Në vitin 1950, Kosova e asokohshme si krahinë në kuadër të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, do të bëhej me ansamblin profesionist të këngëve dhe valleve, “Shota”.
Pikërisht më 30 tetor të atij viti, në gazetën zyrtare do të publikohej vendimi për themelimin e atij që sot është ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve, “Shota”. Pikërisht në ditën e 70-vjetorit të institucionit qendror të kulturës, ishte planifikuar që të mbahej koncert festiv.
Por pandemia dhe mungesa e koordinimit me Ministrinë e Kulturës ka bërë që ky koncert të pezullohet. Planifikohej që sonte në sheshin qendror të Prishtinës, “Shota” të kremtonte me vallet e këngët më reprezentative, transmeton KOHA.
Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Shefqet Gjocaj, ka thënë se themelimi i “Shotës” është bërë në shtator të vitit 1950, por si datë zyrtare merret 30 tetori për shkak të publikimit të vendimit në gazetën zyrtare.
“Për shkak të dinamikës së përgjigjeve të Ministrisë së Kulturës sa u përket kërkesave tona të domosdoshme por edhe për shkak të rezultimit pozitiv me COVID-19 të dy anëtarëve të trupës artistike dhe të dy bashkëpunëtorëve të jashtëm, koncerti do të shtyhet për një datë më të përshtatshme”, ka thënë Gjocaj të enjten, derisa ka dalë nga mbledhja e Këshillit Drejtues.
“Shota” kishte planifikuar që më 28 nëntor, me rastin e shënimit të 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ta mbante një koncert të veçantë. Por tash planet kanë ndërruar. Këshilli Drejtues i institucionit së bashku me menaxhmentin po bëjnë plane për një fuzionim koncertesh.
“Planifikojmë që koncerti i fuzionuar të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Koncerti i pezulluar ishte planifikuar të mbahej në hapësira të jashtme, në skenë të hapur, në sheshin e kryeqytetit”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Shefqet Gjocaj. Sipas tij, për shkak të masave të pandemisë nevoja është që koncerti të mbahet në ndonjë sallë më të madhe, por në një rast të tillë do të rritej edhe kostoja e ngjarjes.