Imazhi i Enver Hoxhës, tiranit të frikshëm, dikur ishte i gjithëgjendshëm në Shqipëri. Shtatorja e tij e fundit ruhet nga një mbrojtëse pjesërisht qorre, 80-vjeçare. “Askush nuk e do më”
I platitur në kashtë e në pluhurin e dyshemesë së plevicës, diktatori dikur i gjithëfuqishëm rri si mosmëkeq në shpinë. Me fytyrën e pëgërë me glasa zogjsh, ai vështron zbrazëtisht kah çatia në të rënë, një poshtërim përfundimtar për liderin, sytë gjithëpamës të të cilit mbanin miliona njerëz në robëri lemerie për katër dekada.
Enver Hoxha, që vdiq më 1985, ishte tirani komunist më jetëgjatë dhe më i frikshmi në Evropë, duke krijuar një kult personaliteti që e la shtetin e vobektë ballkanik të Shqipërisë të lloçkovitun me statuja grandioze, buste të mermerta dhe portrete vige në nderim të tij.
Tash, 30 vjet pasi u vithis sistemi brutal që la pas vete, kulti është mpakur në një homazh të vetëm, i rrëzuar nga piedestali i gurtë në një fshat të largët malor dhe i hedhur në një plevicë – por ende i ruajtur natë e ditë nga një plakë shqiptare dhe e bija e saj.
“Në kohën e tij ai ishte burrë i mirë, por askush nuk e do më”, ka thënë Sabire Plaku, 80-vjeçe. “E kam mbrojtur atë me krejt takatin tim”.
Ani pse tani është thuajse e shurdhër e pjesërisht qorre, ajo ende çapitet çdo ditë prej shtëpisë së saj në Labinot në malet e Shqipërisë Qendrore drejt plevicës së afërt për t’u siguruar që diktatori i urryer kudo është mirë.
Edhe
Diktatori paranojak që ndërtoi bunkerë, jo mirëqenie
Edhe pse nuk është kushedi sa e dhënë pas politikave të Hoxhës – një shkartisje e helmatisur e paranojës staliniste dhe represionit, me një izolim të stilit të Koresë Veriore dhe mjerimit ekonomik – zonja Plaku ende e ndien për detyrë të ruajë atë që thuajse me siguri në Shqipëri është e fundit statujë e paprekur e njeriut që e vuri në hartë fshatin e saj të largët malor e tash të harruar.
Ishte këtu në Labinot ku Hoxha e mori për herë të parë drejtimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj më 10 korrik 1943 Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Kjo forcë guerile, e ndihmuar prej Britanisë dhe partizanëve komunistë nga Jugosllavia fqinje, ndihmoi në mposhtjen e fashistëve invadues nga Italia e pastaj edhe nazistëve.
Pas mbarimit të luftës, Hoxha, një botanist i shkolluar në Francë, e mori kontrollin e Shqipërisë dhe filloi të qëronte shokët e tij të luftës. Labinoti u bë një vend pelegrinazhi, që e siguroi atë t’i shmangej më të keqes së deprivimit që e përshkoi vendin gjatë sundimit të tij 41-vjeçar. Fshati u bë me klinikë, me rrymë dhe muzë. Ai u bë edhe më një statujë të gjatë bronzi të “shokut suprem”.
Muzeu, i vendosur në një vilë të madhe të ndërtuar para luftës si strehë verore e më pas e konfiskuar nga komunistët e Hoxhës, e mbyllur dekada më parë, tok me klinikën dhe fermën kolektive. Një pjesë e pullazit të saj ka rënë dhe Qeveria e tanishme nuk ka treguar farë interesi për ta shpëtuar nga rrënimi.
Agim Qoku, historian lokal, ka thënë se ai kënaqej me tërheqjen e Shqipërisë nga politikat që, në kohën e Hoxhës, e bën vendin më të shtypurin dhe më të prapambeturin në Evropë. Por ai ende mendon se muzeu duhet të ringjallet si homazh jo për diktatorin, por për përpjekjen e Shqipërisë në kohë lufte kundër fashistëve të huaj.
Plevica ku Hoxha rri i shtrirë është në anën e muzeut të defunksionalizuar. Është e vetmja pjesë e vilës që, falë zonjës Plaku dhe të bijës, nuk është shkretuar.
Për të gjitha agonitë e sundimit të Hoxhës – kur Shqipëria u nda jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe më në fund edhe Kina, të cilat diktatori ballkanas i shihte si tepër liberale – disa fshatarë ende e kujtojnë sundimin e tij me nostalgji. Ai e përmirësoi kujdesin shëndetësor dhe shkollat në vend.
Ende një prej shteteve më të varfra në Evropë, Shqipëria ka “gjakderdhur” njerëz prejse studentët protestues e rrëzuan statujën e Hoxhës në qendër të kryeqytetit, Tiranë, në shkurt të vitit 1991. Ishte një shembull që së shpejti do të ndiqej nga qytete gjithandej vendit.
Në dekadën pasuese, pasuesit e Hoxhës, përfshirë edhe të shoqen, u vunë para gjykatës dhe kapitalizmi “i lirë për të gjithë” ia zuri vendin komunizmit dogmatik. Dhe thuajse çereku i popullatës migroi, jo për shkak se njerëzit gjakonin për rendin e vjetër, por për shkak se për herë të parë mund të dilnin jashtë e të gjenin punë. Më parë, përpjekja për të ikur nga Shqipëria ishte krim serioz që ndëshkohej me vdekje.
