Kulturë

“Siparantum” feston sukseset me koncert shumëngjyrësh, aty ku e nisi rrugëtimin, në “DAM”

Ambienti i kishës katolike “Shën Ndou” tashmë është i vogël për koncertet e “Siparantum” nga Peja. Jo veç sa i përket hapësirës performuese, por edhe asaj që akomodon publikun. Paralajmërimi se edicioni i sivjetmë i Festivalit do të mbyllet zyrtarisht me koncert të “Siparantum” ka ngjallur interesim të madh për ta shikuar koncertin. Kori veç ia ka dalë ta fitojë popullaritetin. Këtë e ka përmendur bashkëthemeluesi i Festivalit, Dardan Selimaj, qysh para se të niste koncerti. Ka thënë se para pesë vjetësh ky formacion për herë të parë ka interpretuar në njërën prej netëve të “DAM”, kurse kësaj radhe do të mbante koncertin e 99-të me radhë

Kori “Siparantum” tashmë i ka kaluar kufijtë e Kosovës e të rajonit sa i përket dëshmimit të profesionalizmit. Formacioni koral nga Peja, një grumbullim vullnetar i prirë nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi, ia ka dalë që të dëshmohet në salla prestigjioze e gara me nam ndërkombëtar. Por të dielën mbrëma janë kthyer në zanafillë. Aty ku e patën edhe paraqitjen e parë me koncert: në festivalin “DAM”.

Ambienti i kishës katolike “Shën Ndou” tashmë është i vogël për koncertet e “Siparantum” nga Peja. Jo veç sa i përket hapësirës performuese, por edhe asaj që akomodon publikun. Paralajmërimi se edicioni i sivjetmë i Festivalit do të mbyllet zyrtarisht me koncert të “Siparantum” ka ngjallur interesim të madh për ta shikuar koncertin. Kori veç ia ka dalë ta fitojë popullaritetin. Këtë e ka përmendur bashkëthemeluesi i Festivalit, Dardan Selimaj qysh para se të niste koncerti. Ka thënë se para pesë vjetësh ky formacion për herë të parë ka interpretuar në njërën prej netëve të “DAM”, kurse kësaj radhe do të mbante koncertin e 99-të me radhë.

“Asokohe Festivali ka qenë më i njohur se kori. E tash kori është më i njohur se Festivali dhe për këtë jemi të lumtur”, ka thënë Selimaj para se në skenë të dilnin anëtarët e korit. Kanë zgjedhur një program të veçantë në mënyrë që paraqitja të sjellë risi, e po ashtu të jetë edhe një festë për sukseset e arritura deri më tash. “Siparantum” pos muzikës klasike, “ecën” edhe me kompozime që interpretimin e bëjnë më tërheqës, e ku nuk hyn në punë veç vokali por edhe lëvizjet duke shtuar dramaticitetin dhe kuptimin e paraqitjeve të formacionit. Koreografia ua shton vlerën. Kjo është një prej pikave të tyre të forta. Për gati një orë e gjysme kanë mbajtur publikun në botën e tyre. Atë të interpretimit koral. Instrumentet si pianoja, klarineta, harmonika e kanë plotësuar paraqitjen. Interpretimi i veprave shqiptare me ato të huaja ka krijuar një kombinim të veçantë. E shtrirja e veprave sa u përket periudhave kohore ka përfshirë pesë shekuj, duke dëshmuar se “Siparantum” ka krijuar traditë si formacion.

“Ukuthula” si lutje afrikane për paqe, një këngë tradicionale zulu, e “Glow” e Eric Whitacre janë ku Denita Dedushaj ka luajtur në piano, janë veç dy prej veprave të interpretuara. Me Urta Hazirajn soprano Kori ka rikthyer në skenë “Nji lule” të Rexho Mulliqit duke i dhënë mundësinë publikut që të dëgjojë një prej perlave të veprave shqiptare. Meloditë labe të shoqëruara në klarinet nga Sead Muqa kanë lëvizur nëpër gjeografinë shqiptare duke prekur tinguj e rryma të pasura muzikore. Siparantum tashmë ia ka “marrë dorën” veprave kulminante. “Ater Umbra” e Memli Kelmendit me bariton Shaban Behramajn, po ashtu ishte pjesë e repertorit të së dielës mbrëma.

