Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria i përgjigjet UNESCO-s, zotohet për plan veprimi në Butrint

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë është zotuar për hartimin e një plani tërësor veprimesh për Parkun Kombëtar të Butrintit. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar të martën ndaj debatit publik të zhvilluar në lidhje me raportin e UNESCO-s për Butrintin. Sipas tij, Ministria që ai drejton i ka shqyrtuar me vëmendje të veçantë rekomandimet e Raportit të UNESCO/ICOMOS, si një dokument objektiv, konstruktiv dhe shumë të vlefshëm, dhe gjen rekomandimet e tij në përputhje me vizionin dhe qëndrimin për administrimin e qëndrueshëm e të integruar të Butrintit.

“Natyrisht, kemi vëmendje edhe ndaj diskutimeve zyrtare dhe publike lidhur me këtë raport, si dhe formën e re të administrimit të një nënzone të Butrintit”, citohet të ketë thënë Gonxhja i cili është emëruar në fillim të vitit, kur edhe Ministria e Kulturës u shkri në Ministri të Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit.

Muajin e kaluar Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji në një raport kishte tërhequr vërejtjen se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të Butrintit dhe u ka rekomanduar autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj. Çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese, e cila ditë më parë bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar Qeverisë raportin e UNESCO-s. Raporti i UNESCO-s ishte përgatitur në tetor të vitit të kaluar, por Qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik. Raporti i UNESCO-ICOMOS ngriti shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Butrinti u regjistrua në Listën e pasurive botërore të UNESCO-s prej vitit 1992.

Në reagimin e tij ministri Gonxhja ka shkruar se Ministria është e ndërgjegjshme se analiza e modelit të ri të administrimit të Butrintit duhet të zhvillohet rreth vlerave të jashtëzakonshme universale që bart kjo pasuri kulturore e njerëzimit.

“Vlerësimi i Raportit të UNESCO/ICOMOS se këto vlera janë të pacenuara është shumë i rëndësishëm. Por edhe vlerësimi tjetër se këto vlera mbeten të ekspozuara ndaj rreziqeve potenciale natyrore dhe njerëzore përputhet gjithashtu me gjykimin tonë”, ka thënë ai.

Edhe Për autoritetet shqiptare UNESCO-ja vlerëson progresin në Butrint Kulturë Për autoritetet shqiptare UNESCO-ja vlerëson progresin në Butrint

Në këtë kontekst, sipas tij, roli qendror i shtetit, jo vetëm nuk do të zbehet në formën e re administruese të një pjese të pasurisë universale, por do të jetë garantues i koherencës së mbrojtjes dhe zhvillimit të gjithë Parkut Kombëtar të Butrintit.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe entet e tjera shtetërore, qendrore dhe vendore do të ngremë Komitetin e Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, me një bazë të gjerë ekspertize dhe përfaqësimi, të aftë për të koordinuar dhe monitoruar zbatimin e strategjive dhe politikave të konservimit dhe administrimit të pasurisë universale të Parkut Kombëtar”, ka thënë ai.