Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Drita e Gonxhes” me ndalesë edhe në Prizren

Edicioni i tretë i manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes” kushtuar figurës së Nënë Terezës të martën ka zbarkuar edhe në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Në këtë aktivitet janë prezantuar botimet e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) dhe numri i dytë i revistës “Drita” dedikuar humanistes së mbarë njerëzimit.

Biografi i Gonxhe Bojaxhiut, dom Lush Gjergji, ka theksuar se karvani i këtij manifestimi gjatë këtyre ditëve ka bashkuar Shkupin, Prishtinën e Prizrenin në frymën e dashurisë së Nënë Terezës. Sipas tij, ajo ka qenë përfaqësuesja më e mirë në botë e vlerave dhe virtyteve të popullit shqiptar.

“Kështu që Gonxhja jonë është përfaqësuesja, është ambasadorja më e mirë e popullit tonë gjatë gjithë shekujve, sepse në të vijnë në shprehje në nivelin botëror vlerat dhe virtytet tona. Prandaj në Gonxhen ne e gjejmë vetveten dhe të vërtetën, në Gonxhen ne e gjejmë lashtësinë dhe historinë, autoktoninë, në Gonxhen ne e gjejmë një mrekulli e cila ndodh në popullin tonë me mikpritje dhe bujari të rrallë”, ka thënë Gjergji.

Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, ka theksuar se angazhimi i këtij instituti shkon në drejtim të nxjerrjes në sipërfaqe të figurave të shquara të popullit shqiptar, gjithnjë duke pasur parasysh edhe tendencat e të tjerëve për t’i përvetësuar apo tjetërsuar ato. Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të mburren me Nënë Terezën.

“Për atë si institucion kemi themeluar institucionin e parë në botë për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës, jo vetëm që e kemi parë si borxh, sepse Gonxhja ka lindur në Prizren, familja e saj ka qenë e rrethit të Prizrenit, por edhe dimë ta trajtojmë një figurë markante të popullit shqiptar”, ka thënë Asani.

Edhe Ambasada e Kosovës në Shkup bëhet me bust të Shën Terezës Kulturë Ambasada e Kosovës në Shkup bëhet me bust të Shën Terezës

Profesori Emin Azemi ka përkujtuar se si në të shkuarën në Maqedoninë e Veriut ka ekzistuar një tendencë për përvetësimin e origjinës e prejardhjes së Nënë Terezës që, sipas tij, është shuar tashmë.

“Me themelimin e Departamentit të trashëgimisë për ruajtjen e trashëgimisë dhe studimin e emrit dhe veprës së Nënë Terezës në kuadër të Institutit tonë këto tendenca në njëfarë mënyre janë shuar. Ne nuk e kemi bërë vetëm me fjalë, por edhe më vepra, duke filluar nga një elaborat, të cilin ne si Institut e kemi dorëzuar në Qeveri dhe në Kuvend, me të cilin kemi dashur që emri dhe vepra e Nënë Terezës të shpallet pasuri kombëtare”, ka thënë Azemi.

Angazhimet shkencore të Institutit me seli në Shkup janë vlerësuar edhe nga Xhafer Beqiraj, dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti”.

“Botimet e Institutit janë një dëshmi e përkushtimit dhe vlerave që kemi trashëguar nga paraardhësit tanë. Kjo është një përpjekje e çmuar që do të ndihmojë të forcojmë kujtesën tonë historike, të ruajmë trashëgiminë shpirtërore dhe t’i përcjellim ato vlera te brezat e ardhshëm”, ka thënë dekani Beqiraj.

Ndërkaq Mentor Alishani, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti”, është shprehur mirënjohës që manifestimi “Drita e Gonxhes” sivjet po realizohet edhe në Prizren, qytet që ka lidhje të veçantë me familjen Bojaxhiu.

Edhe Shteti shqiptar me ekspozitë zbardh dokumente për Shën Terezën Kulturë Shteti shqiptar me ekspozitë zbardh dokumente për Shën Terezën

"Humanizmi, dashuria, bamirësia, përkushtimi, paqja, ndihma, sakrifica, frymëzimi, shërbimi dhe jeta e shenjtë janë vetëm disa fjalë që reflektojnë thellësinë e shpirtit të saj dhe ndikimin që pati Nënë Tereza në ndihmën e të varfërve dhe të sëmurëve në mbarë botën”, ka thënë rektori Alishani.

Manifestimi tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes” u hap ditë më parë me aktivitete të realizuara në Shkup dhe në Prishtinë, për të vijuar programin në ditët në vijim me ndalesat në Prishtinë, Letnicë e Tiranë.