Pjesa e parë e koncertit nis pa instrumente.
Hapat e valltarëve, të koordinuar nën koreografinë e Xhemajli Berisha, marrin formën e eksplorimit të traditës.
Kësaj radhe, valltarët e ansamblit të këngëve e valleve “Shota” po bëhen gati të sjellin para publikut valle nga regjioni i Hasit.
Përveç hapave të këtij regjioni, një element tjetër karakteristik do të jetë edhe kostumi me ornamente dhe qëndisje të asaj zone, raporton “Express” i KTV-së.
Pjesë e ekspeditës në fshatrat e Hasit, ishte edhe Ylber Asllanaj dhe prej aty është inspiruar për ta kompozuar muzikën.
Valltarët thonë se procesi i realizimit të premierës së radhës nuk ka qenë i vështirë, falë bashkëpunimeve të mëhershme me koreografin.
Koncerti i radhës i ansamblit “Shota” mbahet më 27 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës.