Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Buka si recetë e autenticitetit, flia përtej feve e perandorive

Ushqimi për kulturën shqiptare është përtej esenciales për jetesë e në këtë kontekst është trajtuar në sesionin e etnologjisë të premten në ditën e fundit të “Javës së Albanologjisë”

Ushqimi për kulturën shqiptare është përtej esenciales për jetesë e në këtë kontekst është trajtuar në sesionin e etnologjisë të premten në ditën e fundit të “Javës së Albanologjisë”

“Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, ka qenë tema e sesionit të etnologjisë i cili e ka përmbyllur edicionin e 17-të të “Javës së Albanologjisë” të premten në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ushqimi është kundruar si kujtesë kulturore, simbol identiteti, mënyrë komunikimi. Buka ruan tendencën për të kërkuar autenticitet, ka qenë njëri prej konstatimeve e flia është “rrëfim” më vete. Nëpërmjet saj, shembet “stambollo-centrizmi” e fillet e saj gjenden deri në paganizëm

Konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” e ka përmbyllur edicionin e 17-të me sesionin e etnologjisë. Ushqimi si temë ka qenë në qendër të debatit shkencor, jo si nevojë biologjike, por si fushë ku ndërthuren identiteti, kujtesa kolektive, rituali dhe transformimet shoqërore. Në temën bosht “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, studiuesit kanë sjellë qasje nëpërmjet të cilave lexojnë ushqimin si dëshmi të historisë kulturore, si praktikë sociale dhe si tregues të ndryshimeve që sjellin globalizimi, urbanizimi dhe mënyrat e reja të jetesës.

Në një nga sallat për konferenca në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, sesioni ka nisur me fjalën hapëse nga shefja e Degës së Etnologjisë në këtë institucion, Angjelina Hamza-Hasanaj. Ajo ka thënë se ushqimi për kulturën shqiptare është përtej esenciales për jetesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ushqimi nuk është vetëm nevojë biologjike, është kujtesë kulturore, simbol identiteti, mënyrë komunikimi dhe pjesë e rëndësishme e organizimit shoqëror të shoqërisë shqiptare, por edhe më gjerë. Në traditën tonë, buka, tryeza, mikpritja, por edhe ritualet ushqimore kanë qenë gjithmonë bartëse të kuptimeve të thella kulturore. Përmes ushqimit janë ndërtuar marrëdhënie familjare e shoqërore”, ka thënë ajo.

Është shprehur se studimet e prezantuara pasurojnë studimet etnologjike shqiptare.

“Ky sesion synon të sjellë diskutime shkencore mbi ushqimin si praktikë kulturore, si element ritual, si pjesë e ekonomisë familjare, por edhe si tregues të proceseve moderne të globalizimit, urbanizimit dhe ndryshimeve të stilit të jetesës. Jam e bindur që kumtesat e sotme do të sjellin qasje të ndryshme teorike e metodologjike dhe do të kontribuojnë në pasurimin e studimeve etnologjike shqiptare”, ka thënë Hamza-Hasanaj

Studimi i profesorit të Antropologjisë, Arsim Canolli e ka hapur diskutimin mbi trashëgiminë ushqimore. Nën temën “Buka si kulturë: antropologji e kulturës buknore”, ka argumentuar se peizazhi kulinar i Kosovës karakterizohet nga diversiteti i pasur dhe aspekti historik. Ka thënë se ka tendencë për të kërkuar autenticitet.

“Ka diçka specifike te survivancat kulturore. Nëse studiojmë ushqimin shihet se ka mbetje të cilat janë transformuar, por megjithatë mund të njihen deri në njëfarë aspekti. Në sensin religjioz kemi fe të ndryshme, festa e kështu me radhë, por gjithmonë harrojmë që ne jemi në një vend shumë të pasur të florës dhe të faunës”, ka thënë Canolli gjatë prezantimit të studimit të tij.

Me termin “survivanca” u është referuar praktikave që kanë mbijetuar duke u transformuar me kohë. Sipas tij, historia ushqimore e vendit nuk mund të shpjegohet vetëm përmes ndikimeve nga qendrat perandorake.

