij”, ka thënë Halimi.
Ideja e faljes përkon edhe me gjësendet materiale dhe jo me individë e qenie njerëzore. Antropologu Arsim Canolli në kumtesën “Skicë e lavjerrësit të Maussit për dhuratën” sjell analizën për shkëmbimin e dhuratave nga sociologu dhe antropologu francez, Marcel Mauss, që njihet si baba i etnologjisë franceze.
“Maussi flet për dhënien si një ftesë në marrëdhënie njerëzore, si një nevojë për të marrë, si një akt që nuk duhet refuzuar. Pa dyshim se interpretimi i tij vendos dhënien përtej krijimit të aleancave, nevojës së përmbushjes së një riprodhimi, pushteti e tjerë, por nuk jep një teori si ka nisur kjo, pos konstatimit se ekziston gjithandej, se përshkon gjithë humanitetin, lashtësinë”, ka thënë Canolli. Ai ka theksuar rëndësinë e argumentit të Maussit për diskutimin e solidaritetit nëpërmjet dhuratës, që konsiderohet si borxh, sepse secila gjë që jepet e merret, në kontekst shoqëror, pritet të kthehet. Derisa ka diskutuar për aspektet etike e politike, kritikat e diskutimet e gjera mbi dhuratën, Canolli ka pohuar se dhurata duhet parë edhe në aspektin e lirisë, gjithnjë në kontekst të obligimit si përgjegjësi e mundësi, por edhe si reciprocitet. Po ashtu ka theksuar nevojën e diskutimit të artit si dhuratë, aspektin e së bukurës, që Mauss e ka mënjanuar në studimin “Dhurata: fryma dhe forma e këmbimit në shoqëritë arkaike”.
“Duket sikur estetika, fronti i diskutimit për të bukurën apo fronti i diskutimit të së bukurës së painteres, asaj që ka një status të veçantë në marrëdhëniet njerëzore, ka mbetur e anashkaluar nga Maussi”, ka thënë ligjëruesi në Degën e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Solidaritetin si përcjellje ndër breza në familjet shqiptare në Kosovë e ka paraqitur antropologu Tahir Latifi e atë e ka zbërthyer si kod shoqëror që shpërfaq ruajtjen e kohezionit social ndër gjenerata. “Solidariteti ndërbreznor i referohet shkallës së mbështetjes dhe ndihmës ndërmjet brezave të ndryshëm. Në vendet si Kosova, ku shteti i mirëqenies është i dobët dhe nuk ofrohen politika sociale të duhura për familjen, ekziston një shkallë e lartë e solidaritetit ndërbreznor dhe familjar në përgjithësi”, ka thënë Latifi, teksa ka theksuar faktorët socio-ekonomikë, si papunësinë dhe varfërinë, si reflektim i varësisë ndërmjet anëtarëve të familjes, për çka edhe ruhen lidhjet ndër breza.
“Marrë parasysh indikatorët (negativë) socio-ekonomikë në Kosovë, ku ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, natyrshëm reflekton në një(ndër)varësi ndërmjet anëtarëve të familjes duke ruajtur kohezionin social, e në të njëjtën kohë duke mbajtur të pacenuara lidhjet ndërmjet brezave”, ka shkruar ai në kumtesën e tij.
Etnologia Lumnije Kadriu ka prezantuar kumtesën e saj “Solidariteti dhe format e negocimit në familjet trasnacionale”, ku ka potencuar vlerat e altruizmit si dashuri për njeriun dhe ndjenjat e interesit personal.
“Ajo që duket se është qenësore si në rastin e solidaritetit dhe dhuratës si forma të shkëmbimit, është krijimi i lidhjeve shoqërore dhe implikimi në tipa dhe ndjenja të ndryshme, nganjëherë edhe kontradiktore mes dy palëve. Një njërën anë potencojmë vlerat e altruizmit, si dashurisë, mirënjohjes, miqësisë, besnikërisë, sakrificës, ndërsa në anën tjetër potencohen ndjenjat e interesit personal”, ka thënë Kadriu.
Fjala e saj gjithashtu ka përkuar me hapjen e sesionit të fundit të “Javës së Antropologjisë”, ku ka thënë se këtë vit në kuadër të sesionit të Etnologjisë ka pasur tema të shumta dhe interesante, të cilat prekin dimensionet e ndryshme të solidaritetit, teksa ka vlerësuar se e tillë ishte edhe vetë konferenca shkencore që u mbajt të premten.
