Kulturë

“Siparantumi” në Korenë e Jugut e bën të artë emrin e Kosovës

Emri i Kosovës është lartësuar në më të madhen garë botërore të koreve dhe atë dy herë. Kori “Siparantum” ka marrë dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të “Word Choir Games” në Korenë e Jugut. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur, tejet të emocionuar që Kosovës sapo ia sollëm dy medalje të arta”, ka thënë dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi

Në ditën kur nëpër mediat ndërkombëtare deputetët e kanë çuar emrin e Kosovës me grushte në Kuvend, kori “Siparantum” e ka artësuar atë në më të madhën garë botërore të koreve. Dhe atë në Korenë e Jugut. Ka marrë dy medalje të arta dhe ka bërë histori. Është shpallur fituesi absolut në të dy kategoritë ku ka garuar; atë të Muzikës Bashkëkohore dhe të Korit të Përzier.

Kanë qenë për mbi 380 kore prej 80 vendeve të botës që janë bashkuar sivjet në edicionin e 12-të të “Word Choir Games”. E gara për këto dy çmime ku konkurrojnë koret e kategorisë A, nuk ka qenë aspak e lehtë. Sukses në këtë garë arriti edhe dy vjet më parë në Belgjikë, ku mori një të artë. Triumfoi më 2021 në “World Choir Games” në “Musica Contemporanea” në “Open Competition”.

Nëpërmjet një videoje ku shihen edhe një pjesë e anëtarëve të korit, dirigjenti i korit, Memli Kelmendi, është shprehur tejet i lumtur me këtë sukses. Ka theksuar rëndësinë që ka ky çmim për Kosovën.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur, tejet të emocionuar që Kosovës sapo ia sollëm dy medalje të arta. Dy medalje Korit i cili triumfoi në kategorinë e muzikës konteporane dhe në kategorinë e koreve mikse. Jemi jashtëzakonisht të lumtur, tejet të emocionuar që mbi të gjitha ne përfaqësojmë Kosovën, përfaqësojmë shtetin tonë, përfaqësojmë vlerat tona, kulturën në arenën ndërkombëtare në mesin e mbi 380 koreve pjesëmarrëse nga e gjithë bota”, ka thënë Kelmendi për KOHËN, pak kohë pas shpalljes së fituesve në “Gangneung Arena”, një alamet salle me 12 mijë ulëse, ku më 2018 ishin mbajtur edhe Lojërat Olimpike Dimërore.

E, në një video të publikuar në rrjetet sociale “Siparantum” ka ndarë momente nga fitorja e madhe në qytetin Gangneung. Aty mund të shihen momenti kur “Siparantum” shpallet fitues, brohoritjet e anëtarëve, valëvitjet e flamurit të Kosovës, si dhe momente nga dy performancat dhe aktivitetet e Korit atje.

Anëtari i Korit, Shaban Behramaj, në një deklaratë ka thënë se kjo fitore është shpërblim i punës së madhe që ka bërë Kori për të arritur deri këtu.

“Sapo përfundoi ceremonia e ndarjes së çmimeve për Garat e Koreve Botërore apo ‘World Choir Games 2023’. Jemi shumë të lumtur që kori ‘Siparantum’ kësaj here Kosovës i sjell dy medalje të arta, të cilat i kam këtu pranë vetes dhe mezi pres t’i sjell në Kosovë dhe të ndaj me ju bashkë këtë gëzim dhe këtë festë të madhe që kemi arritur bashkë me korin ‘Siparantum’ dhe nën dirigjimin e Memli Kelmendit. Pas një pune të jashtëzakonshme me prova intensive e me një udhëtim të largët ne ia dolëm të dalim faqebardhë dhe të korrim një sukses të jashtëzakonshëm”, është shprehur ai.

Si pasojë e faktit që Kosova nuk ka ambasador në Korenë e Jugut, ka qenë vetë dirigjenti i Korit, Memli Kelmendi, ai që ka mbajtur një fjalim, nëpërmjet një videoje që ishte paraqitur para shikuesve të shumtë të këtyre lojërave.

Image
Memli Kelmendi: “Jemi jashtëzakonisht të lumtur, tejet të emocionuar që mbi të gjitha ne përfaqësojmë Kosovën, përfaqësojmë shtetin tonë, përfaqësojmë vlerat tona, kulturën në arenën ndërkombëtare në mesin e mbi 380 koreve pjesëmarrëse nga e gjithë bota”

“Sot në ndarjen e çmimeve, në klipin e prezantuar para audiencës së madhe që ishte aty dhe një numri të madh të pjesëmarrësve, u shfaqën disa inserte me disa mesazhe, video-mesazhe të ambasadorëve të secilit shtet pjesëmarrës, por që Kosova kësaj radhe nuk kishte një ambasador në Kore dhe si pasojë e kësaj u shfaq klipi dhe mesazhi nga dirigjenti ynë, Memli Kelmendi, i cili është ambasadori më i mirë këtu në Kore së bashku me korin “Siparantum”, ka thënë Behramaj.