“Ajo që dua të theksoj është që ka ekzistuar një perceptim dhe vazhdon të ekzistojë në mesin tonë, si në historiografi, ashtu edhe në shkenca shoqërore, për ‘stambollo-centrizmin’. Ideja shpeshherë ka qenë që çdo praktikë sociale e cila nuk ka mundur të identifikohet dhe dokumentohet, gjithçka vjen nga qendra te periferia. Tendenca e Stambollit si qendër është perceptim i gabuar që studiuesit e fundit që merren kryesisht me jetën sociale e veçmas me historinë kulinare, kanë filluar të kundërshtojnë, të japin evidenca dhe argumente të reja”, ka vazhduar Canolli.

Studimi i tij sjell edhe mbijetesën e kulturës pagane të shprehur në ushqim.

“Kemi edhe survivancat kulturore që janë paganiste e që mendohen të jenë para ardhjes së Krishtit. Kemi rituale të ndryshme të cilat lidhen edhe me fenë e krishterë, por edhe me festa që janë mbindërtuar edhe nga feja islame. Por përmes një haje specifike që e kemi të gjithë në Kosovë, flisë, mund të vërejmë edhe disa aspekte specifike të këtyre festimeve të vjetra që më pas janë mbindërtuar nga fetë e mëdha. Tri teknikat kulinare që mund të identifikohen si survivanca te ne nga studimet e mia deri më tani janë: gatimi mbi zjarr të hapur, arti i kulturës së zënies së djathit dhe po ashtu mbledhja e frutave të egra nëpër malet tona dhe gatimi me to”, ka vazhduar më tej studiuesi Arsim Canolli.

Në një linjë më specifike qe prezantimi i studimit të Nexhat Çoçajt. Me temën “Përgatitja e tharmit të bukës përmes bozës së melit”, ai ka shtjelluar praktikën e dikurshme të përgatitjes së bukës në Kosovë dhe në rajon, duke përshkruar përdorimin e bozës së melit si ferment natyral.

 Sipas tij, kjo metodë i jepte bukës shije, butësi dhe jetëgjatësi më të madhe. “Mendohet se përmes melit, përmes përgatitjes së bukës me këtë bozë, buka ka qenë më e shijshme, më e butë, ka qëndruar më gjatë, deri në një javë dhe ka pasur edhe një aromë specifike. Bashkëbiseduesit tregojnë se kur është marrë një bukë e punuar nga boza e melit, e gjithë lagja e ka ndjerë aromën. Ka qenë edhe ndjesia e ngopjes, duke ngrënë më pak, sipas atyre që e kanë përgatitur bozën”, ka thënë Çoçaj, duke kujtuar se kjo teknikë është përdorur në disa vende deri në vitet ’70 dhe ka mbetur pjesë e kujtesës kolektive.

“Të moshuarit e mbajnë mend se boza e melit në furra në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi është përdorur diku deri në vitin 1974, por është përdorur vende-vende edhe më vonë. Madje edhe unë kur isha i ri, në Ferizaj si fëmijë e shihja axhën tim duke e gatuar atë në vitin 1978. Meli është bimë që rritet kudo dhe përhapet e shtohet me shtim e farës. Meli i egër është mbledhur, më pas është procedura e tharjes. Ai piqet kryesisht në fund të shtatorit dhe deri në fund të tetorit. Gjendet kudo ndërsa vjelja është bërë nga njerëzit që kanë ditur ta bëjnë këtë, sepse bima ka pasur specifikat e veta”, ka thënë studiuesi Çoçaj.

Një perspektivë krahasuese ndërkombëtare ka sjellë studiuesja Violeta Kotseva me kumtesën “The Orchard of Bulgaria. On the Construction of a Symbol”. Ajo ka analizuar mënyrën se si rajoni i Kustendilit në Bullgari është ndërtuar simbolikisht si “Kopshti i Bullgarisë”, ndonëse historikisht agrokultura nuk ka qenë aktiviteti kryesor i zonës. Sipas saj, zhvillimi intensiv i prodhimit të frutave gjatë periudhës socialiste, krijimi i varieteteve të reja dhe mitologjizimi i cilësive të rajonit kanë ndikuar në formësimin e një identiteti të ri ushqimor.

