Kulturë

Shqipëria – forca e shpirtit njerëzor

Tiranë, 2 dhjetor (“afsa.org”) – Merreni me mend të ecni në tunelin e gjatë të bunkerit të zbukuruar të presidentit të dikurshëm të Shqipërisë, Enver Hoxha, që e udhëhoqi – dhe e izoloi – vendin e tij nga viti 1941 deri në vdekjen e tij më 1985. Ne mejtuam për përpjekjet njerëzore të shpenzuara për të kënaqur paranojën e Hoxhës teksa mbante vendin në frikë. Ishte e paharrueshme.

“Ne” të dyja jemi zyrtare të pensionuara të Shërbimit të Jashtëm që, besnike ndaj rrënjëve tona, vazhdojmë të jemi qëndrestare. Së bashku ne kemi më shumë se 50 vjet përvojë në Departamentin e Shtetit. Ne u lidhëm kah mesi i viteve ’90 derisa punonim bashkërisht në Bjellorusi, një tjetër diktaturë vetmitare në Evropë. Doloresi ishte analiste për Bjellorusinë në Byronë e Inteligjencës dhe Kërkimit, kurse Maria ishte zyrtare e deskut.

Duke analizuar deklaratat presidentit të lig të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, një ish-bos i një ferme kolektive, kënaqeshim me skepticizmin e njëra-tjetrës dhe sensin ngucakeq të humorit. Na ndihmoi që të dyja se ishim të diplomuara nga i njëjti kolegj (paçka se humbëm njëra-tjetrën në Barnard në vitet ’70) dhe të dhëna pas historisë së Evropës Lindore.

Më shumë se njëzet vjet më vonë ne u ribashkuam në Ditën e Çështjeve të Jashtme 2019. Duke u prapakthyer në kohë, vumë re me pezëm që diktatori bjellorus, ende në pushtet, na kishte tejkaluar në punë. Qëlloi që Maria, ani pse ishte në pension, po nisej drejt Shqipërisë.

Sytë e Doloresit u zgjeruan. E mbyllur gjatë kohë për turistët – veçmas për diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendi e kishte ngashënjyer ndër vite. Ajo e shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar Marias nëse donte shoqëri.

Së shpejti e gjetëm veten në një kuturisje të papandehur në atë që ishte shteti më i ashpër komunist i Evropës…dhe u shtrënguam në hyrje të atij tuneli të gjatë e të ftohtë. Shenjat bënin me dije se ai nuk ishte për klaustrofobët.

Ecëm nëpërmjet një varg dyersh të betonta, të trasha, dy këmbë dhe zhbiruam dusha “dekontaminues” dhe regjistrime të çuditshme në audio të britmave të Hoxhës dhe turmave që këndonin himnin kombëtar, të rrëmbushura me vargun “me kazmë e pushkë”.

Strehimorja pesëkatëshe e Hoxhës, e përshkuar nga korridore të fshehta dhe rrugë arratisjeje, ishte menduar të mbronte sundimtarin prej një sulmi bërthamor, biologjik apo kimik (që kurrë nuk u bë). Në Shqipëri edhe njerëzit kishin bunkerë. Peizazhet urbane e ato fshatare janë të pikëzuara me ato që duken si breshka gjigande deti, testamente të deluzionit të Hoxhës se Shqipëria do të ndëshkohej për të qenit i vetmi shtet i pastër komunist në Evropë.

Ai nuk lejonte popullin e tij të dilte jashtë dhe as të huajt brenda. Duke iu shtuar këtij absurditeti, këta bunkerë nuk do të mbronin askënd nga asgjë, me përjashtim mbase të një tornadoje të rastësishme. Shumë sosh sot përdoren nga tinejxherët shqiptarë si vende për ahengje.

Tundëm kokën dhe u pajtuam se duhet t’i japim popullit shqiptar mirënjohje për të qenit një vuajtës i gjatë e unik në një botë që ofron garë të gjerë.

E ndodhur në Ballkan, Shqipëria ka qenë viktimë shekullore e politikave të fuqive. E pushtuar nga bizantinët, osmanët, sllavët, serbët, italianët dhe të tjerët, ajo mburret për një përzierje të begatë të traditave myslimane, ortodokse, katolike dhe sufiste mes një popullate prej tre milionë banorësh në një vend me madhësi sa Marylandi. Pavarësisht – ose mbase për shkak të – historisë së vet, vendi njihet ndërkombëtarisht për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Shqipëria mbase ka përzierjen më kaleidoskopike të feve, sistemeve politike dhe kulturave që kemi parë ndonjëherë në një vend kaq të vogël, që e bën krejtësisht të çuditshëm.