Të pranishmit e ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan më 2016 kishin dëgjuar veprën premierë të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj kushtuar shenjtërores. Asokohe qe interpretuar nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, kurse të dielën mbrëma erdhi premierë kosovare e adaptuar për soprano, kor të përzier dhe harmonikë. Me Elonë Sadikun soprano e Filip Petreskin në harmonikë, publiku ka dëgjuar veprën e Aliçkajt, i cili është një prej kompozitorëve më premtues të gjeneratës së re.

“Në përgjithësi mirë ka qenë e interpretuar vepra ime. Edhe pjesa e korit edhe solisti. Harmonika besoj që ka qenë mirë, pasi vepra nuk është e lehtë për interpretim”, ka thënë Kreshnik Aliçkaj pas koncertit.

Sipas tij, në përgjithësi ishte një koncert i mirë me vepra të larmishme prej shekullit XVI deri në shekujt XX e XXI. “Vepra ime për herë të parë është interpretuar në Vatikan në vitin 2016 me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze. Në këtë rast kam bërë një përshtatje për kor dhe harmonikë. Më pëlqeu si e kanë interpretuar dhe besoj se do të kemi prapë bashkëpunime të tjera”, ka thënë ai.

Por sa u përket premierave, Kori nuk është ndalur me kaq. Premierë kosovare po ashtu ka qenë edhe vepra “Pax” e kompozitorit Memli Kelmendi. E dirigjuar prej tij, vepra ka zgjuar kureshtja sa u përket elementeve që përfshin jo veç në vokal. Kelmendi njihet për mjeshtërinë e tij krijuese.

“Vepra ‘Pax’ është kompozuar për Olimpiadën e Koreve Botërore. Është interpretuar atje në tetor të vitit të kaluar. Besoj që është një vepër atraktive që paraqet paqe dhe ka elemente të ndryshme ku secili mund të gjejë diçka brenda saj”, ka thënë kompozitori e dirigjenti Kelmendi. Në këtë koncert janë luajtur edhe disa vepra të krijuesve botërorë të aranzhuara nga Kelmendi. Gjithçka ka ngjarë me një festë.

Kelmendi ka thënë se është i lumtur që janë pjesë e këtij Festivali. Ka treguar se janë ndier jashtëzakonisht mirë dhe janë munduar që suksesin të cilin ia kanë sjellë vendit përgjatë këtyre muajve, t’ia sjellim edhe publikut vendas.

“Na ka marrë malli pasi pandemia na ka penguar në zhvillimin e aktiviteteve muzikore, por sikurse edhe krejt aktivitetet e tjera. Me kërkesën tonë ka qene ideja që vepra e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj të jetë pjesë repertorit tonë dhe të adaptohet për solistë, kor dhe harmonikë. Mendoj që ka funksionuar shumë mirë. Është një vepër që pasuron repertorin tonë koral. Mendoj se edhe koret e tjera duhet ta kenë pjesë të repertorit”, ka thënë ai. Disa herë ka përsëritur se kanë përzgjedhur një program kolosal në bazë të zhvillimit të aktiviteteve të tyre, sidomos në shtatë muajt e fundit. Kohëve të fundit kanë qenë shumë aktivë në skenën evropiane.

Në maj të këtij vitit “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.

“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit të kaluar, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.

E festa e suksese është mbajtur pikërisht aty ku edhe nisi rrugëtimi, në festivalin “DAM”.

Edicioni i 17-të me radhë i festivalit zyrtarisht ka përfunduar të dielën mbrëma pas një maratone koncertesh. Pas një jave do të ketë edhe një koncert “Post-DAM”.

“Festivalit i ka sfidat e veta nga edicioni në edicion. Ne ende vazhdojmë të mos kemi kushtin elementar: një sallë. Kjo më së miri është evidentuar edhe sot. Por kemi arritur të përmbushim atë që e kemi mision si festival. Kori u kthye pas pesë vjetësh në Festivali tonë me koncertin e 99-të pas çmimeve të marra nëpër Evropë. Ishte një program tejet atraktiv e sfidues që është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku”, ka thënë bashkëdrejtuesja e “DAM” Rreze Kryeziu-Breznica. Festivali për 17 vjet ka sjellë në Kosovë emra që tash kanë nam botëror në muzikë. Misioni do të vazhdojë.