Dorëshkrime të humanistes shqiptare, fotografi të rralla e dokumente të vizitës së saj të parë në Shqipëri, janë shpalosur të martën në ndërtesën e Presidencës së Shqipërisë. Ekspozita që shënon 7-vjetorin e shenjtërimit të Anjezë Gonxhe Bojaxhiut ka mbledhur personalitete të larta të të dyja shteteve, Kosovës e Shqipërisë.
Ekspozita përmban materiale arkivore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se ekspozita shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.
“Sot ne mblidhemi këtu për të nderuar shpirtin e jashtëzakonshëm të një shenjtoreje që e jetoi jetën me dhembshurinë, dashurinë dhe në shërbim ndaj njeriut të pamundur, shenjtores shqiptare, Nënë Terezës”, ka thënë presidenti Begaj. Sipas tij, ekspozita paraqet udhëtimin e jashtëzakonshëm të Shën Terezës, si dhe iniciativat e reja për të promovuar madhështinë e figurës së saj. “Le të marrim një moment për të reflektuar mbi ndikimin thelbësor që ajo pati në botë”, ka thënë Begaj. I pari i Republikës së Shqipërisë ka thënë se jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë, përderisa përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën.
“Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim, vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat”, ka thënë Begaj.
Edhe
Osmani: Vepra e Nënës Terezë i mbush zemrat me krenari
Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Shqipëri për një vizitë zyrtare, ka thënë se trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën.
“Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin”, ka thënë ajo. Sipas presidentes Osmani, nëpërmjet këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare.
“Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, ka thënë ajo.
Kurse drejtori i përgjithshëm i arkivave, Ardit Bido, e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terezës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga institucioni që ai udhëheq gjatë procesit të përpunimit të fondit të ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia.
“Është një figurë shumëdimensionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethënës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale”, ka thënë, midis të tjerash, Bido.
Edhe
Ambasada e Kosovës në Shkup bëhet me bust të Shën Terezës
Shën Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë. Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. Kurse më 5 shtator të atij viti ishte mbajtur ceremonia e shenjtërimit. Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit “Nobel” për paqe.
Ajo ishte kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla dhe ishte kujdesur për 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri. Qe humaniste që trajtoi 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, përderisa kujdesej edhe për 3 mijë e 400 pleq të braktisur. Pos kësaj, kishte nën kujdestari 160 fëmijë bonjakë.