“Qyteti i Kustendilit ndodhet në Bullgarinë qendrore-perëndimore në kufirin e trefishtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë. Pavarësisht pozicionit të tij kufitar, rajoni mbetet mjaft i izoluar sa u përket rrugëve tregtare. Arsyeja për këtë është kufiri i ruajtur rreptësisht me ish-Jugosllavinë gjatë viteve të socializmit, ndërtimi i një zone ushtarake në atë kohë dhe mungesa e rrjetit hekurudhor që lidh Bullgarinë me Maqedoninë dhe Serbinë në të gjithë Kustendilin”, ka bërë me dije studiuesja bullgare.

Ajo është shprehur se “rritja e festivaleve dhe festave kushtuar ushqimit dhe pijeve kishte arsye në kërkimin e teknologjive dhe produkteve tradicionale si përpjekje për t’u kthyer në disa tradita imagjinare ose reale”.

Në kuadër të sesionit të parë të etnologjisë u prezantuan edhe tema që zgjeruan diskutime mbi marrëdhënien midis ushqimit dhe kulturës. Bukurije Mustafa trajtoi “Ritualin dhe rëndësinë etnografike të të gatuarit të ndurdhisë/flisë në vise të ndryshme të Maqedonisë së Veriut”; Jonida Sela foli për “Gatimin si performancë, kalimin nga kuzhinat e mbyllura te të hapurat dhe fenomene të tjera performative”; Petya Vasileva-Grueva solli temën “Culinary traditions in a modern interpretation – view from Bulgaria”, ndërsa Lumnije Kadriu shpalosi temën “Ushqimi në kontekst të identitetit dhe transnacionalitetit”.

Seanca e dytë ka vazhduar drejt dimensioneve të ritualit, identitetit dhe turizmit. Angjelina Hamza-Hasanaj ka prezantuar temën “Ushqimi si praktikë rituale në dasmat në Kosovë: ndërmjet simbolikës dhe transformimeve shoqërore”; Iliana Strahilova ka sjellë studimin me temë  “Of Meats and Men: Gender Specificities and Transformations in food preparation”; Teuta Bajo ka prezantuar studimin “Kulaçi i nuses dhe simbolika e ushqimit në dasmën arbëreshe të Italisë së Jugut”; Rini Useini me “Kufijtë kulturor të shijes”; Valon Shkodra me “Gastronomia tradicionale si faktor tërheqës për turistët në Kosovë”,  Hiriet Ziberi me temën “Ushqimi element i rëndësishëm ne ruajtjen e traditave ne fshatin Koritë të Malit të Thatë”, Arbnora Kolgjeraj-Rexhaj me “Furrtarët e Hasit: Ndërmjet kujtesës, praktikës dhe transformimit shoqëror” dhe Afet Jashari me temën “Mikpritja dhe tryeza si kategori kulturore te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”.

Konferenca shkencore e përvitshme “Java e Albanologjisë” nisi më 18 maj dhe zgjati për pesë ditë me program intensiv. Për secilën ditë iu dedikua një fushe të albanologjisë. Nisi me sesionin e gjuhësisë që pati temën bosht “Shqipja në rrethanat e sotme digjitale”, më pas vazhdoi me atë të letërsisë që sivjet temë bosht pati “Letërsia shqipe dhe konteksti”.

Në atë të historisë u paraqitën temat rreth temës bosht  “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”, ndërsa ai i folklorit dhe etnomuzikologjisë u ndërtua rreth temës “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”.

Sesioni i etnologjisë e mbylli “Javën e Albanologjisë” duke dëshmuar se antropologjia e ushqimit nuk është vetëm çfarë vendoset në tryezë, por bashkë me të janë edhe historitë dhe kuptimet që ndërtohen rreth saj.