Kulturë

Shkolla që sjell “Sunny Hill Fundation” – urë lidhëse për talente të reja

“Songwriting Camp” – sikurse edhe në edicionet e kaluara – është një ofertë që të rinjtë të mësojnë drejtpërdrejt nga profesionistë ndërkombëtarë, të eksplorojnë mënyra të krijimtarisë muzikore

“Songwriting Camp” – sikurse edhe në edicionet e kaluara – është një ofertë që të rinjtë të mësojnë drejtpërdrejt nga profesionistë ndërkombëtarë, të eksplorojnë mënyra të krijimtarisë muzikore

Spektakli treditor është ana më e dukshme e festivalit “Sunny Hill”, por fondacioni që e organizon atë, tashmë ka krijuar traditë edhe në pjesën edukative. Për të tretën herë do të mbahet projekti me titullin “Songwriting Camp” në bashkëpunim midis shkollës prestigjioze suedeze “Musikmakarna” dhe fondacionit “Sunny Hill”

Derisa ky edicion i festivalit “Sunny Hill” paralajmërohet si spektakël madhështor me emra të njohur në botën e muzikës, nuk do të mungojë pjesa edukative. Krahas festës me muzikë, një grup të rinjsh me mentorët e tyre do të jenë të angazhuar për të zhvilluar e përmirësuar aftësitë e shkrimit të teksteve të këngëve. 

Me shkollën prestigjioze suedeze “Musikmakarna” dhe fondacionin “Sunny Hill”, të rinjtë nga Kosova e Suedia, i bashkon talenti për të krijuar magji me muzikë. 

Për të tretën herë mbahet projekti me titullin “Songwriting Camp” në bashkëpunim midis dy institucioneve. Edhe sivjet, synohet që shkathtësitë e pjesëmarrësve të zhvillohen në kompozim, krijim të këngëve e produksion muzikor nën mentorimin e ekspertëve të njërës prej shkollave më të shquara dhe më të suksesshme në botë në fushën e muzikës. 

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica nga fondacioni “Sunny Hill”, ka thënë se aktiviteti është shumë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e industrisë muzikore në vend. 

“Ofron një mundësi të rrallë që të rinjtë të mësojnë drejtpërdrejt nga profesionistë ndërkombëtarë, të eksplorojnë mënyra të reja të të menduarit muzikor dhe të hyjnë në një proces serioz bashkëpunimi që rrallëherë ndodh në këtë format në rajon”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN. 

Sipas saj, fuqizimi i të rinjve përmes artit është edhe misioni i fondacionit dhe se ky institucion synon t’i japë zë brezit të ri të krijuesve. 

“Kjo përputhet plotësisht me misionin e ‘Sunny Hill Foundation’, i cili që nga fillimi ka pasur në qendër fuqizimin e të rinjve përmes artit, kulturës dhe edukimit. Fondacioni nuk është vetëm një katalizator për mundësi të reja, por edhe një urë që lidh talentin e Kosovës me skenën ndërkombëtare. Përmes projekteve të tilla, ‘Sunny Hill Foundation’ vazhdon të mbajë premtimin e vet: të jetë gjithmonë pranë komunitetit artistik, t’i japë zë brezit të ri, dhe të ndërtojë një infrastrukturë krijuese që frymëzon dhe qëndron”, është shprehur muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica. 

Kampi zhvillohet prej 31 korrikut deri më 2 gusht në studion muzikore “Dreamhouse” të producentit muzikor, Florent Boshnjaku. Aktiviteti zinte vend aty edhe dy vjet më parë. 

Për Boshnjakun, ky kamp është ngjarje e jashtëzakonshme dhe mundësi e madhe që ofrohet nga këto institucione. 

“Është diçka shumë e bukur që po ndodh në Kosovë. Të rinjtë mund të kenë një kontakt dhe të marrin përvojë prej njerëzve që vijnë prej jashtë, prej një shkolle aq prestigjioze siç është ‘Musicmakarna’. Një gjë e mirë ka ndodhur që vitin e kaluar ‘Sunny Hill’ ka dërguar nxënës të Kosovës në Suedi. Ky bashkëpunim midis institucioneve është vërtet diçka që duhet të përkrahet. Kështu që në rolin e përkrahësit dhe asaj që vlen të përkrahet jam edhe unë vetë. Jam i lumtur që krejt kjo ndodh në një ambient të studios të cilën e udhëheq”, është shprehur ai. 

Vitin e kaluar, nëntë të rinj ishin pjesë e Kampit që u mbajt në Suedi, nga 19 deri më 24 gusht. Duke marrë parasysh traditën e kahershme muzikore në Suedi, pjesëmarrësit patën vizituar muzetë e bendit legjendar ABBA, fondacionin e DJ-it të famshëm suedez, Avicii, si dhe ishin takuar me emra të rëndësishëm të skenës muzikore suedeze. 

