Filmi i metrazhit të shkurtër “Silent”, i autorit Luan Radoniqi, është fitues i çmimit për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit “Film Flaka 2018” që është manifestim përcjellës i “Flakës së Janarit 2018”.
Ky është festivali i tretë me radhë e në hapje të festivalit, Burim Baftiu, përgjegjës për këtë ngjarje, ka thënë se në mbrëmjen e festivalit të filmit do të shfaqen nëntë filma të ndryshëm, kurse juria në përbërje Rron Ismajli, Blerta Hyseni dhe Durim Kryeziu kanë përgjegjësinë e zgjedhjet së filmit më të mirë.
“Sivjet vije edhe një premierë nga Maqedonia”, ka thënë Baftiu, që u ka uruar shikim të këndshëm të pranishmëve.
Më pas me radhë janë shfaqur filmat: “The Garbage” me autor Kushtrim Asllani, “Silent (poster)” i Lum Radoniqit, “Institucioni i Andrrave” - Trëndelinë Halili, “A Performance” i Dritëro Mehmetajt, “Reporteri” i Leotrim Idrizit, “Antena” i Gentian Koçit, “The Junction” i Xhelal Halitit, “Taxi” i Arben Fejzullahut dhe “Fatalist” i Edin Aliajt.
Festivalin e filmit “Film Flaka” e ka përmbyllur Shpresa Kurteshi – Emini, e cila tha se “Flaka e Janarit” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndër shqiptarë, kurse ky festival ka përkuar edhe me 70-vjetorin e rënies së Haki Efendi Sermaxhajt.
Edhe Bashkim Nexhepi, udhëheqës i Këshillit Drejtues të “Flaka..” ka thënë se sivjet ka pasur prurje shumë cilësore dhe se publiku ka shijuar vlera të mirëfillta kulturore.
Edhe
Urim Salihu, fitues i festivalit “Fest Flaka 2018”
Gjithashtu, në këtë mbrëmje është ndarë edhe çmimi për fotografinë më të mirë në kuadër të “Foto Flaka” dhe këtë çmim e mori Arben Llapashtica. Ekspozita me fotografi po qëndron e hapur në hollin e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
“Flaka e Janarit 2018” këtë të diele vazhdon me manifestimin “Xixat e Flakës”, Festival i Këngës për Fëmijë.