Një profesor shqiptar i historisë që kishte jetuar gjatë sundimit të Hoxhës na shoqëroi përmes Tiranës, duke ritreguar përvoja personale dhe qasje historike.

Ai na përkujtoi se Hoxha kishte qenë aq i inatosur me denoncimin që Hrushovi i bëri Stalinit aq sa i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe jozyrtarisht menjëherë u bë aleat me Kinën maoiste. Profesori përshkroi veshjen e detyruar kineze në atë kohë, një prej vinjetave më bizare gjeopolitike që kemi dëgjuar ndonjëherë.

Vazhduam tutje drejt Muzeut të Përgjimit, i njohur edhe si Shtëpia e Gjetheve, që u hap më 2017 në ndërtesën që shërbente si zyrë e Shërbimit të Fshehtë Shqiptar gjatë periudhës komuniste. Vizitorët mund të shohin pajisjet e shtypjes në një vend që po rrekej të ushqente njerëzit e vet dhe kishte më pak se 3 mijë vetura gjatë asaj kohe.

Një kuturisje nëpër qendër të Tiranës shpërfaqi një piramidë të mermertë e me xhama enormë e ndërtuar fill pas vdekjes së Hoxhës për ta nderuar atë dhe për t’i mbajtur posedimet e tij, diçka e ngjashme me faraonët. E mbushur me grafitë në një mënyrë të njohur për njujorkezët, ajo është e zbrazët derisa autoritetet janë në dy mendje për fatin e saj. Dhe vetëm pak më tutje është një prej vendeve kryesore të Tiranës, tani i quajtur sheshi “Nëna Terezë”.

Ne po ashtu udhëtuam në qytetin e Beratit, një stoli arkitekturore e periudhës osmane e përfshirë nga UNESCO në Listën Botërore të Trashëgimisë, duke bujtur në bujtinat e gurta shekullore. U ngjitëm drejt Kalasë, fortesës që mbizotëron qytetin, dhe vështruam përposhtë luginës shkronjat gjigande “E-N-V-E-R”, emri i parë i Hoxhës, para se shqiptarët t’i riaranzhonin ato për t’u dukur “N-E-V-E-R”.

Takuam shumë shqiptarë të vendosur për të kapërcyer të kaluarën, si Elton Çaushi, pronar i “Albania Trip”, një kompani që rreket të promovojë trashëgiminë politike dhe bukuritë natyrore të vendit. Ai na përkujtoi se si dy femra të reja shqiptare u rropatën dëshpërimisht të notonin drejt Korfuzit grek, duke mbuluar kokat e tyre me lëvore shalqinjsh për t’iu shmangur kapjes.

Ai dhe të tjerë ndërmarrës kreativë janë në zemër të integrimit të Shqipërisë në Perëndim. Në të vërtetë, “The New York Times Style Magazine” e ka quajtur Tiranën si një nga vendet më të këndshme të cilën shkrimtarët e saj e kanë vizituar vjet.

Dhe, në të vërtetë, shqiptarët janë pa drojë proamerikanë dhe adhurues të fortë të vlerave amerikane, siç na bëri të kuptojmë stafi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Njëri prej stafit vendor të angazhuar në Ambasadë tha se peizazhi amerikan që i kishte pëlqyer më tepër ishte Arlington National Cemetry – për shpërfaqjen e prekshme të respektit për heronjtë tanë dhe ushtarët e rënë.

Ne vazhduam udhëtimin te “Mullixhiu”, një restorant-fermë i udhëhequr nga një shef shqiptar që mori përvojë në restorantin e njohur danez “Noma” dhe u rikthye në Tiranë për të hapur restorantin e tij të klasit botëror. Shijuam një drekë të mahnitshme: jufka, pasta shtëpie me kokrra dëllinje dhe një desert kafeje.

Shqipëria tash është në NATO dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Derisa shqiptarët ngadalë po e rimarrin veten pas dekadash izolimi e shtypjeje, ata po e shndërrojnë një prej vendeve të varfra të Evropës në një shoqëri demokratike – dhe një destinacion fascionues për turistët.

Ne i jemi mirënjohëse Shqipërisë. Ajo na bëri sërish bashkë, duke na përkujtuar forcën e shpirtit njerëzor dhe pse u bëmë diplomate në radhë të parë.

Image Dolores para bunkerit të dikurshëm të Enver Hoxhës, tash atraksion turistik