Kronikë

27 vjet e 8 muaj burgim për të akuzuarit për vrasjen në Fushë-Kosovë

Gjykata Themelore Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, lidhur me akuzën për rastin e vrasjes së A.H., më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Bajrami me 11 vjet burgim.

Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzoheshin se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.

Gjykatësi Beka tha se dy të akuzuarit shpallen fajtorë sipas marrëveshjes së arritur për pranim fajësie për veprën penale “Vrasje” dhe i akuzuari Musliu edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Musliu për veprën penale “Vrasje” u dënua me 16 vjet burgim, ndërkaq për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me 16 vjet e 8 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Bajrami për veprën penale “Vrasje” u dënua me 11 vjet burgim.

Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Obligohet secili i akuzuar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 200 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimt.

Paraprakisht, Gjykata në seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas marrjes së mendimit të palëve, mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje”.