Kulturë

“Zgjimi i pranverës”, premierë pa publik

Në muajin mars, kasta e aktorëve, me regjisoren Zana Hoxha veçse ishte bërë gati për premierë.

Situata e krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit e shtyu “Zgjimin e pranverës”, raporton KOHA.

As faza e tretë e masave lehtësuese nuk dha sinjale se shfaqja do të jepej me publik.

U mor vendim që teatrot dhe kinematë të mbesin të mbyllura për publikun.

Megjithatë, ekipi i shfaqjes “Zgjimi i pranverës” më 1 qershor iu rikthye skenës.

Me entuziazmin e njëjtë ata po bëhen gati për provën e përgjithshme, që do të shfaqet për 21-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Shfaqja, e bazuar në tekstin e gjermanit FrankWedekind, cilësohet si një zhytje në botën e adoleshentëve. Në këtë rrëfim bëhen bashkë dashuria, seksualiteti, ndrydhja e ndjenjave e përjetimeve.

Shfaqja kapërcen nëpër fragmente të muzikës “rock”, që pati zhvillim të hovshëm gjatë viteve ’80 e ’90 në Kosovë. Në atë kohë i ka kontekstualizuar të gjitha skenat regjisorja Zana Hoxha.

Kjo shfaqje që do të shënojë premierën e parë në Teatrin kosovar, u cilësua si një rrëmbim emocional.

Nën regji të Zana Hoxhës, premiera sonte do të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik.

Nëse nuk krijohen kushtet e përshtatshme, publiku i gjerë do të mund ta shohë shfaqjen online në shtator.