Nisma për ndryshime në Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, ka ngritur në Kuvendin e Shqipërisë edhe akuzën se shteti shqiptar ka humbur kontrollin ndaj monumenteve duke ua lënë në dorë privatëve. Komisioni për Çështjet Evropiane ka shqyrtuar Projektligjin me nismën e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Në prezantim ajo ka thënë se thelbi i ndryshimeve ka të bëjë me faktin që ky ligj krijon tashmë praktikisht mundësinë për dhënien me koncesion të trashëgimisë kulturore.
“Ky ligj krijon mundësinë që fondacionet e krijuara për të menaxhuar trashëgiminë kulturore mund të jenë me përmbajtje mazhoritare privati dhe minoritare shteti. Pra shteti të jetë minoritar në vendosjen e të drejtave të trashëgimisë kulturore”, citohet të ketë thënë ajo derisa ka përmendur rastin e Butrintit.
“Në rastin e Butrintit shteti shqiptar nuk ka më zë në trashëgiminë kulturore. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk auditon dot më as fondet materiale, as fondet jomateriale... Shteti shqiptar i ka dhënë çdo të drejtë ekskluzive dhe posedimi një fondacioni privat, i cili sot qëllon të jetë ADF-ja, nesër me marrëveshje të tjera mund të jetë çdo fondacion i huaj që shpreh dëshirën apo lakminë për të shtënë në dorë trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë Zhupa. Ajo ka thënë se mund të ketë fondacione që ndihmojnë në menaxhimin e trashëgimisë kulture, “por këto duhet të jenë gjithmonë fondacione publike, ku 51 për qind të jetë shteti dhe pjesa tjetër mund të jetë privati”.
“Fuqinë kontrolluese gjithmonë ta ketë shteti shqiptar, për arsye sepse kjo është një pasuri publike dhe duhet të menaxhohet në shërbim dhe në funksion të publikut”, ka thënë ajo duke kërkuar që të votohet ky ndryshim që, “i jep mundësi çdo fondacioni që të japë donacione, të monitorojë paratë e veta, të ketë zë për lobimin e trashëgimisë kulturore, qoftë për ta avancuar atë përpara, por që nuk lejon asnjë fondacion që ta marrë atë në posedim përmbi shtetin shqiptar”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Klosi, ka thënë se “shteti shqiptar do të ketë të gjitha funksionet e tij në ruajtjen, në trajtimin, në kontrollin dhe në menaxhimin konform standardeve që Ligji i trashëgimisë kulture, por edhe konventat evropiane dhe konventat botërore kanë për këto objekte”.
Për Butrintin, ka thënë se ka qenë gjithmonë i mbështetur.
“Qeveria shqiptare ka zgjedhur që këtë objekt të jashtëzakonshëm, i cili për hir të së vërtetës në gjithë këto vite tranzicion ka qenë super i mbështetur nga fondacione të ndryshme, të cilat në kundërshtim të plotë me atë që tha zonja Zhupa kanë dashur të grabisin objekte të trashëgimisë kulturore, por jo në të kundërtën, kanë dashur të ngrenë lart vlerat e këtij objekti të trashëgimisë kulturore, duam që ky të krijohet dhe me rregulla të tjera, të ketë dhe më shumë vijueshmëri dhe vazhdueshmëri me këto donacione, por natyrisht të ketë dhe një menaxhim me standardet më të mira të trashëgimisë kulturore për ta kthyer atë në një objekt që kërkon dhe mirëmbahet në bazë të shumë syve që e vëzhgojnë”, ka thënë ministri Klosi.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa citohet të ketë thënë se “ministria përgjegjëse për kulturën nuk është absolutisht e përjashtuar në administrimin dhe bashkëpunimin në funksionimin e këtij fondacioni të posaçëm, duke qenë se është dhe pjesë e bordit drejtues dhe gjithashtu është ngritur dhe një grup monitorimi ndërinstitucional”.
“Çdo ndërhyrje, çdo vendimmarrje që lidhet me administrimin e Parkut të Butrintit është patjetër me miratim, dhe çdo ndërhyrje që bëhet aty kalon nëpër çdo këshill përkatës”, ka thënë Pipa.