Kulturë

“Shota” me tri valle për Pavarësi

Me laramani ngjyrash të veshjeve tradicionale e nën tingujt e panumërt të instrumenteve të ndryshme, “Shota” solli koncertin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Kur dritat në sallë janë fokusuar në skenë, nëntë çiftet e “Shotës” ngritën shamitë dhe kështu prezantuan kulturën e valles tradicionale, të kombinuar me këngën e veshjen. Prezantimi i tyre ishte njëri nga qëllimet që ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve pati synim. Të mërkurën mbrëma solli valle prej Çamërisë e Dibrës, si dhe madje enkas për Pavarësinë.

Kur në skenë dolën për të interpretuar copëza të traditës dibrane, në skenë u dëgjua “Hajredin Pasha” interpretuar nga kori në sfond. Nëntë valltarët, me t’u ngjitur aty përcollën imazhin e burrit shumë kohë më parë. Tek kur në sallë u dëgjuan tingujt e defit, valles iu bashkuan vajzat e ansamblit.

Vallja dibrane ka sjellë veshjet kuqezi, me plisa, shami, tirq dhe fustane. Ajo me motive çame solli në skenë valltarët e veshur në fustanella, me kadifenë në vjollcë të errët.

Kur prapa filluan të shfaqen figurat e heronjve kombëtarë, u interpretua vallja që u përgatit nga ansambli pikërisht për përvjetorin e Pavarësisë. Paraqitja qe inkuadruar në motive të veshjeve dhe lëvizjeve nga Kosova.

Programi i përgatitur për festën e Pavarësisë në skenë solli edhe këngëtarët Violetë Kukaj, Sarada Alija, Liridon Sadriu e Majlinda Cikaqi. Bashkë me korin interpretuan këngët që lartësojnë vlerat e heronjve dhe të kombit.

Në një formacion ku bashkoheshin defi, tupani, kitara, çiftelia, fagoti e shumë të tjera, tingulli i tyre bashkohej për t’i bërë valltarët të mos pushonin me lëvizjet e tyre. Kjo laramani qe edhe synimi i koncertit.

“Kostumografia si edhe folklori në tërësi janë jashtëzakonisht të pasur dhe ka diversitet të madh. Natyrisht në festa, sidomos në të tilla kur kemi edhe mysafirë të huaj, siç patëm sonte gjeneralin e KFOR-it dhe të tjerë të huaj, të prezantojmë sa më shumë prej kostumografisë dhe këngëve tona. Kështu që kostumografia e parë i përket Dibrës, vallja e dytë është çame dhe vallja e tretë është valle festive, e cila është realizuar enkas për Ditën e Pavarësisë. Natyrisht në të përmban kostumografi dhe elemente të veshjes tradicionale të Kosovës”, ka thënë Ylber Asllanaj, drejtor artistik i “Shotës”.

Një paraqitje e tillë kërkon kohë dhe mund për përgatitje. E gjithë kjo, sipas organizatorëve, nuk ka qenë sfidë e madhe.

“Është në kuadër të programit tonë të përditshëm. Festa e Pavarësisë është një ngjarje që ne çdo vit, që nga shpallja e deri më tash shfaqim koncert. Kështu që, nuk ka qenë përgatitje shumë e vështirë. E aq më tepër që edhe ne artistët si çdokush tjetër i gëzohemi kësaj feste”, ka thënë Asllanaj.

Valltarët u japin rëndësi koncerteve të tilla në ditë feste.

“Kur të gjithë festojnë ne punojmë. Por, ajo punë që ne e bëjmë është kënaqësi, sepse ne po kujdesemi që ta bëjmë festën më madhështore ashtu siç edhe e meriton kjo festë. Jo të gjithë e kanë pasur të mundur të kontribuojnë në luftë për ta sjellë Pavarësinë. Dikush ka luftu, dikush ka vallëzu, dikush ka këndu. Në të gjitha format jemi munduar që të jemi shtet i pavarur sot. Njëjtë është edhe për ne. Sepse, kur të gjithë festojnë dhe ne jemi pjesë e asaj feste duke u përkujdesur për të është kënaqësi e veçantë”, ka thënë valltarja Zymrije Grajçevci.

Për valltarët e solistët çdo dalje në skenë është e veçantë, por ajo për jubile të shtetit ka tjetër peshë.

“Si çdoherë është kënaqësi. Në çdo përvjetor që rritet data e atij përvjetori, rritet edhe emocioni. Kur e dimë që për sa vjet me radhë e festojmë me punën tonë, me valle, sidomos në këtë rast që e gjithë koreografia i është dedikuar Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Grajçevci.

Edhe për Besnik Grajçevcin kjo paraqitje ishte e veçantë.

“Uroj që sa më gjatë të kemi fatin të jemi prezentë në mesin e shoqërisë sonë dhe të festojmë këto festa, të cilat kanë shumë vlerë për ne dhe për të gjithë popullin shqiptar. Këto festa janë të shënuara me sakrificë dhe mund, andaj e kemi obligim moral ne që jemi të gjallë për hir të atyre që janë sakrifikuar për këto ditë të bëjmë maksimumin tonë që të festojmë sa më mirë, sa më dinjitetshëm. Vetëm pozitivitet, festë, gëzim, lumturi, sepse ky popull ka vuajtur shumë për lirinë dhe arritjen e saj. Në vitin jubilar të Pavarësisë së Kosovës jam shumë i lumtur që jam pjesë e manifestimeve”, ka thënë ai.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka organizuar dy paraqitje për 17 Shkurt dhe ka sjellë edhe albumin e parë të këngëve popullore të këtij ansambli.