Pas afër shtatë muajsh, dyert e Tetarit Kombëtar të Kosovës u rihapën sërish.
Megjithëse jo me kapacitet të plotë aq sa ofron salla e madhe e Teatrit, publiku i është rikthyer këtij arti mbrëmjen e 5 tetorit.
Nën masat e reja të qeverisë, vetëm dyzet për qind e ulëseve u zunë nga spektatorët që duke ndjekur rregullat anti-COVID-19, ata ndoqën premierën e shfaqjes muzikore “Zgjimi i Pranverës”, me regji të Zana Hoxhës.
Kryevepra e dramaturgut gjerman, Frank Wedekind, u shfaq për herë të dytë në skenën e TKK-së, pasi që premiera e mbyllur ishte prezantuar më 12 qershor, në njëzet e një vjetorin e çlirimit të Prishtinës.
Preokupimet që i kanë përcjellë të rinjtë e Kosovës gjatë viteve ’90, janë elementet e kësaj shfaqjeje e cila tutje tregon edhe për epokën e solidaritetit që mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.
Aktorët u shprehën të lumtur që pas gjysmë viti janë përballë publikut, teksa thonë se kjo shfaqje diskuton për tema të ndaluara të një shoqërie patriarkale.
Edhe
Një vit pas grevës së përgjithshme të TKK-së – Çka (s)ndodhi?
“Zgjimi i Pranverës”, që është një bashkëpunim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, në shtator është shpërblyer me çmimin kryesor në Festivalin ndërkombëtar të teatrit në Shkup.
Regjisorja Zana Hoxha deklaroi se shfaqja u dedikohet të gjithë adoleshentëve të rënë në luftën e fundit në Kosovë.
Pas premierës në TKK, “Zgjimi i pranverës” do të prezantohet në Gjilan, Gjakovë dhe Prizren.