Boshnjaku ishte njëri prej ligjëruesve në këtë aktivitet. 

“E kemi një respekt të dyanshëm, përtej kësaj. Jam i lumtur që krejt kjo punë po ndodh dhe shpresoj të vazhdojë dhe të nxjerrim talent të rinj për këtë vend”, është shprehur ai në një bisedë për KOHËN. 

Gjithashtu edhe muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ishte pjesë e projektit në edicionet e kaluara. I ka vlerësuar lart kapacitetet e akademisë muzikore.

“Kam pasur fatin të jem pjesë e këtij projekti edhe në edicionet e mëparshme, përfshirë edhe vitin e kaluar kur kampi u zhvillua në qytetin Örnsköldsvik të Suedisë, në hapësirat e ‘Musikmakarna’, një ndër akademitë më prestigjioze të muzikës në Evropë e cila njihet jo vetëm për programet e saj edukative të avancuara, por edhe për bashkëpunimet e saj të vazhdueshme me artistë me famë botërore dhe kontribuues të mëdhenj në industrinë globale të muzikës ‘pop’, ‘R&B’ dhe elektronike”, është shprehur ajo. 

Akademia e muzikës “Musikmakarna” është “e njohur si institucion nga i cili kanë dalë disa nga kompozitorët, krijuesit dhe producentët më të suksesshëm në Suedi dhe në mbarë botën.

Është shkolla e parë suedeze e shkrimit të këngëve e themeluar në vitin 1998 nga Ulla Sjöström. Aty janë formuar shumë figura prej kompozitorësh, producentësh dhe artistësh në industrinë muzikore të Suedisë dhe mbarë botës. Sjöström ka qenë pjesë e jurisë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. 

Prestigjiozja “Forbes” në vitin 2021 e ka vlerësuar institucionin si “shkolla më e madhe e shkrimit të këngëve në Evropë”. Ajo ndodhet në qytetin Örnsköldsvik, që është i vendosur në zemër të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, që njihet si Bregu i Lartë.

Kryeziu-Breznica nga fondacioni “Sunny Hill” ka thënë se nga përvojat paraprake, rezultati i aktivitetit sivjet pritet të jetë krijimi i këngëve të reja dhe jo vetëm. 

“Këtë vit, kemi kënaqësinë që kampi të rikthehet në Prishtinë, ku për disa ditë radhazi, të rinjtë tanë do të bashkëpunojnë me producentë nga Suedia në grupe intensive krijuese për të realizuar projekte muzikore origjinale.  Bazuar në përvojat e mëparshme, presim që edhe ky edicion të sjellë rezultate konkrete: këngë të reja, bashkëpunime që vazhdojnë edhe pas kampit dhe, më e rëndësishmja, një rritje e dukshme e vetëbesimit dhe profesionalizmit te pjesëmarrësit”, ka thënë ajo. 

“Sunny Hill” është një prej fondacioneve me të cilat akademia bashkëpunon.  Ylli botëror Dua Lipa në vitin 2021 i ishte bashkuar kampanjës së “Musikmakarna” për mbështetjen e tekstshkruesve femra në Ditën e Tekstshkrueseve që shënohet çdo 8 mars.

Projekti “Songwriting Camp” zhvillohet paralelisht me edicionin e pestë të “Sunny Hill Festival” ku prej emrave kryesorë që do të performojnë janë Dua Lipa, Shawn Mendes, Anyma, Peggy Gue e të tjerë.


Kryepersonazhe të industrisë muzikore në prapaskenë të “Sunny Hillit”

Emrat që do të ngjiten në skenën e “Sunny Hill Festival” tashmë dihen, janë artistët në majat e karrierës së tyre, nata e parë e festivalit i takon Dua Lipës dhe pjesa tjetër është histori. Por, lista e emrave “të padukshëm” që i sjell festivali është e gjatë. E ata janë kryepersonazhe në industrinë muzikore botërore. KOHA ka marrë vesh disa prej këtyre emrave. Në festival, sivjet do të jetë i pranishëm Paul Tollet, promotori i shquar amerikan që vepron në Los Angeles, ndër të tjera, organizator i festivalit në Coachella që e themeloi më 1999 tok me Rick Van Santenin. Aty do të jenë edhe, udhëheqës i “Creative Artists Agency”, Robert Kyncl, themelues i “Warner Music Group”, kompania me seli në New York prej së cilës kanë dalë emra të shquar botërorë e Chrisitofer Huber, kreu i European Festival Association. Sikurse në edicionet e kaluara, nuk do të mungojë as David Bradley, agjenti i Dua Lipës qysh prej filleve të karrierës së saj, e në listë është edhe Maha Dakhill, njëra agjenteve e zbulueseve më të mëdha të telenteve në art.