Prishtinë, 31 gusht – Fëmijët shqiptarë në Evropën Perëndimore shqipen si gjuhë të parë e kanë vetëm në vitet e para pasi nisin të flasin. Atë e mësojnë në ambientet familjare. Por kur nisin të vijojnë institucionet edukuese, shqipja pothuajse me automatizëm e humb nivelin e përdorimit dhe kalon në një gjuhë që përdoret në ambiente të ngushta familjare. Nga gjuhë e parë kalon në të dytë.
Referimet e së enjtes në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare kanë nxjerrë në pah aspekte të ndryshme të mërgatës shqiptare në raport me gjuhën e vendit prej nga vijnë. “Shqipja në diasporë - diasporat e shqipes”, ka qenë tema e Sesionit shkencor të gjuhësisë në kuadër të Seminarit.
Profesori i gjuhës Rrahman Paçarizi ka shpalosur një kornizë të një hulumtimi që është në zhvillim e sipër e që përfshin një korpus të gjerë dhe natyrash të ndryshme, që shkojnë nga gjuha e folur e deri te ajo e folur dhe e shkruar në rrjetet sociale e në komunikimin instant.
Sipas studiueses Valbona Kalemi, emigrantët shqiptarë jetojnë në kushtet e një bilinguizmi tejet asimetrik, gjë që do të thotë se gjuha shqipe është e kufizuar në sferën familjare kryesisht, apo dhe në kontaktet e përditshme mes emigrantësh të grupmoshave të ndryshme.
Gjatë ditës së enjte, në sesionin shkencor të gjuhësisë është referuar mbi temën “Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes”.
Midis atyre që kanë shpalosur të dhëna nga hulumtimet ishin edhe Anton Pançev me kumtesën “Hulumtimet mbi të folmet e kolonisë dhe të diasporës shqiptare në Bullgari: Përfundime dhe metodologji”, Imri Badallaj me kumtesën “Italo-arbëreshët dhe ruajtja e gjuhës së tyre”, Kledi Shegani dhe Murat Koci me kumtesën “Mësimi plotësues i shqipes në Suedi përmes kompetencës gjuhësore dhe ndërkulturore” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).