Ruzhdi Balla, pronari 42-vjeçar i një kafeneje të vogël – i vetmi biznes në Labinot – e mban mend vitin 1991, kur autoritetet nga qyteti më i afërt dërguan një vinç, shoqëruar me vetura policore, për të ngritur statujën e Hoxhës nga piedestali përballë muzeut. Punëtorët e ngrenë përpjetë statujën e pastaj u tërhoqën të lemeritur kur panë një gjarpër të madh të zi nën këmbët e saj.
Që nga ajo kohë, katër nga tetë familjarët e Ballës janë larguar në Greqi për të gjetur punë, derisa dy të tjerë e kanë braktisur fshatin e mpakur, që tani ka disa qindra njerëz.
Banorët nuk pajtohen nëse Hoxha mori atë që meritonte kur u rrëzua, porse ka një ujdi të gjerë se heqja e statujës së tij ishte hera e fundit kur zyrtarët qeveritarë i dhanë vëmendje fshatit të tyre.
“Le ta vëmë përsëri”, ka thënë vëllai i vjetër i pronarit, 72-vjeçari Islam Balla. “Turma televizionesh do të vijnë e do të na xhirojnë. Mbase atëherë botës do t’i bjerë ndërmend që ne ende ekzistojmë”.
Edhe
Rinjohja shqiptare
Pavarësisht fajeve të shumta, sipas vëllait të vjetër, diktatori të paktën kujdesej për Labinotin, duke e vizituar atë më 1968 kur shpalosi bronzin e tij. “Ishte një ditë vërtet spektakulare”, ka thënë Balla, teksa ka rikujtuar kremtimet. “Ne nuk kishim parë diçka të tillë deri atëherë”.
Të vetmit vizitorë sot, ka shtuar ai, janë ndoca “fanatikë” që vijnë njëherë në vit për të derdhur vrerin te piedestali i statujës së rrëzuar.
Për të përgatitur vizitën e vitit 1968, qeveria e risipërfaqësoi të vetmen rrugë që e lidhte fshatin me botën e jashtme. Një gjysmë shekulli më vonë, rruga është troshitur në një udhishtë me gropa.
Zoti Qoku, mësues fshati, ka thënë se ky vend ka qenë gjithnjë një botë e shkëputur, duke rënë nën Perandorinë Osmane shumë kohë pasi pjesa tjetër e Shqipërisë u pushtua dhe duke u bërë qëndresë nazistëve me aq zell sa aty ranë më shumë luftëtarë për kokë banori sesa gjithandej vendit.
Por këto sjellje noprane, ka thënë ai, e kanë vënë sot Labinotin në kundërshti me shpirtin e kohës, që mbizotërohet nga mohimi i Hoxhës dhe gjithçkaje të cilën ai e mbrojti. Në Tiranë e vetmja statuja e Hoxhës ende e paraqitshme për publikun është një bust i ronitur prej mermeri, me hundën e bërë copë e çikë dhe fytyrën e shpërfytyruar. Ai qëndron prapa galerisë kombëtare të artit, afër muzeut të nëndheshëm që detajon tmerret e policisë së fshehtë të Hoxhës, Sigurimi.
Punimet për ndërtim filluan sivjet në Tiranë me qëllim të shndërrimit të homazhit faraonik të Hoxhës – një piramidë kaba e ndërtuar me 1988 për t’i bërë vend një muzeu përkujtimor – në një kompleks kafesh, dhomash për klasa, si dhe studiove. E shkarravitur me grafite dhe e shkërmoqur, piramida më parë është përdorur si set horrori për një film, si bazë e përkohshme e NATO-s gjatë luftërave të viteve ’90 në Ballkan dhe si klub nate.
Zonja Plaku, rojtarja në moshë e Hoxhës në Labinot, ka thënë se ajo nuk ka dëshirë të shohë një tjetër lider si ai. Por ajo ndien njëfarë ndjesie të përgjegjësisë për të kaluarën.
E shqetësuar se hajdutët mund të vjedhin statujën e bronztë e ta shkrijnë atë për skrap, ajo vajton që “vetëm njerëzit e keq e duan Hoxhën sot”.
Me shëndetin e saj që ka marrë tatëpjetën, ajo thotë se e bija e saj, Fatush Balla, 66-vjeçe, së shpejti do të duhet ta mbrojë vetë statujën.
“E kam kryer detyrën time”, i thotë zonja Plaku të bijës teksa të dyja rrinë skaj kopshtit të tyre, ndanë një kumbulle. “Tani është radha jote ta ruash atë”.
E bija, që është rikthyer nga Greqia para shtatë vjetësh për t’u përkujdesur për nënën e saj, tashmë e ka marrë një pjesë të madhe të punës.
Ajo e viziton plevicën rregullisht për t’u siguruar që askush nuk e trazon kashtën që i rri si mbulojë dhe i vihet pas ndonjë vizitori kureshtar të cilin e dyshon për qëllime të këqija, duke kërcënuar se do të qëllojë këdo që hyn në plevicë pa lejen e saj.
“Ne e kemi mbrojtur atë për 30 vjet, por askush nuk na ka dhënë asgjë”, thotë e bija. “Unë nuk jap pesë pare për politikën dhe vetëm dua një jetë të dinjitetshme për vetën e për nënën time”.
Edhe
“Dalja n’dritë” me minatorët që shkundën themelet e ish-Jugosllavisë
(Përktheu: Salih Mehmeti)