Prishtinë, 27 shkurt – Jeta e zbërthyer në portretet e njerëzve është përshkrimi i parë i veprave të Burim Berishës në ekspozitën e tij me skulptura “Dhe jemi ne”. Janë 40 skulptura të këtij cikli të realizuara për 4 muaj, por Berisha, në ekspozitën e hapur të hënën mbrëma në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve” u ka bërë vend vetëm 17 prej tyre dhe një videoje.
Me citatet më të famshme nga letërsia, si ato nga monologu i Hamletit, vendosur nëpër mure e me skulpturat e vendosura e të renditura në kolonë në mes të galerisë, Berisha dokumenton mënyrën e tij të komunikimit me botën përmes realitetit jetësor të tij, që nga fëmijëria e deri më sot.
“Mua më shtronin pyetjen a janë në pritje të premtimit, a janë në rrugëtim drejt një qëllimi, a janë të ndalur në një vend dhe nuk e dinë çka presin? A janë në një autobus i cili i çon diku, por ata nuk e dinë ku?”, ka thënë Skënder Boshtrakaj, kur ka folur për atë që e quan dialog me portretet.
Ai ka thënë se në kolonën ku janë të vendosura portretet ka parë edhe ecejaket e tij në jetë dhe ka gjetur nga pak nga vetja në secilin prej karaktereve statike mbi bazamente.
“Kuratori i ekspozitës Robert Wilton, njëherësh mik shtëpie i Burimit, e ka pasuruar ekspozitën me disa thënie të nxjerra me kujdes prej autorëve të ndryshëm, librave të vjetër dhe këto thënie të shkruara në shqip, me një shqipe të një anglofolësi me problemet gjuhësore i tregojnë dromcat e jetës së Burimit që i prezanton pa kozmetikë, ashtu siç janë”, i ka përshkruar ai veprat e “Dhe jemi ne”. Skulptori Boshtrakaj që udhëheq Divizionin për Menaxhim të Integruar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka folur edhe për vendin ku është hapur ekspozita. Ka thënë se arti i viteve ‘90 është zhvilluar jashtë qendrës dhe institucioneve në mënyrë joformale, e institucionet e kulturës atëbotë kishin qenë kafe-galeritë.
Edhe
“Kalbja e rrënjëve” e Burim Berishës përballë rendit shoqëror kaotik
“Ndër më të njohurit ishte ‘Hani i 2 Robertëve’, që funksionon edhe sot e kësaj dite, dhe si duket ekspozitat në kafe-galeritë po e krijojnë një ambient, i cili është shumë më i vërtetë se brenda institucioneve zyrtare”, ka shtuar ai.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")