I shpejtë ka qenë rrugëtimi i korit “Siparantum” në skenat e garat botërore, e tash secila ftesë për të është rikonfirmim suksesesh. E tillë është edhe pjesëmarrja në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” në Belgjikë, ku kori i cili e futi Kosovën në hartën e koreve botërore, nuk shkon thjesht për të garuar
Është bërë e zakonshme, që në çdo ngjarje që bën tok kore nga e mbarë bota, të mos mungojë “Siparantumi” i Kosovës. Kësisoj ngjan edhe me edicionin e sivjetmë të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinjtë në Belgjikë, njëri prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji në Kontinentin e Vjetër. Në edicionin e 70-të, prej 29 prillit deri më 2 maj marrin pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës, e aty është edhe “Siparantumi” i Pejës, i njohur tashmë edhe botërisht. Pjesëmarrjen e ka bërë të ditur ekipi i këtij kori, nëpërmjet një komunikate për media të enjten.
“Kombinimi i angazhimit social dhe krijimit të muzikës së bashku e bën Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinjtë një ngjarje unike në Evropë! Neerpelt tashmë po përgatitet për edicionin e 70-të të festës më të madhe të muzikës në Evropë. Në këtë edicion do të marrin pjesë 50 kore nga 11 vende që vijnë nga e gjithë bota”, është shkruar në komunikatë.
Varësisht nga mosha dhe formacioni, “Europian Music Festival for Young People” ndan çmime në tetë kategori në dy prej të cilave garon “Siparantumi”, i cili pak më shumë se një muaj më parë, vulosi suksesin edhe në Gjermani, me seri koncertesh prej të cilëve edhe ai në sallën e Filharmonisë së Berlinit.
Repertori i Korit për pjesëmarrjen e radhës në “Europian Music Festival for Young People” përmban vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga renesanca, muzika shqiptare deri te muzika bashkëkohore.
“Kënga e vjetër flamane ‘Ik Sed Adieu’ (1544), vepër e obligueshme në festival, do të paraqitet me një version ndryshe, e cila është përpunuar enkas për këtë konkurs, nga kompozitori dhe dirigjenti i korit Memli Kelmendi. Pjesë e programit do të jetë, po ashtu, vepra ‘Laudes Paschales’ (vepër e obligueshme) e Kristian Van Ingelgem, një vepër shumë komplekse dhe interesante”, është shkruar në komunikatë.
Edhe
Kori “Siparantum” me dy çmime të para në Belgjikë
Përveç pjesëmarrjes garuese, kori nga Kosova do të mbajë edhe disa koncerte në kuadër të këtij festivali.
“Është përzgjedhur nga festivali që të jetë pjesë e ngjarjes ‘Happening’, një koncert tradicional që bashkon zëra nga e gjithë bota. Kori do të paraqitet me tri vepra të stileve të ndryshme, të cilat do të jenë në shoqërim të pianistit tonë të njohur, Agron Shujaku”, ka bërë të ditur “Siparantum”.
Por, prezantimi i korit, por edhe i muzikës shqiptare nuk përfundon me kaq.
“Me ftesë të festivalit ‘Europian Music Festival for Young People’, është organizuar edhe një workshop (punëtori) për ‘Muzikën korale kosovare’ e cila do të dirigjohet nga dirigjenti ynë, Memli Kelmendi”, është shkruar në komunikatë.
“Siparantum” po punon intensivisht për pjesëmarrjen në ngjarjen e madhe, jo e panjohur për këtë formacion.
Edhe
“Siparantum” akordohet për jubileun e themelimit
“Anëtarët e korit përgjatë këtyre muajve kanë bërë një punë fantastike. Një rrugëtim që nuk ka qenë aspak i lehtë, sepse të them të drejtën repertori ynë, në të shumtën e rasteve, ka ndryshuar, nuk ka qenë i njëjtë, pavarësisht vendeve dhe skenave të ndryshme që kemi performuar në Evropë. Ne jemi në vazhdën e provave intensive, dua të besoj në suksesin e radhës, uroj të paraqitemi suksesshëm”, citohet të ketë thënë dirigjenti dhe themeluesi i korit Memli Kelmendi. Ai ka shtuar se “Siparantum” do të performojë para një jurie profesionale e cila përbëhet nga emrat më të njohur të muzikës korale në botë. Këtë festival, çdo vit e vizitojnë rreth katër deri në gjashtë mijë njerëz nga Evropa dhe bota”, ka thënë ai.
I suksesshëm duket të jetë edhe ky vit për korin e themeluar më 2017. I tillë qe edhe viti i kaluar. “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s kori mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vjetëm, kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.