Kulturë

Shfaqja “Zgjimi i Pranverës” nga Zana Hoxha përfaqëson Kosovën në festivalin e Shkupit

Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet përfaqësojnë Kosovën me shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës” në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit - ITF Skupi Festival, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ky festival mbahet nesër nga ora 20:00 në Kurshumli Han - Shkup, transmeton KOHA.

“Në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit – ITF Skupi Festival, sivjet prezente do të jenë trupat teatrale nga Bullgaria, Shqipëria, Kroacia, Serbia e Bosna e Hercegovina përderisa Kosova do të përfaqësohet me shfaqjen muzikore "Zgjimi i pranverës", me regji të Zana Hoxhës, që do të jepet në ambient të hapur, sikurse edhe shfaqjet të tjera të festivalit që do të zhvillohen jashtë, karakteristikë kjo e këtij viti”, thuhet në komunikatë.

Artpolis shton se, “duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat përballemi në kohë pandemie, ne e konsiderojmë të rëndësishme që shkëmbimi, mësimi dhe mbështetja ndërkulturore të mos ndërpriten, por të vazhdojnë në një formë të re të modifikuar. Kështu mund të sigurojmë zgjimin që duam dhe të inkurajojmë krijimin e rrjeteve në kohë sfiduese”.

Tutje thuhet se "Zgjimi i Pranverës" tregon historinë e adoleshentëve që zbulojnë trazirën e brendshme dhe të jashtme të seksualitetit. Ajo eksploron udhëtimin nga adoleshenca në moshën e rritur me trishtim dhe pasion që është ndriçues dhe i paharrueshëm.

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e Frank Wedekind "Zgjimi i Pranverës" ishte një thirrje artistike, një dëshirë dhe një nevojë për ta sjellë këtë shfaqje në Kosovë, duke e përshtatur më tej në epokën e viteve '90 në Kosovë.

Shfaqja përkrahet nga cfd, UNFPA dhe Kvinna till Kvinna.

Image