Teksa ka shprehur entuziazmin e madh që në atdhe do të kthehen së bashku edhe me dy medalje të arta, Behramaj ka thënë se Kori po e prezanton Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Mezi presim t’ju takojmë dhe bashkë të festojmë për këtë fitore të madhe të korit ‘Siparantum’ dhe gjithë Kosovës, sepse kori “Siparantum” ka arritur ta dëshmojë edhe një herë që është ambasadori më i mirë i kulturës nëpër botë. Shihemi shumë shpejt në Kosovë”, ka thënë ai.

Por rrugëtimi i “Siparantumit” deri në Korenë e Jugut nuk ka qenë pa telashe. Pak ditë para garës, në mungesë mjetesh kishte qenë në mëdyshje edhe pjesëmarrja. Ishte bërë zgjidhje duke udhëtuar me pothuajse gjysmën e anëtarëve. I pyetur për vështirësitë e performancës pa Korin e plotë në një intervistë për emisioni “Express” në KTV, Kelmendi kishte treguar se një gjë e tillë nuk kishte qenë aspak e lehtë. Kishte shprehur keqardhjen për mungesën e atyre që nuk arritën të shkonin me ta në Korenë e Jugut duke potencuar se me kalimin e viteve sikurse pjesa tjetër, edhe ata kanë dhënë kontribut të fuqishëm në zhvillimin e Korit.

Por, pavarësisht kësaj, Kelmendi kishte theksuar rëndësinë që ka pjesëmarrja në këtë garë, qoftë edhe me gjysmën e anëtarëve. Vetëm pak orë pas performancës së dytë, të mbajtur më 11 korrik, Kelmendi kishte bërë të ditur se “Siparantum” kishte pasur mundësi të performonte edhe para kompozitorit të njohur André van der Merwe, i cili mban numrin një në “World Ranking List”.

“Me modesti dhe me sinqeritet them se edhe vetëm pjesëmarrja jonë këtu është e fuqishme dhe është një hap përtej asaj që ne e kemi pasur deri më tani. Po flas për disa arsye, sepse e para, Korin tonë e kemi fuqizuar dhe vendosur në olimpiadën e koreve botërore, e dyta garojmë në kategorinë më të fortën, jemi pjesë e ‘World Ranking List’ që Kosovën e çon shumë përtej asaj që ne flasim dhe gjithashtu Kori është paraqitur para një jurie prej 14 anëtarësh. Njerëzit shohin punën tonë, vlerësojnë punën tonë dhe kjo hap rrugë të reja jo vetëm për ne si kor, por përgjithësisht për kulturën tonë korale”, ka thënë ai, duke shtuar se pjesëmarrja e Korit “nuk ka qenë e rëndësishme vetëm për ‘Siparantumin’.

“Por edhe për jetën kulturore të muzikës korale dhe prezantimit tonë si shtet”, ishte shprehur Kelmendi.

Kritikë të njohur muzikës korale e kishin veçuar “Siparantumin” pas dy performancave. Vetë Kelmendi ishte shprehur tejet i lumtur me zhvillimin dhe ecurinë e tyre.

“Është e paimagjinueshme. Mbrëmë ka qenë një performancë e jashtëzakonshme e korit ‘Siparantum’, sepse në program kemi pasur edhe vepra të kompozitorëve tanë. Publiku ka qenë jashtëzakonisht i impresionuar. Do të thosha që performanca e Korit ka qenë e mahnitshme dhe është vlerësuar lart qoftë prej të pranishmëve, qoftë prej kritikëve të shumtë që unë kam pasur rastin t’i takoj gjatë qëndrimit tim këtu në Korenë e Jugut”, ishte shprehur ai.

Por, anash kësaj, Kelmendi kishte mbajtur qëndrim të rezervuar kur ishte pyetur për fitore, e kjo për shkak të konkurrencës së fortë që në të dy kategoritë ku ishin klasifikuar.

“Ne këtu jemi për garë dhe po e përfaqësojmë vendin tonë, kulturën tonë, në mënyrën më të mirë e të bukur të mundshme. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për mundësinë dhe me modestinë shumë të madhe po them që kori ‘Siparantum’ tashmë është duke garuar edhe në ranglistën më të madhe të koreve botërore në kuadër të festivalit ‘World Choir Games’. Ne jemi duke garuar në Championship. Do të thotë flasim për nivelin më të lartë të garimit të festivalit”, kishte thënë Kelmendi.

Në Korenë e Jugut “Siparantum” ka performuar me vepra si “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Baki Jashari, “Me nji lule” dhe “Pax” të Memli Kelmedit, “Fire” nga Katerina Gimon e të tjera. Kanë dhënë premierë veprën “Before” të Mendi Mengjiqit dhe “Before coming to the night” të Jan Van der Roost, për të cilën Kelmendi ka thënë se është “vepër që i dedikohet korit ‘Siparantum’”.

Kori i themeluar më 2017 ka realizuar mbi 130 paraqitje, prej të cilave gati gjysma në dhjetë shtete të botës. Me fitoren në Kore, numri i çmimeve të para arrin në njëmbëdhjetë.