“Solidariteti është një fenomen universal dhe duke qenë si i tillë pa dyshim se studiues të fushave të ndryshme janë marrë me këtë çështje. Edhe sivjet si herëve të tjera kjo konferencë u jep hapësirë studiuesve nga vendi dhe jashtë vendit që të kumtojnë hulumtimet e tyre, të diskutojnë dhe të reflektojnë në lidhje me to, si dhe të marrin sugjerimet edhe tek të tjerët. Vetë konferencat janë formë e solidarizimit dhe ruajtjes së kohezionit të komuniteteve profesionale në fusha të caktuara”, ka thënë studiuesja Kadriu në fjalën hapëse të serisë së konferencave të studiuesve.
Etnologu Olsi Lelaj, në kumtesën “Solidariteti dhe komunizmi në Shqipëri: Çështje në antropologjinë e modernitetit”, ka theksuar se një nga elementet e solidaritetit është edhe ruajtja e hapësirës gjinore, ndërsa punën vullnetare e ka quajtur si fenomen të solidaritetit.
Ndër studimet për format e ndryshme të solidaritetit janë prezantuar edhe vakëfet si solidaritet kryesisht ndaj objekteve fetare, nëpërmjet të cilave individët kanë kontribuuar në mirëmbajtje të tyre, mirëpo edhe në financimin e institucioneve të tjera e në pasardhës të tyre. “Vakëfet janë dhënë për xhamitë, si pasuri të paluajtshme vetëm për mirëmbajtjet e tyre, por edhe për interesin publik në përgjithësi, për financimin e institucioneve dhe aktiviteteve si për bibliotekat, kërkimet shkencore, shërbimet shëndetësore dhe kujdesi për kafshët dhe mjedisin. Po ashtu edhe vakëfet e pasardhësve apo të familjarëve, të ardhurat e të cilëve u jepen pasardhësve të tyre dhe nëse ka tepricë u jepen të varfërve”, ka thënë studiuesi Sadik Mehmeti.
Serisë së kumtesave të studiuesve për format dhe praktikat e solidaritetit tek shqiptarët i shtohet edhe “Argatëria si formë e filantropisë, solidaritetit individual dhe grupor në Kosovë” nga hulumtuesi në Institutin Albanologjik, Valon Shkodra, në të cilën ka trajtuar “argatët” si fenomen i solidaritetit i përhapur në Kosovë. Autori ka vënë në pah dy lloje të, siç e quan ai, argatërisë: argatërinë individuale dhe atë grupore. Këtë formë solidariteti e ka vlerësuar si element shpirtëror e human, si ndihmë pa kompensim, si dashamirësi e dhembshuri.
“Krahas të dhënave të cilat i kemi mbledhur nga terreni dhe hulumtimet të cilat i kemi realizuar gjer më tani, mund të themi se solidariteti dhe humanizmi te shqiptarët janë të theksuar. Këtë e dëshmojnë mobilizimi dhe veprat e banorëve në vazhdimësi për tjetrin. Ndihma apo solidariteti nuk ka humbur. Ndoshta sot kjo dukuri është edhe më aktive, por në forma të reja, jo sikurse këto të cilat i përmenda më sipër”, ka thënë Shkodra.
Sikurse gjatë sesioneve të tjera, edhe në atë të Etnologjisë kanë prezantuar punimet e tyre studiuesit e rinj. Dardan Lajçi ka sjellë edhe format e tjera tradicionale të solidaritetit, siç është emërimi i fëmijëve në rrugë nga kalimtari i parë, si dhe nga mysafiri dhe solidariteti me rastin e kuvadës apo ndryshe gjatë “lehonisë te burrat”. Për formën e parë të solidaritetit, Lajçi ka ilustruar traditën e vënies së fëmijës përmbys, bashkë me djep në udhëkryq, nga prindi i cili fshihej për të parë se kush do të ishte i pari për të marrë fëmijën, i cili më pas do ta emëronte fëmijën si të donte, por edhe ato raste në kohën kur gruaja lindte kishte mysafirë, të cilët më pas do ta emëronin fëmijën e posalindur.
Gjatë rrugëtimit pesëditor të “Javës së Albanologjisë” nga pesë degët e Institutit Albanologjik në Prishtinë u prezantuan gjithsej 70 kumtesa të tematikave të ndryshme në sesionet si: Gjuhësi, Letërsi, Histori, Folkloristikë dhe Etnologji. Konferencën shkencore pesëditore të Institutit Albanologjik e shpalli të mbyllur sekretari shkencor i këtij instituti Lulëzim Lajçi. “Përballja e koncepteve të ndryshme ishte në funksion të gjetjes së të vërtetës shkencore. I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresoj që vitet e ardhshme të rezultojnë në bashkëpunim më të madh me institucionet fqinje”, ka thënë Lajçi.