Vepra “Shpirti i traditës” e kompozitorit Valton Beqiri është interpretuar sot në kuadër të programit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Publiku, veçmas ai i huaji, u njoh nëpërmjet kësaj vepre me historinë e zhvillimit të muzikës shqipe nëpër epoka
Histori në çdo tingull është vepra “Shpirti i traditës” e Valton Beqirit. Veçmas kuptimplotë bëhet kur funksioni i saj vihet në zbërthim të zhvillimit, ndikimit e ruajtjes së muzikës shqiptare ndaj kulturave të tjera muzikore në Seminarin e 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Interpretimi i saj në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ishte një lloj objekti i studimit e njohjeje për seminaristët e huaj që kanë mundur të gjurmonin në katër kohë të veprës.
Hapësira ku ka interpretuar gjashtëshja është prej më mikpritëseve të muzikës klasike. Të hënën sallën e kanë mbushur publiku vendor e ai i huaj, shumë prej tyre studiues në ditën e shtatë të Seminarit. Menjëherë pas prezantimit të trashëgimisë letrare të Eqrem Bashës, për atë të trashëgimisë kulturore, në skenë është ngjitur kompozitori Valton Beqiri në piano me pesë instrumentistë që kanë nisur të eksplorojnë tingujt e veprës nëpërmjet një viole, dy violina, një violonçeli dhe tupani.
Koha e parë e veprës “Shpirti i traditës” - “Gjeneza” - fillon me një motiv të imitimit të lahutës dhe portretizon muzikën e Shqipërisë së Jugut. Pjesa e dytë, “Ndikimi”, përfshin meloditë që fillojnë të ndikohen dhe deformohen si simbolikë e përfshirjes së kulturave të huaja në muzikën shqiptare. Në përgjigje të saj vjen “Mbijetesa”, koha e tretë e veprës, si një tjetër kapitull i historisë së muzikës shqiptare. Flet nëpërmjet tingujve për rezistencën ndaj këtyre ndryshimeve dhe se si muzika shqipe ka arritur të ruajë identitetin.
Tingujt melankolikë të pianos nisin, vazhdojnë disa harkorë dhe krejt bëhen bashkë derisa në këtë pjesë, sikurse edhe në të katërtën, futet për t’i dhënë veprës edhe më shumë dinamizëm. Ritmin e ka mbajtur tupani, derisa një ngjarje melankolike është zhvilluar në sfond, instrumentistët e harkorëve me gishtërinj e kanë thyer atë.
Në përmbyllje ka ardhur koha e katërt e titulluar “Loja”, që ka për qëllim të tejkalohet gjithë zhvillimi historik dhe ndikimi me motivin e lojën për suksesin e mbijetesës së melosit kombëtar. Ka nisur me dinamizmin e violinave që ka ardhur si kronologji prej pikës më të ulët deri tek ajo më e larta. Bashkë me tupanin ia ka shtuar dozën. Tingujt e pianos mezi dëgjohen, por vijnë si mbështetës të ansamblit. Derisa tingujt e harkorëve nxirren me gishtërinj, njëra violinë zhvillon një ngjarje dramatike. Tupani i jep një ngjyrë tradicionale në kontrast me pjesën tjetër të instrumenteve.
Vepra “Shpirti i traditës” e kompozuar për orkestër të madhe harqesh dhe perkusione kësaj here është sjellë në një formacion të kombinuar prej gjashtë anëtarësh. Tjetër improvizim është bërë kur janë përfshirë tinguj pianoje që janë luajtur prej vetë kompozitorit të veprës, Valton Beqiri.
“Në këtë formacion të ngushtuar është hera e parë që po interpretojmë. Pianoja nuk është e shkruar në këtë vepër, por për shkaqe të mungesës së instrumentistëve e bëmë një kombinim, një format më të vogël kamertal. Besoj se e dhamë maksimumin dhe atë intencën e veprës për të pasqyruar motivet dhe zhvillimin e muzikës te shqiptarët në përgjithësi”, ka thënë kompozitori Beqiri derisa e ka vlerësuar sfiduese ndryshimin në formacion, por edhe të suksesshëm.
“Për kompozitorët është sfidues çfarëdo lloj ndryshimi i formacionit, pasi kalkulohet numër i caktuar i instrumenteve. Është dashur të bëheshin ndryshime në orkestracion, të gjejmë formula të cilat funksionojnë, të bëjmë prova paraprakisht. Por ka qenë test për ne, meqë vepra funksionoi edhe në këtë formacion. Ndoshta ndonjëherë është më lehtë të depërtoj dhe të qarkulloj me një numër më të vogël instrumentistësh sesa për sa është shkruar vepra”, ka thënë Beqiri.
Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, profesori Bardh Rugova, ka thënë se me anë të dy koncerteve muzikore sivjet kanë dashur që ta forconin edhe më shumë fushën e kulturës nëpërmjet ngjarjes.
“Kemi dashur të tregojmë veprën të cilën sapo e dëgjuam të kompozitorit Valton Beqiri, si një prej veprave që i kemi përzgjedhur si më me vlerë në opusin e Kosovës. Me aq sa pamë, pati kërshëri dhe përshtypje shumë të mira të mysafirëve”, ka thënë profesori Rugova derisa Seminarin e ka vlerësuar si hapësirë integrimi të kulturës shqiptare në ato të huaja.
Valton Beqiri veprën e kishte shkruar në vitin 2000 dhe e kishte përpunuar në vitin 2011. Ndonëse është luajtur shumë herë në shtetet e Evropës, e deri në Amerikë e Japoni nga Orkestra Kamertale Ballkanike dhe Filharmonia e Kosovës, nën udhëheqjen e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa, publikut në kryeqytet i është interpretuar si promovimin i vlerave kulturore.