“Lojërat Evropiane të Koreve”, që sivjet në edicionin e pestë mbahen në Norrköping të Suedisë, janë stacioni i radhës i korit “Siparantum” i njohur tashmë botërisht. Ky është destinacioni i radhës pas Koresë së Jugut para katër muajsh dhe ka tjetër peshë. Do ta ketë pjesëmarrjen në nivelin më të lartë artistik deri më tash.”, ka thënë Memli Kelmendi, udhëheqës dhe dirigjent i Korit. “Padyshim që pjesëmarrja e ‘Siparantum’ në “Grand Prix of Nations” është një arritje e madhe dhe hap mundësi për rritje dhe suksese të tjera në të ardhmen
Kori “Siparantum” nga Peja, tashmë formacion me nam jo veç në rajon, është në përgatitjet e fundit para se të marrë pjesë në një prej garave më prestigjioze të koreve. “Lojërat Evropiane të Koreve” në Norrköping të Suedisë do të jenë nikoqire të koreve nga 24 shtete. “Siparantum”, që udhëhiqet nga dirigjenti Memli Kelmendi, do të garojë në kategorinë kryesore, “Grand Prix of Nations”. Është në konkurrencë me kore të përziera profesionale. Prej 28 tetorit deri më 5 nëntor, qyteti suedez që gjendet 160 kilometra në jugperëndim të Stokholmit do të shndërrohet në arenë të garave midis koreve.
Me krejt çmimet që ka, “Siparantum” kësaj radhe do të ketë pjesëmarrjen në nivelin më të lartë artistik deri më tash. Për këtë, formacioni koral nga qyteti perëndimor i Kosovës ka kohë që është duke u përgatitur. Para koncertit garues të së hënës, “Siparantum” do të ketë një performancë të shtunën në formatin që njihet si “Friendship Concort” në “Muzeun e Punës” në Norrköping. Paraprakisht, është dashur goxha punë për t’u përgatitur, e në këtë rast, do të promovojë traditën muzikore të Kosovës.
“Ky koncert është tejet i rëndësishëm për muzikën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Do të kemi kënaqësinë të dedikojmë këtë ngjarje të veçantë kompozitorëve shqiptarë dhe promovimit të kulturës sonë, mision ky i korit tonë. Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike. Është një shprehje e thellë e vlerave tona kulturore dhe një mundësi e rëndësishme për të prezantuar dhe ndarë kulturën tonë me botën”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi. Më pas, të hënën do të marrë pjesë në gara me koncertin që do të mbahet në qendrën e aktiviteteve “Louis de Geer konsert & congress”. Shkaku i rregullave të përcaktuara nga garat që organizohen nga “Interkultur”, programi nuk mund të publikohet paraprakisht.
“Në këtë ngjarje marrin pjesë vetëm koret që kanë arritur një sukses të dukshëm në arenën ndërkombëtare, kanë përvojë të pasur në garat e muzikës korale dhe janë shpërblyer me çmime të çmuara. Po ashtu, këto kore duhet të kenë shënuar mbi 870 pikë në ‘World Ranking List’ (Lista e koreve më të mira në botë). Prandaj, është një arritje e jashtëzakonshme për korin tonë”, ka thënë dirigjenti Kelmendi. Derisa ka folur për përgatitjet intensive ka thënë se janë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të konkurrencës, pasi në “Grand Prix of Nations” marrin pjesë vetëm koret e kualifikuara, dhe kjo është gara më e lartë artistike.
“Ne kemi punuar me përkushtim të madh për këtë garë dhe jemi të përgatitur për një performancë të jashtëzakonshme. Unë besoj thellësisht në aftësitë, energjinë dhe përkushtimin e të gjithë anëtarëve të korit ‘Siparantum’”, ka thënë Kelmendi.
Edhe
“Siparantum” jehon në Suedi me zërin e Kosovës
Sipas tij, padyshim që pjesëmarrja e “Siparantum” në “Grand Prix of Nations” është një arritje e madhe dhe hap mundësi për rritje dhe suksese të tjera në të ardhmen. Ka thënë se përvoja në ngjarje të tilla prestigjioze e vendos korin në një pikë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë me faktin që në këtë garë janë shtatë anëtarë të jurisë profesionale dhe kritikat që marrin janë tejet të rëndësishme për të ardhmen.
“Do të thosha që garat vendosin një rregull brenda punës artistike, prandaj ne këtë e konsiderojmë si tejet të rëndësishme”, ka thënë ai, pak ditë para se me 42 anëtarë të Korit të udhëtojë për në atë që në Suedi njihet si qyteti i dritave.
Kësaj radhe, “Siparantum” do të udhëtojë me formacion të plotë, për dallim nga “World Choir Games” në Kore të Jugut, ku për shkak të fondeve, në korrikun e sivjetmë qe dashur që të reduktojë numrin e anëtarëve pjesëmarrës. Por kjo nuk çoi peshë. Mori dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të kësaj gare. U shpall fitues absolut në të dy kategoritë ku ka garuar; atë të Muzikës Bashkëkohore dhe të Korit të Përzier. Kelmendi ka thënë se sukseset e dëshmuara gjatë viteve të fundit në arenën ndërkombëtare, kanë ngjallur interesim për përkrahje të punës së tyre. Ambasada e Kosovës në Suedi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Kulturës, Fondacioni “SunnyHill”, kompania e sigurimeve “Dukagjini” janë midis përkrahësve të Korit të themeluar si formacion vullnetar më 2017.
Por shpejt Kori ka bërë jehonë ndërkombëtare. Është vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” – që është kategoria më e vështirë e festivalit “Lisbon Sings” në Portugali. “Siparantum” ia kishte dalë të zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës. Festivali është aktivitet që bën pjesë në “World’s Best Choirs Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles”. Po ashtu, më 2022 “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i ishte ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj të 2022-s kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.
Edhe
“Siparantum” akordohet për jubileun e themelimit
“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit 2021, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.
“Paraqitja pranë audiencës suedeze mendoj që është e rëndësishme, me faktin që në Suedi udhëtojmë për herë të parë”, ka thënë dirigjenti Kelmendi para udhëtimit për në qytetin që laget nga Baltiku. Formacioni koral që ka marrë shpërblime në vende të ndryshme është me shpresë që Kosovës do t’i sjellë edhe një trofe nga shteti skandinav.