Kulturë

“Shota” me suksese ndërkombëtare e probleme elementare

Prishtinë, 2 shtator – Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” pasditen e së dielës është kthyer nga Italia. Kanë qenë në Sicili për të interpretuar në manifestimin tradicional të arbëreshëve, “Festa e themelimit”.

Paraprakisht ky institucion është kthyer nga Turqia në fillim të gushtit me çmim, duke përsëritur suksesin e gjashtë vjetëve më parë. Ka marrë çmimin e dytë në “Büyükçekmece Kulture ve Sanat Festivali” (Festivali Ndërkombëtar i Kulturës dhe i Arteve) në Turqi, që njihet si festivali më i madh i folklorit në botë. E më 25 shtator, “Shota” do të udhëtojë drejt Seulit, ku edhe në Lindjen e Largët, në “Cheonean Folklore and Dance Festival” do të prezantohet me programin e vet. Po në këtë festival, “Shota” në vitin 2011 kishte arritur të zinte vendin e tretë. Por pavarësisht sukseseve në arenën ndërkombëtare, Ansambli është duke u përballur me problemet e vjetra. Kompletimi i stafit artistik e pajisja me instrumente të reja janë veç dy nga problemet që prekin boshtin e institucionit.

Drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, të dielën ka thënë se problemi me stafin profesional e rrezikon drejtpërdrejt veprimtarinë e Ansamblit.

“Tash e një vit janë pesë vende të lira ku njerëzit kanë dalë në pension e nuk janë zëvendësuar”, ka thënë Gjocaj. Sipas tij, problemi më i madh në këtë aspekt është mungesa e koreopetitorit, pa të cilin është vështirë të mbahen provat. Pas kësaj, institucioni ka mungesë të instrumentistëve kyç e edhe të këngëtarëve. Pas pensionimit të Ismet Bogujevcit e Riza Bytyçit, “Shota” nuk i ka zëvendësuar ata. Pajisja me instrumente mbetet një tjetër problem.

(Gjerësisht, sot n' "Kohën Ditore")