Kulturë

Për autoritetet shqiptare UNESCO-ja vlerëson progresin në Butrint

Parku i Butrintit

Çështja e Butrintit kishte dalë në pah në shkurtin e sivjetmë kur u bë publik raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji, e cila kishte tërhequr vërejtjen se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të Butrintit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë të martën ka dalë me qëndrim publik lidhur me projektvendimin e fundit të UNESCO-s për Butrintin.

“Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë kontekstit dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projektvendimit të QTB-së në fillim të javës së shkuar”, ka reaguar kjo ministri. Sipas saj, dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e kësaj ministrie dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it.

“MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projektvendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt. Vëmë re me kënaqësi se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por, përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe peizazhin e saj të mbrojtur”, ka shkruar Ministria.  

Në projektvendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025.

“Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit”, ka shkruar kjo ministri. 

Çështja e Butrintit kishte dalë në pah në shkurtin e sivjetmë kur u bë publik raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji që kishte tërhequr vërejtjen se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të Butrintit dhe u kishte rekomanduar autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.  Raporti i UNESCO-ICOMOS ngriti shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve, ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.