“Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni që udhëhiqet nga dirigjenti Memli Kelmendi ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës
Kori nga Kosova, tashmë i njohur botërisht, është bërë i pashmangshëm kur organizime me traditë ndajnë çmime. “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni që udhëhiqet nga dirigjenti Memli Kelmendi ka triumfuar.
Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.
“Kombinimi i angazhimit social dhe krijimit të muzikës së bashku e bën Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinj një ngjarje unike në Evropë! Neerpelt tashmë po përgatitet për edicionin e 70-të të festës më të madhe të muzikës në Evropë. Në këtë edicion do të marrin pjesë 50 kore nga 11 vende që vijnë nga e gjithë bota”, njoftonte “Siparantum” para nisjes.
Të dielën pasdite KOHA ka provuar të komunikojë me dirigjentin Memli Kelmendi, por ka qenë e pamundur shkaku i angazhimeve pasi formacioni kishte koncert në ngjarjen e vjetër për nga tradita.
Varësisht nga mosha dhe formacioni, “Europian Music Festival for Young People” ndan çmime në tetë kategori.
Edhe
“Siparantum” i pari në Belgjikë, drejt Vjenës për 200-vjetorin e veprës ikonike të Beethovenit
“Siparantumi” më shumë se një muaj më parë vulosi suksesin edhe në Gjermani, me seri koncertesh prej të cilave edhe ai në sallën e Filharmonisë së Berlinit.
Repertori i Korit për pjesëmarrje në “Europian Music Festival for Young People” përmbante vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga renesanca, muzika shqiptare deri te muzika bashkëkohore.
“Kënga e vjetër flamane ‘Ik Sed Adieu’ (1544), vepër e obligueshme në festival, do të paraqitet me një version ndryshe, e cila është përpunuar enkas për këtë konkurs, nga kompozitori dhe dirigjenti i korit Memli Kelmendi. Pjesë e programit do të jetë, po ashtu, vepra ‘Laudes Paschales’ (vepër e obligueshme) e Kristian Van Ingelgem, një vepër shumë komplekse dhe interesante”, paralajmëronte Kori para nisjes në Belgjikë.
“Siparantum” punoi intensivisht për pjesëmarrjen në ngjarjen e madhe, jo e panjohur për këtë formacion.
Edhe
“Siparantum” i Kosovës në festivalin e madh evropian
“Anëtarët e Korit gjatë këtyre muajve kanë bërë një punë fantastike. Një rrugëtim që nuk ka qenë aspak i lehtë, sepse të them të drejtën repertori ynë, në të shumtën e rasteve, ka ndryshuar, nuk ka qenë i njëjtë, pavarësisht vendeve dhe skenave të ndryshme që kemi performuar në Evropë. Ne jemi në vazhdën e provave intensive, dua të besoj në suksesin e radhës, uroj të paraqitemi suksesshëm”, citohej të ketë thënë dirigjenti dhe themeluesi i korit Memli Kelmendi.
I suksesshëm për Korin e themeluar më 2017 ishte edhe viti i kaluar. “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vjetëm, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.